Në mbledhjen e 14 dhjetorit 1983, mes sekretarëve të Komitetit Qëndror është diskutuar gjatë për francezin e dyshimtë që erdhi nga Beogradi në Berat ku takoi një mësues frëngjshtje dhe dy inxhinierë të Poliçanit. Udhëheqësit diskutojnë se çfarë mund të jetë fshehur brenda atij librit misterioz. Hekuran Isai ka përforcuar të gjithë dyshimet e këtij takimi gjoja rastësor duke e lidhur mësuesin e frëngjishtes me komandantin e divizionit të Beratit, me të cilin ai shpesh shoqërohej e që pas hetimeve rezultonte se kishin edhe krushqi.
Edhe pse vetëm dyshime, kjo çështje që ndiqej nga Sigurimi i Shtetit është diskutuar gjerë e gjatë. Pasi ka ngritur dyshimet e tij rreth këtij komandati, Hoxha urdhëron që ta largojnë menjëherë nga detyra që ai ka si komandant divizioni. Ai thotë se duhet të jenë shumë të sigurt e të kenë fakte për ta vënë në dyshim këtë personazh, sepse ai mbase në rastin e Fierit e të bandës së Xhevdet Mustafës thjeshtë mund të ketë zbatuar urdhërat e Kadri Hazbiut.
Simon Stefani dhe Hekuran Isai, japin përgjigje disi të paqarta sa i takon vendimit për ta larguar nga detyra dhe hipotezave të hedhura nga Enver Hoxha. Procesverbali nuk e sqaron këtë stepje të dy titullarëve për të marrë masa ndaj këtij ushtaraku të dyshuar për spiunazh, por me shumë gjasë ata s’mund të ndërhyjnë për arsye zbulimi.
Hoxha pyet vazhdimisht për dyshimet që kanë ngritur ndaj mësuesit të frëngjishtes dhe ku bazohen për rastin e tij. Ai pyet se kur u shkollua ai në Francë, kur erdhi të punojë në Tiranë dhe kur e çuan në Berat. Edhe në këtë rast Hekuran Isai dhe Simon Stefani stepen të japin një përgjigje të saktë e preçize. Pjesa e zgjedhur e procesverbalit që sjellim sot mbyllet me dyshimet rreth dy inxhinierëve të Poliçanit, ndërsa do të vijojmë nesër me pjesën e fundit të kësaj historie të diskutuar mes Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Simon Stefanit e Hekuran Isait.
Shoku Ramiz Alia: Është e qartë ajo punë, kopertina mund të lërë përshtypjen e një libri të zakonshëm, kurse brenda nuk dihet çfarë ka.
Shoku Hekuran Isai: Pra të gjithë këta janë të lidhur me njëri-tjetrin. Njëri nga inxhinierët është shok i ngushtë i Muharremit, ata rrinë vazhdimisht bashkë.
Të gjitha këto janë me pikëpyetje. Dhe francezi pas këtij takimi që bëri në Berat; u largua nga vendi ynë. Pra në Berat “rastësisht” shkoi ky? Rastësisht i paska takuar të gjithë këta? Këtyre ne nuk mund t’u besojmë, prandaj e kritikuam degën. As këmbimi i librave nuk është diçka spontane, as kontakti i inxhinierëve të Poliçanit me francezin s’është spontan, as ardhja e francezit nga Jugosllavia në Shqipëri nuk është spontane. Të gjitha këto krijojnë pika dyshimi që ne po i shikojmë dhe po i verifikojmë, shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha: Po ç’e mbajmë atje ne këtë njeri?
Shoku Simon Stefani: Do ta heqim andej, shoku Enver.
Shoku Hekuran Isai: Ky duhet të hiqet se këtë e ka kërkuar edhe vetë, ne pastaj le të bëjmë punën tonë me të.
Shoku Enver Hoxha: Ti ke kërkuar edhe vetë largimin nga Berati, do t’i themi, kur t’i komunikojmë largimin, prandaj shko në Fier tani dhe me kaq mbaroi puna me të.
Shoku Hekuran Isai: Me këtë njeri ne do të bëjmë pastaj punën tonë si sigurim, do të vazhdojmë ta ndjekim.
Shoku Enver Hoxha: Vazhdoni ju punën tuaj, por ama ky ka qëndruar komandant divizioni deri tani.
