TIRANË- Si çdo të mërkurë, edhe sot, kryeministri Edi Rama, ka mbledhur në sallën e Hartave në Kryeministri koordinatorët e Bashkëqeverisjes ku ka zhvilluar një takim dhe ka prezantuar disa nga rastet e trajtuara nga platforma. Rama ka thënë se platforma është reale dhe se gjendet zgjidhje për ankesat e qytetarëve. Kryeministri tha se platforma Shqiperiaqeduam.al, ka zgjidhur mijëra raste për qytetarët në shumë qytete të vendit.
Tani, ajo që bën reforma në shërbim të shtetit, është pikërisht presioni që krijohet mbi administratën nga bashkëqeverisja. Me të ardhura të larta, pa të ardhura fare, duhen 3 minuta që të vihet në shërbim qeveria drejtpërdrejt. Një deputet nuk arrin dot që për 3 minuta t’a vendosë një ministër në shërbim të një çështjeje. Automatikisht pasi regjistrohet në platformë, koordinatorët që janë këtu, në çdo dikaster, vënë në lëvizje të gjithë mekanizmin. Në fund të çdo mbledhjeje qeverie, del gjithë lista e çështjeve të platformës me qytetarët. Është bashkëqeverisje reale. E keni dëgjuar shumë herë shprehjen “Më jep votën, të jap gjënë”. Sot, kjo gjë është realitet, jo vetëm kaq, por kjo duhet të ndikojë, që të pastrohet administrata.
Edi Rama, kryeministër
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim ditën e sotme me koordinatorët e bashkëqeverisjes dhe disa qytetarë të cilët kanë thënë se kanë gjetur zgjidhje pas shpalosjes së problemit tek platforma për bashkëqeverisjen.
Një nga pensionistët e pranishëm në këtë takim, tha se kishte problem me pensionin e tij. Mes batutave ai tha se ka gjetur zgjidhjen nga platforma, pasi i bëri telefonatë një grua. Ai i uroi kryeministrit urime dhe të shkonte sa më lart, por s’mungoi përgjigjia me humor edhe nga Rama.
Pensionisti: Kam dalë në pension me ligjin famëkeq të 2014-ës, e kërkoja në Berat, s’ma rregulluan as ajo qeveri dhe as kjo, bëra ankesën tek bashkëqeverisja. Më tha: Të marrin nga Tirana, një grua…Euuu thashë unë, ç’është kjo grua, pse gratë të marrin nga Tirana? U nisa dhe erdha dhe gjeta zgjidhje. Ty të faleminderit shumë e lart e më lart.
Edi Rama: Më lart se 198 centimetra s’kam ku të shkoj.
(Të qeshura nga të pranishmit)
Më tej, një tjetër pensionist, sërish kishte patur probleme me pensionin. Ai tha se ishte ankuar tek institucioni përkatës se pse merrte pension të pjesshëm dhe si përfundim, i është hequr pensioni pas ankesës. Ai ka thënë se gjeti zgjidhje pas denoncimit në platformë.
Pensionisti: Më vjen keq, s’kam komplekse fare, me këta që dalin e duartrokasin. Jam ndierë i fyer si qytetar, e kam mbyllur pensionin tek burgu i sigurisë së lartë. Thashë po bëj një letër ndaj shtetit. Kryeministër, është kënaqësi të të shohim kështu në këmbë se mund të të thoja ulu. Unë jam ankuar për pensionin, pse nuk e merrja të plotë, ata ma hoqën fare. Falenderoj stafin që më priti dhe më foli.
Edi Rama: Jam këtu në këmbë, po pres.