Bashkëshortja: Agron Aliaj nuk
e meriton këtë indiferentizëm

TIRANE- Kur jeta e një mjeshtri të madh si Agron Aliaj vihet në rrezik nga burokracitë e institucioneve tona shëndetësore, mendo se çfarë mund t’i ndodhë një njeriu të thjeshtë? Apeli publik i familjarëve, miqve dhe kolegëve për t’i rikthyer shëndetin Mjeshtrit Aliaj ka rënë në vesh të shurdhët. Indiferentizmi i institucioneve shtetërore por jo vetëm, ka sjellë pasoja për koreografin, gjendja shëndetësore e të cilit që nga dita e martë është përkeqësuar. Me shtyllën kurrizore të dëmtuar, me duar të paralizuara e me brinjë të thyer, ai kaloi, si shenjë e komplikacioneve, edhe një bllokim në rrugët e frymëmarrjes. Aktualisht Aliaj ndodhet në spitalin Nr. 5 dhe ndihmohet me frymëmarrje artificiale. Bashkëshortja e tij, Valdete Aliaj teksa sheh gjendjen e të shoqit ka një revoltë të brendshme për gjithçka që ndodhi. Natyrshëm ajo rrëfen përpjekjet maksimale që bashkë me dy fëmijët e saj kanë bërë që njeriut të tyre të dashur t’i krijohej mundësia për një trajtim më të specializuar. Ka trokitur dyerve të institucioneve me bindjen se së paku krijimtaria e tij artistike do të merrte shpërblimin që meriton në një moment të vështirë të jetës së tij. Por e kanë përcjellë veçse me fjalë të mira, e pas mbylljes së dyerve gjithçka ka kaluar me indiferentizëm. Në intervistën e saj për MAPO-n, bashkëshortja e Agron Aliajt tregon jo pa nerv sorollatjet, indiferentizmin e institucioneve shtetërore, por edhe paaftësinë e ndonjëherë edhe cinizmin e njerëzve të veshur me bluza të bardha, ndërkohë që gjendja e bashkëshortit të saj përkeqësohet ditë pas dite, e teksa ende presin dërgimin e tij për operim në një klinikë të specializuar jashtë vendit.

Zonjë, a mund të na thoni se si është gjendja e bashkëshortit tuaj tani që po flasim?

Pardje ndodhi e papritura e madhe, për të cilën asnjë mjek nuk na kishte paralajmëruar se po të zgjaste kjo situatë (pa iu nënshtruar operacionit), atij mund t’i krijoheshin probleme edhe me frymëmarrjen. Shikoni se çfarë pakujdesie… Dhe shkak për të zbuluar këtë komplikacion u bë një krevat. Agroni u lodh duke u kërkuar që ta vinin në një krevat që mund të ngrihej 40-50 gradë. I thahej goja dhe unë i jepja vazhdimisht ujë, kishte shqetësime dhe nuk ia gjetën që nuk ia gjetën një shtrat dhe pas dy javësh u kujtuan që ta çonin te spitali Nr. 5, ku i siguruan një krevat që mund të ngrihej. Por ishte shumë vonë, se problemet me mushkëritë kanë ndodhur dhe tani që po flasim i kanë vënë dhe një tub që e ndihmon në frymëmarrje. Domethënë, ajo që ndodhi ishte një tragjedi që ia ktheu mbrapsht gjithë jetën. Para aksidentit ai dilte një orë në mëngjes, një orë pasdite, bënte dush çdo ditë, ulej në kompjuter, punonte çdo ditë me orë të tëra dhe për këtë më vjen keq. Por tani gjendja është rënduar. Unë i kam qëndruar ditë-natë te koka, se infermieret vënë mjekimin dhe ikin. Në fillim e çuan në reanimacion, por aty nuk kishte higjienë dhe e transportuan te pavijoni VIP. Atje infermieret ishin më keq, doktorët merrnin vetëm në telefon dhe Agroni filloi të mërzitej e të binte moralisht përditë e më shumë. Dhe më e keqja është se njeriu që bëri këtë krim (aksidentin) nuk erdhi as t’i kërkojë falje. Në një moment që Agroni u ndërgjegjësua dhe mbajti mend të gjitha etapat sesi ndodhi aksidenti, thirri avokatin e tij dhe është ai që po merret me procedurat ligjore. Njeriu i shkel këmbën dikujt dhe i thotë më fal, jo më të bësh një krim të tillë. Ai personi që e aksidentoi nuk ka ardhur as edhe një ditë, por ka dërguar një kushërirën e vet që të na përpunonte ne, së cilës në një moment i thashë të mos vinte më të shqetësonte Agronin.

Po cilat janë arsyet që çuan në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore?