Shoku Hekuran Isai: Jo, ky njeri është me shumë pikëpyetje, prandaj duhet hequr sa më parë, asnjë besim nuk mund të kemi ne tek ai.
Shoku Ramiz Alia: Edhe ardhja e francezit këtu, takimi që bëri ky me dy nga inxhinierët tanë, hiç fare nuk mund të jenë “rastësi”. Përse të vijë ai që nga Beogradi deri në Berat?
Shoku Simon Stefani: Unë pyeta për këtë takim kryetarin e Degës së punëve të brendshme të rrethit të Beratit.
Shoku Hekuran Isai: Kryetari i degës së këtij rrethi s’është thelluar hiç fare në këtë çështje.
Shoku Simon Stefani: S’është thelluar, “ishte rastësi”, na e shpjegoi ai këtë takim. Si ore qenka “rastësi”, e pyetëm ne. Dhe që nga të vjen ai.
Shoku Hekuran Isai: Në këtë ngjarje ka shumë gjëra të dyshimta. Sekretarin e parë të ambasadës franceze në Beograd e ftoi mik ambasadori francez në Tiranë dhe ky s’e priti. “Miku” këtej u nis për në Berat dhe thuhet me mendjelehtësi që kjo është koincidencë, atje takoi dy inxhinierë, këmbyen libra midis tyre, njëri prej tyre shërbeu edhe si përkthyes, pra të gjitha këto “rastësisht” u bënë? Ne nuk i besojmë asnjë nga këto “rastësi” që thotë ai.
Shoku Enver Hoxha: Po si nuk e priti ambasadori francez këtu, megjithëse e ftoi dhe për ç’arsye s’e priti?
Shoku Hekuran Isai: Ai e priti, por nuk e trajtoi si mik, që ta shoqëronte gjatë qëndrimit në Shqipëri, ta merrte të paktën për drekë etj. Se në qoftë se tjetrin e thërret për mik, mikpritësi është i detyruar të bëjë një përjashtim nga jeta e tij e përditshme, ta marrë mikun ta shoqërojë në disa vizita, kurse ai nuk e shoqëroi fare, asnjëherë.
Shoku Enver Hoxha: Nejse, xhanëm, është e qartë që ky njeri nuk ka ardhur për miqësi në Shqipëri.
Shoku Ramiz Alia: Ka ardhur për punë të tjera.
Shoku Enver Hoxha: Po përse të mos e bënte këtë punë me inxhinierët tanë sekretari i ambasadës franceze në Tiranë, po duhej të vinte për të siguruar këtë takim nga Beogradi një francez?
Shoku Hekuran Isai: Kur na i do puna, kështu veprojmë edhe ne ndonjëherë, shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha: Jo, çdo gjë mund të bëhet, po një pyetje si kjo i lind njeriut.
Shoku Hekuran Isai: Ndonjëherë edhe ne kështu bëjmë për të mos komprometuar ambasadën në vendin ku bëhet takimi. Kështu nga
Beogradi, fjala vjen, dërgojmë një funksionar të ambasadës sonë në Jugosllavi për të bërë një takim në Vjenë, ose prej këtu dërgojmë një njeriun tonë në Itali dhe punonjësit e ambasadës sonë në Romë i lëmë të qetë, me qëllim që takimin me një nga bashkëpunëtorët tanë atje ta bëjë ky që shkon apostafat nga Shqipëria.
Shoku Enver Hoxha: Bëhen këto, bëhen.
Shoku Hekuran Isai: Praktikohen të gjitha rrugët për të realizuar kontakte.
Shoku Enver Hoxha: Po, po, mirë. Çështja është këtu që Partia, dhe jo vetëm punonjësit e Sigurimit të Shtetit, duhet të jetë vazhdimisht e mobilizuar, por ky mobilizim nga ana e saj nuk duhet të bëhet në rrugën e sigurimit.
Shoku Simon Stefani: Jo në rrugë sigurimi, por në rrugë partie.
Shoku Enver Hoxha: Në rrugë partie do të thotë të bësh përpjekje për të zhdukur të metat që shfaqen, do të thotë t’i trajtosh drejt problemet, të aktivizosh gjallërisht punën politiko-ideologjike, që Partia të jetë vazhdimisht në këmbë për udhëheqjen e punonjësve. Se, po të jetë Partia në këmbë, i sinjalizon sigurimit dhe i thotë që për këtë njeri ka shumë pikëpyetje.
