Përmes një postimi në twitter dje në mbrëmje, kryebashkiaku Erion Veliaj ka postuar foto nga puna e anëtarëve të rrjetit të vullnetarëve të Bashkisë së Tiranës, të cilët po ndihmojnë konkretisht familjet e prekura për kapërcimin e kësaj situate.
“Ndihma konkrete, jo sharjet, janë zgjidhja. Teksa kolegët e Bashkisë së Tiranës punojnë ende në fshatrat e largët për zhbllokimin nga dherat, super-vullnetarët tanë e ngrysën ditën duke përgatitur ushqime dhe veshje për ata që janë prekur nga reshjet! FORCA”, shkruan Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë duke u ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet. Për të dytën ditë rresht, gjatë gjithë natës, ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe janë vendosur në terren, në shërbim të qytetarëve në të gjitha njësitë administrative.
Mjetet e rënda kanë shkuar në zonat rurale për të mundësuar lirimin e rrugëve si pasojë e rrëshqitjes së dherave.
d.c./shqiptarja.com