Nuk janë vetëm kushtet, por edhe indiferentizmi i shtetit. Njeriu nuk duhet të bëjë për tjetrin vetëm duke thënë fjalë të mira, por edhe me vepra. Të gjitha autoritetet më kanë thënë fjalë të mira, por asgjë konkrete nuk kanë bërë. Unë kam marrë guximin t’i marr edhe në telefon që të paktën të mos më gënjejnë për Agronin, se për veten time nuk e kam problem fare. Erdhën dhe fëmijët nga jashtë dhe po skandalizohen me këto sorollatje. Indiferentizmi i autoriteteve është i jashtëzakonshëm. Agroni tani është bërë invalid dhe kjo situatë është e pakorrigjueshme. Ata tani të mbajnë përgjegjësi sesi mundi i Agron Aliajt vajti në fund të hendekut. Unë nuk e di si mund ta nxjerrin nga kjo gjendje. Ne familjarët kemi kërkuar (siç na rekomanduan edhe mjekët) që atij t’i krijohet mundësia që të dërgohet në një spital më të specializuar jashtë shtetit. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Kulturës, me Ministrinë e Shëndetësisë. Kam shkuar personalisht te Kryeministri bashkë me djalin, dhe na tha që duhet të lidhemi me spitale të specializuara në Milano (Itali) ose në Francë. I dërgova që ditën e parë epikrizën ministrit të Shëndetësisë dhe shkova sërish që të merrja një përgjigje, por ministri nuk më priti po më dërgoi te Pëllumb Pipero. Këtij të fundit i bëra me dije se epikrizën ia kisha dërguar ditë më parë ministrit. Dërgoi dikë që ta merrte dhe nuk e gjenin epikrizën e firmosur nga mjekët e Spitalit Ushtarak dhe nga mjeku Fatos Olldashi, i cili është treguar shumë korrekt dhe e ka ndjekur bashkëshortin tim. Ajo epikrizë nuk u gjend më, që do të thotë se problemi nuk u ndoq derisa humbën edhe epikrizën. Zoti Pipero na shpjegoi se vetëm me Turqinë ka marrëveshje ndërshtetërore, ndërkohë që ne nuk kishim pretendime në Turqi apo në Itali, edhe pse mjekët na thanë që në Milano ishte një spital i specializuar. Por për në Milano, Pipero na tha se nuk ka para. Megjithatë i thashë ministrit që të bënte çfarë ishte e mundur. Agroni nuk ka kërkuar kurrë asgjë, sepse s’ka pasur as arsye pasi nuk është sëmurur kurrë, nuk ka pasur probleme për asgjë dhe kurrë s’ka kërkuar më shumë sesa meriton. Gjendja e tij po përkeqësohej, problemet me diabetin po avanconin, tensioni i ngrihej dhe kishte nevojë për një shërbim më të specializuar. Erdhi, ç’është e vërteta dhe u interesua këshilltarja e Kryeministrit, edhe ministri i Kulturës është interesuar, nuk e mohoj, por njerëzit që duhet ta ekzekutonin këtë nuk kanë treguar kujdesin e duhur dhe gjendja e tij është përkeqësuar. Ndërkohë ne prisnim që diçka të bëhej, edhe pse disa mjekë thoshin se mirë është që Agroni të rrijë 2-3 javë në spital, që të forcohej duke iu nënshtruar fizioterapisë etj., etj, ndërkohë që ne familjarët këmbëngulnim se kjo gjendje nuk duhet të zgjasë. Por ata e stërgjatën këtë fazë që nuk solli asnjë përmirësim. Unë ia raportova gjithë situatën këshilltares së Kryeministrit, dhe ajo më tha se “ne do të bëjmë të pamundurën”.

Përfundimisht, është vendosur se në cilin spital do të shkojë për të bërë ndërhyrjen?

Jo, nuk është vendosur as sot që po flasim, por tani edhe po qe se vendosin, është shumë vonë. Kjo është gjithë e keqja. Tani është tepër vonë për operacionin. Të keqen e bënë. Nëse do të kishte mjete profesionale dhe interesim nga autoritetet, Agroni do kishte shpëtuar. Këto gjëra u bënë dhe tani sado të mundohen, ata kanë humbur një artist që sikur edhe në kolltuk të rrinte, ai prapë do të jepte shpirtin për artin. Ai ka bërë shumë për artin, e ka bërë me shpirt e me pasion, nuk e ka bërë për para dhe nuk e meritonte këtë që i ndodhi. Tani me siguri fajin do t’ia hedhin njëri-tjetrit, ndoshta do t’ua hedhin edhe familjarëve. Kushedi ç’mund të thonë, jo kanë pasur pretendime etj., etj, por nuk mund të rregullohen gjërat kështu. Indiferenca bëri që shëndeti i Agronit të shkonte drejt përkeqësimit, edhe pse ka pasur zëra nëpër gazeta dhe fjalë të mira nga autoritetet, megjithatë ne nuk kemi nevojë për fjalë të mira, por për vepra. Sikur vetëm të më thoshin që kjo është ajo që duhet bërë që Agroni të shërohet, unë shtëpinë do të shisja pa vajtur nëpër institucione. Le të më thoshin që nuk ka para, nuk bëjmë dot gjë, ta thoshin, njeriu i kupton disa gjëra. Nuk do të humbisnim kohë kot. Agronit ia thashë që në fillim për vështirësitë që paraqiste shëndeti i tij edhe për moshën, prandaj dhe ai donte të shkonte në një spital më të specializuar, jo se nuk kishte besim te mjekët e këtushëm. Unë nuk mund t’ia mohoja këtë dëshirë. Por pavarësisht gjendjes në të cilën është, ai buzëqesh dhe është optimist. Kush vjen ta shohë, buzëqesh dhe thotë se jam më mirë. Unë po shprehëm ashtu siç ma thotë shpirti, sepse e kanë dëmtuar kaq shumë këto që ndodhën bashkëshortin tim, sa nuk e di nëse do mund të jetë më ai i pari
(Intervista egazetares Aida Tuçi eshte botuar sot ne gazeten "Mapo")

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Kosovë/ Deputeti i LDK-së: Kurti ka blerë 582 milionë € energji në bashkëpunim me kompani serbe! Në dialogun me Serbinë sillet si ‘one man show'

Zgjedhjet në Kosovë/ Deputeti i LDK-së: Kurti ka blerë 582 milionë € energji në bashkëpunim me kompani serbe! Në dialogun me Serbinë sillet si ‘one man show'