Dimri ka mbërritur në zonat e larta malore të Kukësit. Temperaturat kanë rënë ndjeshëm dhe një shtresë e trashë dëbore ka mbuluar bjeshkët, malet dhe kodrat përreth, duke u dhënë fshatrave atë pamje të bardhë karakteristike për këto treva. Në rrugën nacionale KukësShishtavec, herë pas here shfaqen banorë nga Gryka e Vanave, që ecin ngadalë me kuaj të ngarkuar me dru zjarri. Në pak shtëpi të banuara ende, tymi i oxhaqeve ngrihet qetë drejt qiellit gri shenja e vetme e jetës që sfidon të ftohtin dhe izolimin.

Në Shishtavec, Mehmet Bala po përgatit tharjen tradicionale të mishit të mëshqerrës dhe lopës, duke e varur në ballkon, në ambient të hapur. Është një rit i lashtë i kësaj zone, një traditë që ka mbijetuar ndër breza, pavarësisht kushteve ekstreme të dimrit apo viteve që kalojnë.

“Është zakon i vjetër. Mishi thahet në të ftohtë natyral, siç e kanë bërë gjithmonë prindërit tanë.” tregon ai.

I njohur në zonë si “Usta Meçe”, Mehmet Bala, njëkohësisht edhe kryeplak i fshatit është një nga mjeshtrit e fundit të kulinarisë tradicionale të Gorës, që ende ruan shijet autentike të kësaj treve.

Suxhuku i Shishtavecit është unik pasi përgatitet me produkte të zonës, duke filluar që nga mishi i cili vjen nga gjedhet që rriten në kullotat alpine, deri tek perimet e zonës.

“Ky suxhuk Shishtaveci bio që prodhohet me mishin e zonës sonë, gjedhet bjeshkët e Sharrit. Formula e veçantë, mish lope, kau viçi, qepa është e jona, spec, erëza.”

Kjo mënyrë përgatitjeje është ruajtur brez pas brezi në Shishtavec. Por usta Meçe, pasionin për vazhdimësinë e kësaj tradite nuk e gjen tek të rinjtë e sotëm.

Zgjidhja dhe zgjedhja e rinisë së këtij fshati është të jetuarit kudo përveçse në Shishtavec.

Mjafton të bësh një shëtitje në rrugicat e ngushta për të parë se të paktët njerëz që lëvizin janë kryesisht të moshuar.

Shtëpitë e braktisura, të mbuluara nga bora, qëndrojnë të heshtura, dëshmi e një fshati që dikur gumëzhinte nga zërat e fëmijëve.

“Fshati është i armatosur me ushqime për dimrin,por pa fëmijë.” shprehet një banor i zonës.

Në këtë qetësi dimërore, dëgjohen vetëm lehjet e qenve që lajmërojnë çdo kalimtar dhe britmat e pakta të bagëtive të mbetura në stallat e familjeve.

Trokitja e lehtë e këmbëve të kafshëve në borë është i vetmi tingull që e thyen herë pas here heshtjen e fshatit. Banorët thonë se dimrat e fortë i kanë përballuar gjithmonë, por sot vështirësia më e madhe mbetet energjia elektrike. Ndërprerjet janë të shpeshta, veçanërisht gjatë natës, duke rënduar jetën e përditshme të familjeve të moshuara që jetojnë të vetmuara në kushte të vështira.

Problemet nuk mbarojnë me kaq. Shishtaveci rrezikon shpesh izolimin për shkak të segmentit të fundit rrugor prej vetëm një kilometër, hyrja e fshatit i cili bllokohet rregullisht nga bora. Ky segment nuk përfshihet në kontratën e mirëmbajtjes së rrugës nacionale Kukës–Shishtavec–Doganë, duke lënë komunitetin të shkëputur sa herë reshjet janë të dendura.

Sot në Shishtavec jetojnë rreth 138 familje, pothuajse të gjitha të moshuara. Dikur fshati kishte mbi 400 familje dhe konsiderohej një ndër zonat me potencial të lartë për turizmin malor.

Dimrat e gjatë, bukuritë e natyrës alpine, traditat kulinare dhe mikpritja gorane ishin pjesë e një oferte që premtonte jetë e gjallëri. Ata ruajnë traditat, përgatisin ushqimet dimërore si dikur, kujdesen për pak bagëti dhe presin çdo mëngjes e mbrëmje të mos mbeten në errësirë apo të mos izolohen nga bora.

Çdo oxhak që tymos është një dëshmi rezistence. Çdo derë e hapur është një betejë e fituar ndaj braktisjes. Në heshtjen e bardhë të dimrit, Shishtaveci nuk është thjesht një fshat i mbuluar nga bora është një histori që vazhdon të shkruhet me durim, me mall dhe me frikën e shuarjes.

Sepse pas bukurisë së natyrës dhe qetësisë alpine fshihet një realitet i rëndë,një komunitet që po plaket dhe një vendbanim që rrezikon të mbetet vetëm kujtim. Sepse pa njerëz, edhe fshati më i bukur mbetet vetëm një peizazh i heshtur.