TIRANË- Në një reagim të dytë, Bashkia e Tiranës i ka cilësuar “thjesht justifikime dhe gënjeshtra” akuzat e Ministrisë së Brendshme, sipas së cilës bashkia nuk kishte plotësuar dokumentet për shpronësimin e truallit të varrezës së Sharrës dhe të Tufinës. Edhe një herë, thuhet në njoftimin e bashkisë, qeveria  tregon “papërgjegjshmërinë dhe tendencën për bllokim po e vuajnë qytetarët e Tiranës.”
 
“Që nga shtatori deri në dhjetor”, pretendon Bashkia “Ministria e Brendshme heshti ndaj kërkesave të vazhdueshme zyrtare dhe mediatike të Bashkisë Tiranë. Në dhjetor, letra e Ministrisë nuk ishte gjë tjetër veçse dëshmi e paaftësisë dhe panjohurisë së tyre për procesin.”

Sipas njoftimit të Bashkimit të Tiranës, kërkesat e Ministrisë së Brendshme për plotësimin e dokumentacionit për shpronësimin ishin jo ligjore dhe absurde, “pasi e kuptuan se kërkesat e tyre ishin absurde, u tërhoqën nga kërkesat dhe na kërkuan të procedojmë. Sërish korrigjuam paaftësinë dhe paditurinë e tyre duke u kujtuar procedurat ligjore që duhet të ndiqnin.

Sot në mesditë, pas mbylljes së varrezës së Sharrës muaj më parë, u mbyll edhe varreza e Tufinës, pasi nuk kishte më hapësirë për varre të reja. Për këtë Bashka e Tiranës akuzoi qeverinë se nuk u përgjigjet kërkesave të vazhdueshme të bashkisë për shpronësimin e truallit.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)