Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit, do të kërkojë të Hënën një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për shkeljet dhe korrupsionin 20 vjeçar të Armand Dukës në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Burime nga Bashkia e Tiranës konfirmojnë se, prej dy javësh, një skuadër juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë po asistojnë aksionerin e Tiranës në një dosje voluminoze shkeljesh, për t’ia prezantuar FBI, DEA, NCA, Scotland Yard, SPAK, Prokurorisë së Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, AMA, Hetimit Tatimor, AKU, si dhe ambasadave Amerikane e Britanike në Tiranë.

Çështjet e shitjeve ndërkombëtare të ndeshjeve dhe basteve të paracaktuara do t’i paraqiten oficerëve rajonalë të FBI. Kujtojmë se agjentët amerikanë çuan në rrëzimin e Blatter e Platini - miqtë “e pathyeshëm të Dukës”, që mbyllën me dënime penale karrierat e tyre!

Sipas burimeve, agjentet e DEA me qendër rajonale në Athinë - agjencia amerikane e antidrogës - do të prezantohen me të gjitha provat e parave të pista në sport, me dijeni e mbështetje të Armand Dukës me elementë të botës së krimit në Shijak e vende të tjera të Europës e Amerikës Latine.

Nuk mbetet pas dosja britanike, për të dhëna të burimeve dhe shpenzimeve të pajustifikuara të familjes Duka në blerje pronash, makinash luksoze e asetesh në shifra të jashtëzakonshme. Scotland Yard dhe NCA, që gjurmon posaçërisht pastrimin e parave nga subjektet e huaja në Britaninë e Madhe, do të kenë të hënën prova të pakundërshtueshme sipas aksionerëve të Tiranës.

Ndërkohë, me shkresën me nr. 23859 prot. më datë 26.11.2021, është referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Tiranë materiali procedurial për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i k. Penal në ngarkim të drejtuesve e punonjësve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në lidhje me këtë çështje është dërguar material shtesë me shkresën 23859/k/1, prot më datë 03.12.2021. Gjithashtu, me shkresën 23859/k/2 prot. më datë 16.12. 2021, është dërguar sërish material shtesë. Burime të prokurorisë së Tiranës konfirmojnë se çështjes do t’i shtohen dhe dy prokurorë të tjerë për të përshpejtuar hetimin.

Një sërë veprash të tjera për të drejtat e transmetimit, pastrimin e parave, apo kontratat e paligjshme në konflikt interesi të marketingut në futboll të kompanive të Dukës si AIBA, SuperSport, EcoMarket, GoTech, Kantina Duka, do t’i paraqiten për evazion fiskal agjencive shqiptare të Pastrimit të Parave, Krimit Ekonomik dhe Hetimit Tatimor! Duke qenë se aksionet janë të përbashkëta mes Armando Dukës dhe vëllait deputet Agron Duka, dosja voluminoze do t’i paraqitet edhe SPAK dhe ILDKP, si institucione që ndjekin posaçërisht politikanët e përfshirë në aktivitet kriminal.

Burime të Bashkisë së Tiranës, pohojnë se kanë përfshirë dhe konsulentë të huaj të medias për të ndërkombëtarizuar shkeljet e Dukës në abuzimet me Fondet e Solidaritetit të dhëna nga FIFA e UEFA, që nuk kanë shkuar për shoqatat e fëmijëve, por janë devijuar për zyrat e reja të Dukës. FIFA është akuzuar prej kohësh për mungesë kontrolli me abuzimet e federatave lokale me drejtues si Duka, dhe mesa duket një valë e re mediatike për këto shpërdorime ndërkombëtare po bëhet e pashmangshme.

Bashkia e Tiranës, si aksioner i FK Tiranës, do t’i përcjellë dosjen e plotë edhe Ambasadave Amerikane e Britanike në Shqipëri, për të kërkuar revokimin e vizave të familjes Duka, si minues përsëritës së demokracisë në futbollin shqiptar dhe të dyshuar në një sërë veprash penale!

Kjo është hera e parë që ka një mobilizim të tillë të institucioneve ndërkombëtare për të hetuar Armando Dukën dhe abuzimet në FSHF. Javën e kaluar u ndalua nga policia delegati i tij, Fundim Dollaku, për falsifikim të firmës së Kryetarit të Bashkisë së Shijakut, që të votonte paligjshmërisht Dukën.