Këtë komandant divizioni për të cilin bëmë fjalë pak më parë Partia në Berat ia ka dhënë sigurimit apo sigurimi e ka zbuluar vetë atë si njeri të dyshimtë?
Shoku Simon Stefani: Këto që përmendi shoku Hekuran kanë ndodhur përpara, jo kohët e fundit.
Shoku Enver Hoxha: Këto kanë ndodhur përpara dakord, se për zhvendosjen e artilerisë nga zona e Apolonisë pati dhënë urdhër Kadri Hazbiu të hiqej. Ai, duke qenë në atë kohë ministër, kur i dha urdhër këtij komandanti mbi këtë bazë, ky e zbatoi urdhrin, e hoqi artilerinë andej dhe prapë e çoi në vend dhe në këtë lëvizje s’ka gjë kundër tij, po ta gjykosh kështu thjesht çështjen.
Shoku Simon Stefani: Po, e çoi pastaj përsëri në vend.
Shoku Ramiz Alia: Po me urdhër e hoqi dhe me urdhër e çoi përsëri atje ku ish caktuar.
Shoku Enver Hoxha: Me urdhër e hoqi, po ky komandant ushtarak ka dhe veprime të tjera të dyshimta.
Shoku Simon Stefani: Ky bashkëpunon ngushtë me të afërmin e këtij personi që dyshohet.
Shokët e Partisë ia kanë ngritur këtë afërsi, duke e pyetur: pse shoqërohesh ti me këtë njeri? Ç’të lidh me të? Ai ka dalë me arsyen që djali i vet qenka fejuar me motrën e tij, gjë që në fillim ne nuk e dinim, prandaj e pyetëm ç’të lidh ty me të, pse shoqërohesh me këtë njeri? Pse ky afrim kaq i ngushtë?
Shoku Enver Hoxha: Mirë kur vajti francezi në berat se kjo është tjetër punë, po ky afrim pse duhet t’ju binte juve në sy më përpara?
Shoku Simon Stefani: Edhe më përpara pati rënë shumë në sy afrimi i këtij personi me familjen e mësuesit.
Shoku Hekuran Isai: Më përpara nuk kishte arsye për dyshime.
Shoku Enver Hoxha: Nuk kemi ndonjë gjë me njëri-tjetrin, - thotë ai, - e kam kushëri, kam djalin tim fejuar me motrën e tij.
Shoku Hekuran Isai: Inxhinier në Poliçan e kemi ne këtë njeri?
Shoku Simon Stefani: Jo, ky është mësues në Berat.
Shoku Enver Hoxha: Po mirë, ky është mësues, pse do t’i pengojmë ne fejesat dhe vajtje-ardhjet ndërmjet njerëzve tanë? Kur erdhi francezi në Berat dhe u takua me këta, është tjetër punë pastaj.
Shoku Simon Stefani: Edhe më përpara nga organet e sigurimit të rrethit të Beratit ky djalë ndiqej si i dyshimtë.
Shoku Enver Hoxha: Atëherë pse u dërgua në Francë deri sa ishte i tillë?
Shoku Simon Stefani: Ka qenë dërguar më përpara në Francë, kur nuk dyshohej gjë për të, është kthyer andej ka kohë.
Shoku Enver Hoxha: Po kur ka qenë në Francë?
Shoku Simon Stefani: Ai ka pas studiuar atje dhe sa është kthyer andej, u çua në Berat si mësues, se dyshohej.
Shoku Enver Hoxha: Sa vjeç është ky person që ka studiuar në Francë? Në Francë ne kemi dërguar të rinj e të reja për të studiuar s’ka më tepër se dy a tre vjet.
Shoku Ramiz Alia: Tani vonë kemi dërguar ne të rinj e të reja atje për studime.
Shoku Hekuran Isai: Ky duhet të ketë studiuar gjuhën franceze për mësues atje dhe, me sa di unë, ky përpara ka qenë në Tiranë me punë, më duket, se dhe emrin e tij e kemi diskutuar një ditë. Ju kujtohet juve, shoku Ramiz?
Shoku Ramiz Alia: Nuk më kujtohet për këtë nga Berati se kush është.
