“Fillo me një ide - Fito një internship” është projekti i Bashkisë së Tiranës, që fton të rinjtë në fillim të karrierës së tyre profesionale, të grupmoshës deri në 28 vjeç, të fitojnë mundësinë e një praktike të paguar në institucion, përmes aplikimit për një koncept për projekt ose studim. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nënvizoi se kjo është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë, që kanë ide të reja, për të bërë punë të mira për veten dhe për qytetin.
“Nëse çdo ditë e trajtoni si 1% të projektit tuaj, të ëndrrës suaj, të idesë suaj, atëherë çdo ditë ka rëndësi, se është 1% e asaj ideje, e asaj ëndrre, e atij projekti. Çdo problem që mund t’ju dalë, mund të jetë edhe një mundësi shumë e madhe. Por, nëse e shikoni si problem, edhe kjo ju thyen, aty mbaron loja. Nëse e shikoni si mundësi, kjo ju bën vërtet lider sot. Unë jam duke kërkuar për çuna dhe goca që duan t’i bashkohen skuadrës sonë sepse do të vijë koha kur i kalojmë stafetën një brezi tjetër. Ndaj, do të doja shumë që nga kjo skuadër të kishim drejtorët e ardhshëm, drejtuesit e projekteve të agjencive tona, dhe sot po e nisim me një ide modeste, si një test për të kuptuar karakterin, forcën, zgjuarsinë dhe dëshirën për të bërë ca punë të mira për qytetin tonë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se vendin e ndryshojnë njerëzit që kanë ide dhe mendojnë për të çuar vendin përpara, dhe jo “kori i sharësve”, që bëjnë analiza nga divani.
“Vendin nuk e ndryshojnë njerëzit që bëjnë analiza nga divani dhe Facebook, apo komentatorët që shajnë kryesisht punën e të tjerëve. Nuk i ndryshon gjërat ‘kori i sharësve’, por kori i njerëzve që duan të bëjnë gjëra. Kush ka qenë pjesë e historive të viteve të fundit në Tiranë, e di që debati për Teatrin e Ri kapërceu nivelin e histerisë, u bë pjesë e fushatës, vazhdon të jetë pjesë e politikës, e djegies së gomave dhe molotovit javor te bashkia, por tani që kemi hapur themelet e teatrit, kur ti shikon që është një hapësirë e madhe, - do të jetë padyshim teatri më i madh në Ballkan - ti kupton se në 3 muaj punë kemi bërë më shumë se në 30 vite sherr”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Më tej, ai shtoi se shumë punonjës të Bashkisë së Tiranës, madje disa prej tyre edhe në pozicione drejtuese, e kanë nisur me prezantimin e një ideje, nga një internship. Ai inkurajoi të rinjtë të aplikojnë sa më shumë në këto programe.
“Fakti që e keni kaluar këtë fazë, keni aplikuar, pra keni hedhur diçka në letër, ju bën krejt ndryshe nga pjesa e llafologëve, që nuk kanë ndonjë kontribut për shoqërinë, përveçse të kritikojnë punën që bëni ju”, përfundoi Veliaj.
Projekti “Fillo me një ide - Fito një Internship” tashmë është në vitin e 6-të, dhe për këtë vit ofron mundësinë që, nëpërmjet një praktike 3 mujore pune, të rinjtë të kenë mundësinë të shprehin idetë e tyre krijuese dhe inovative.
Lajmi kryesor: