Për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, u theksua se dy parlamentet kanë rënë dakord t'i mbështesin qeveritë respektive për thellimin e kuadrit ligjor bilateral, proces që duhet të përshpejtohet gjatë muajve në vazhdim. Edhe Ministri Mezouar tha se marrëveshjet në proces duhen finalizuar sa më shpejt me qëllim hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi mes dy vendeve ndërsa shprehu mirënjohjen për qëndrimin e qartë të Shqipërisë në mbështetje të ruajtjes së integritetit territorial të Mbretërisë së Marokut, duke e cilësuar këtë si një kontribut për stabilitetin rajonal të zonës së Saharasë.
Kryetari Meta dhe Ministri Mezouar ranë dakord për intensifikimin e kontakteve në planin ndërkombëtar në kuadër të OKB-së, Organizatës për Bashkëpunim Islamik, OSBE-së, Unionit për Mesdheun si dhe në kuadër të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke shprehur bindjen se Shqipëria dhe Maroku ndajnë përqasje të ngjashme mbi luftën ndaj terrorizmit, sigurisë dhe forcimit të paqes në botë.
Duke shprehur mirëkuptimin për ndjeshmëritë e brendshme të vendit mik, Meta ripërsëriti kërkesën e Shqipërisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Marokut, si një realitet të pakthyeshëm që njihet prej 110 shteteve anëtare të OKB-së.
ATSH