Shoku Hekuran Isai: Si emër nuk e njoh edhe unë, nuk e kam parë ndonjëherë.
Shoku Simon Stefani: Këtej, nga Tirana, është larguar ai për në Berat.
Shoku Hekuran Isai: Nuk e kam mirë parasysh.
Shoku Enver Hoxha: Këtë ne duhet ta diskutojmë një çikë mbi metodat dhe punën që bëhet, nuk duhet të diskutojmë për individët.
Shoku Simon Stefani: Duhet të diskutojmë për punën e Partisë. Kështu është.
Shoku Enver Hoxha: Çështja është që, derisa nuk kam ndonjë dyshim për inxhinierin ose për mësuesin, s’kam pse të vazhdoj ta mbikëqyr, ose, në rast se kam dyshime për të, atëherë duhet të veproj.
Shoku Simon Stefani: Për ta hequr.
Shoku Enver Hoxha: Po ai mund të mos e dijë këtë pse e bëjmë ne.
Shoku Ramiz Alia: Partia në divizion nuk di as qëndrimin politik të mësuesit, as të këtij, komandantit të njësisë.
Shoku Enver Hoxha: Jo, nuk e di, ku ta dijë ajo?
Shoku Ramiz Alia: S’di gjë hiç Partia se ç’njeri është ai dhe nuk ka arsye t’i bëjë asnjë përshtypje, pse takohet komandanti me një mësues. Ku e njeh Partia se ç’njeri është ky?
Shoku Simon Stefani: Po organet e Sigurimit të ushtrisë dhe të terrenit, shoku Ramiz, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin?
Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk dinë gjë ata të ushtrisë për këtë njeri.
Shoku Simon Stefani: Bashkëpunojnë ata me njëri-tjetrin, si nuk bashkëpunojnë?
Shoku Ramiz Alia: Bashkëpunojnë, po mësuesin, për të cilin ka dyshime, e ndjekin organet e Sigurimit të terrenit.
Shoku Enver Hoxha: Mësuesin ne nuk e dinim ç’është. Përpara se francezi të binte në takim me të, dihej ç’njeri ishte mësuesi?
Shoku Ramiz Alia: Nuk e ndjek Sigurimi i ushtrisë atë.
Shoku Simon Stefani: Jo, atë e ndjek Sigurimi i terrenit.
Shoku Enver Hoxha: Po Sigurimi i terrenit e ndiqte atë përpara se të vinte në Berat francezi?
Shoku Simon Stefani: Ndiqej edhe më përpara ai si element i dyshimtë.
Shoku Enver Hoxha: Po pse?
Shoku Simon Stefani: Tani me hollësi unë nuk i di arsyet.
Shoku Enver Hoxha: Kjo është një kazo, po mund të ndiqesh ai si i dyshimtë përpara, në rast se ka pasur të dhëna të dyshimta për të. Në qoftë se nuk ka pasur të dhëna, pse të ndiqej?
Shoku Simon Stefani: Në qoftë se nuk vërtetohen ato, s’ka arsye të ndiqej.
Shoku Enver Hoxha: A, jo, në qoftë se nuk vërtetohen, po para se të vendoset për të ndjekur tjetrin; duhet gjykuar një çikë me objektivitet, se, duke u bazuar vetëm në një fjalë që thotë tjetri, nga mosthellimi, mund të bëhen shumë gjëra të këqija. Kështu mund të zbulohen veprime të këqija, po pa u mbështetur në të dhëna të vërtetuara, mund të bëhen edhe veprime të tjera të këqija pastaj. A, kur vjen çështja që ky njeri u poq me francezin dhe është krijuara situata që diskutuam, atëherë po, ky njeri duhet të futet në listë si i dyshimtë.
Shoku Simon Stefani: Po, se lidhen të tëra ato pastaj.
Shoku Enver Hoxha: Po, lidhen, po jo të lidhen përpara, pa pasur arsye, të lidhen pastaj, kur vë në dorë të dhëna të sigurta.
Shoku Ramiz Alia: Se inxhinierët, për shembull të Poliçanit, ne nuk i dimë ç’janë.
Dyshimet mbi këta dy inxhinierë dolën tamam pas takimit që bënë këta me francezin. Apo jo Hekuran?
Shoku Hekuran Isai: Po, pas takimit me francezin na lindën këto dyshime për ta....
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)