Beteja Veliaj-Duka pritet të ashpërsohet javën që vjen me zgjedhjet për Shoqatën e Tiranës, ku Duka kërkon mandatin e 6-të pas 20 vitesh në krye të FSHF që nga viti 2002!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:50
Edhe pas skandaleve Armand Duka s'lëshon FSHF, Braçe: Arsyet pse nuk duhet t'i japim mandatin e 6-të! Ka shuar historinë e futbollit

Ndërsa Armando Duka kërkon një mandat të 6-të në krye të FSHF, në një kohë kur çdo ditë po zbardhen skandalet e saj me fondet, Erion Braçe u bën thirrje të gjithë kryetrarëve të bashkive që t'i japin Dukën fundin e merituar. Teksa i rreshton të gjitha humbjet që ka bërë në këto 20 vite me futbollin në Shqipëri, Braçe shkruan se falë duket është shuajtur një histori e tërë e futbollit dhe se koha e tij duhet të marrë fund. Braçe shkruan se nuk duhen dhënë më para për futbollin e Armando Dukës, por duhet të mendojnë për futbollin e fëmijëve të tyre.

"Armando Duka po kërkon një mandat të gjashtë! Ka shuar futbollin nga gjysma e Shqipërisë dhe ende kërkon të qëndrojë! Një superligë e vogël, ka përjashtuar gjysmën e Shqipërisë nga futbolli si vullnet i tij, kështu e kontrollon, paravendos, fikson. Kush fiton kampionatin, kupën, kap Evropën, pra merr paratë e futbollit-të gjitha paratë e tij e në funksion të kësaj, kush bie nga Superliga, kategoria e kush shuhet fare e vendos ai!

-Ka shuar futbollin në Lushnjën e Roza Haxhiut e gjithë Haxhilerëve që i dhanë tonin futbollit aty

-Ka shuar futbollin në Fierin e Loni Papuciut e Majacit të madh

-Ka shuar futbollin në Beratin e Arbërve, të gjithë Arbërve që bënë golat e kampionatëve në vite

-Ka shuar futbollin në Gjirokastrën e Sefedin Brahos së madh e Lefter Millos së pavdekshëm, një listë të gjatë gjirokastritesh që bën kombëtaren e Shqipërisë,

-Ka shuar futbollin në Vlorën magjike të Mexhit Haxhiut, Bejkush Birces, Flamurtarit të madh të Beogradit e Barcelonës së Kushtës e Rucit.

Është një histori e tërë e futbollit të Shqipërisë që është shuar prej tij!

E shihni çka bërë apo jo?

Është një pyetje që ja drejtoj çdo qytetari që rron me pasionin e futbollit. Është një pyetje që ja drejtoj kryetareve të bashkive të këtyre qytetarëve, gjysmës së Shqipërisë, të cilët po me thonë, qenkan përfshirë në garë për të rizgjedhur Armando Dukën! Kam një pyetje për ta, jo si deputet, asfare si i tillë, por si një njeri që çmendet pas futbollit

E dini se çfarë po bëni apo jo? Keni paguar miliona euro në 20 vite për futbollin e Armando Dukës, jo për futbollin e fëmijëve por për futbollin e Armando Dukës dhe keni marrë pas shuarjen e futbollit në qytetet tuaja! A e kuptoni sa në borxh jeni me qytetaret tuaj për t'i shkuar pas futbollit të Armando Dukës? Booooll! Ndaluni këtu! Nuk ka më para për futbollin e Armando Dukës! Ka para për futbollin e fëmijëve! Ndaj ndahuni me Armando Dukën, nuk ka më mandat për të!", shkruan Braçe.

Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit, do të kërkojë të hënën një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për shkeljet dhe korrupsionin 20 vjeçar të Armand Dukës në Federatën Shqiptare të Futbollit, duke përgatitur një dosje voluminoze për t’ia prezantuar FBI, DEA, NCA, Scotland Yard, SPAK, Prokurorisë së Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, AMA, Hetimit Tatimor, AKU, si dhe ambasadave Amerikane e Britanike në Tiranë. FSHF për lajmin e hetimit ndërkombëtar ka reaguar duke thënë se është një presion i bashkisë Tiranë në lidhje me zgjedhjet që do të kryhen nesër për shoqatën rajonale të Tiranës.

Beteja Veliaj-Duka pritet të ashpërsohet javën që vjen me zgjedhjet për Shoqatën e Tiranës, ku Duka kërkon mandatin e 6-të pas 20 vitesh në krye të FSHF që nga viti 2002!