Ministrja Klodiana Spahiu pranon haptazi se në spitale ka mungesë të barnave dhe pajisjeve, ndërsa sheh si zgjidhje konkrete financimin e tyre të plotë nga shteti.

Në “Studio Live” në Report Tv, ajo thotë se është përgjegjësi e shtetit për të garantuar që mos të ketë mungesa. Qeveria do të garantojë lidhjen dhe blerjen e barnave dhe produkteve mjekësore drejt e nga kompania mëmë.

“E gjithë problematika që ju keni evidentuar dhe që unë po e provoj tani në këta pak muaj si ministre e Shëndetësisë, të gjitha mungesat në barna, ku sot, për shembull, kolegët tuaj dalin dhe thonë mungon ky bar, mungon kjo pajisje mjekësore, na mungon kjo pajisja tjetër, na mungon ky furnizim, po, janë të vërteta. Dhe e vetmja zgjidhje, të jeni të sigurt, e vetmja zgjidhje do të jetë vetëm atëherë kur garancinë për ta furnizuar sektorin publik, jo sektorin privat, sektorin publik, e merr shteti. Në momentin që mua sot më mungon një medikament me të cilin unë kam lidhur kontratë, e kam kontratën efektive dhe më mungon medikamenti X në onkologji, ose më mungojnë sot shumë nga pajisjet që ju i keni përmendur, do të jetë përgjegjësi e shtetit dhe e kësaj shoqërie për t'u dalë garant që në sistemin shëndetësor publik të mos ketë asnjë mungesë.

Kjo shoqëri, e cila patjetër fillimisht do të ketë një buxhet të caktuar, të cilin do t'ia japë shteti, do të mundohet patjetër që të ardhurat që do të krijojë shoqëria t'i riinvestojë përsëri vetëm te shoqëria, për të mundur që jo vetëm të forcohet vetë. Ky model që ne po ju paraqesim nuk është një model që e shpikëm ne apo e shpiku grupi i punës ku jam unë. Nuk është një model vetëm shqiptar. E kanë vende shumë të përparuara, siç mund të jetë Danimarka, Portugalia, e ka pjesërisht Greqia, por edhe plot vende të tjera, të cilat e kanë sistemin shëndetësor dhe ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve shumë më të mirë se ne.

Kemi shumë raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilat besoj që na kanë shërbyer gjithmonë si udhërrëfyese në rekomandime dhe në sugjerime për të reflektuar ndaj mungesave që mund të ketë sistemi shëndetësor. Kemi shumë sugjerime që na janë bërë nga ju, nga kolegët tuaj, të cilat fokusohen kryesisht te mungesat që kemi në sistemin shëndetësor

Unë dua sot që medikamenti të jetë në QSUT. Dua dhe që pajisja të jetë në QSUT. Por, siç jua përmenda, që të jetë medikamenti ka një lidhje kontrate me një kompani që e sjell dhe kompania thotë: Unë nuk ta sjell dot, sepse nuk furnizohem dot nga kompania mëmë që e prodhon. Unë po ju them se, nëpërmjet kësaj shoqërie, do të jetë shteti garant i lidhjes dhe i blerjes së këtij medikamenti direkt te kompania mëmë dhe nuk do të ketë më mungesa në tregun e shëndetësisë shqiptare në lidhje me furnizimin me medikamente dhe me produkte mjekësore”, tha Spahiu.


Lajmi kryesor:

250 milionë lekë të reja për PET Scan-in, ministrja Spahiu: Aparatura është paguar pjesërisht, instalimi kërkon rregulla strikte