TIRANE - Prej ditës së sotme ka nisur vaksinimi i kafshëve të rrugës në Tiranë në një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe organizatës ndërkombëtare “Four Paws”. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi tha se kjo është një zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme që mban nën kontroll shtimin dhe shëndetin e kafshëve, duke garantuar fillimisht shëndetin e banorëve të kryeqytetit.

Përfaqësuesja e organizatës “Four Paws”, znj. Anka Tomensku theksoi se është mjaft i rëndësishëm procesi i vaksinimit t maceve dhe qenve të rrugës. Kjo organizatë është kontaktuar nga Bashkia e Tiranës dhe nga sot deri në 20 shkurt do të vaksinohen të gjitha kafshët e rrugës, por përfaqësuesja e organizatës theksoi se do të rikthehen në rast se do të shihet e nevojshme.

Ndërkohë administratori i Spitalit të Kafshëve në Kombinat, Eshtem Graci tha se është kënaqësi pjesëmarrja në këtë projekt për të ndihmuar sadopak kafshët e rrugës në kryeqytet, për të mbajtur nën kontroll si shëndetin e tyre, ashtu edhe shtimin e tyre që është bërë një problem. “Kafshët do kontrollohen, vaksinohen, për të mos qenë të dëmshme për njerëzit. Jemi të gatshëm, për të ndihmuar në vazhdimësi, në bashkëpunim me Bashkinë, për të zgjidhur këtë problem shumë shqetësues”,- përfundoi Graci.
 
Më poshtë deklarata e plotë e Bashkisë Tiranë për vaksinimin e kafshëve të rrugës

Bashkia e Tiranës është e vendosur për t’u kujdesur për shëndetin e banorëve të saj dhe për t’i dhënë zgjidhje një prej problemeve më të ndjeshme të saj, atë të vaksinimit dhe sterilizimit të kafshëve të rrugëve. 

Kjo gjë nuk kërkon vetëm aftësi, por njëkohësisht është detyrë  shumë specifike, nuk kërkon vetëm kompetenca profesionalë, të cilat nuk besoj se mungojnë, por kërkon njëkohësisht edhe përkushtim ndaj profesionit, kërkon njëkohësisht edhe shumë dashuri për kafshët.  Ne i kemi të identifikuar kafshët e rrugës sepse Bashkia e Tiranës ka qenë në terren gjatë gjithë kohës dhe i kemi të gjitha zonat e identifikuara se ku është fluksi më i madh.

Përgjithësisht është në zonat që ka hapësirat më të mëdha, por njëkohësisht edhe në zonat ku sigurohet ushqim për ta. Qendrat spitalore është një nga ato zona, dhe qendrat më të identifikuara me intensitet më të madh do të jenë fokusi i këtij projekti në 15 ditët në vijim. 15 ditë është faza e parë, por duhet të jetë një projekt që duhet të zgjasë në kohë, të jetë një proces i vazhdueshëm, duhet të jetë konstant dhe i qëndrueshëm, sepse vetëm kështu mund të arrijmë ta mbajmë nën kontroll situatën.
Kjo nuk është një situatë që zgjidhet brenda ditës, as brenda vitit, prandaj është një thirrje për të bashkëpunuar për të gjithë, organizatat e shoqërisë civile, qytetarët që i duan dhe i adhurojnë kafshët, dhe të gjithë ata që e ndjejnë të jenë pjesë aktive e këtij qyteti.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)