Bashkim Kuçuku: Identiteti i
shqiptarëve në debatin Qose-Kadare

Bashkim Kuçuku: Identiteti i<br />shqiptarëve në debatin Qose-Kadare
TIRANE - Seminari për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare këto ditë në Prishtinë ka trajtuar temën e identitetit të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Profesor Bashkim Kuçuku, pasi iu është referuar veprave të Rexhep Qoses, Ismail Kadaresë dhe Fehmi Aganit ka shprehur këndvështrimin e tij në përcaktimin e identitetit të shqiptarëve, duke akuzuar qeverinë shqiptare “se nuk ka bërë asnjë përpjekje për ruajtjen e identitetit të qytetarëve shqiptarë kudo që janë”.

“Dinamika bashkëkohore e identitetit shqiptar” ka qenë tema e mbajtur nga profesor Bashkim Kuçuku në kuadër të Seminarit për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në ligjëratën e tij për këtë seminar. Profesor Kuçuku ka përmendur edhe disa nga veprat që kanë trajtuar çështjen e identitetit shqiptar, si ajo Ismail Kadaresë, “Identiteti evropian i shqiptarëve” , Rexhep Qoses “Ideologjia e shpërbërjes”, Fehmi Agani “Demokracia, kombi, vetëvendosja”.

Në intervistën e dhënë për Shqiptarja.com, profesor Kuçuku shprehet se “ligjërata ime në seminarin e Prishtinës është përqendruar te disa probleme shumë aktuale te rreziqet e zhbërjes së identitetit shqiptar në rrethanat e sotme. Kuçuku thekson se disa nga këto rreziqe vijnë nga integrimi dhe nga copëzimi politik brenda vendit, që sipas tij lidhen me integrimin e shqiptarëve në BE, me mundësitë e tyre të punësimit dhe të jetesës në hapësira të tjera.
 
Profesor Kuçuku, duke trajtuar çështjen e identitetit në seminarin e Prishtinës, mësuam se keni përfshirë tre autorë shqiptarë; Qose-Kadare-Agani, të cilët në të vërtetë kanë një përplasje të fortë të ideve ndërmjet tyre përsa i përket identitetit të shqiptarëve. Si i keni trajtuar konceptet e tyre?
-Unë nuk kam qëndruar shumë tek këta autorë, por autorët që ju përmendët kanë këndvështrime të ndryshme. Kadare vë theksin tek identiteti europian, që e motivon nga historia e vjetër e lidhjeve të Shqipërisë me Europën, nga lidhjet gjeografike dhe ato më të hershmet, më të lashtat kulturore dhe trashëgimore, ndërsa Rexhep Qosja e sheh identitetin e shqiptarëve të ndikuar nga pushtimi turk 500-vjeçar. Por unë nuk jam marrë shumë me thelbin e diskutimit të tyre në këta libra. Më shumë jam marrë me dinamikën, me pluset dhe minuset që krijon përpjekja për integrimin në Europë, për ruajtjen e identitetit shqiptar. Unë trajtova pikërisht temën e identitetit, jo vetëm se kam pasur një studim për të, por edhe për faktin se tema  e seminarit kishte temën e identitetit të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ndërkohë kam theksuar se politika shqiptare nuk bënë asgjë për mbrojtjen e qytetarëve civilë të saj. Të gjitha vendet e botës kanë interesa për të emigruarit e tyre dhe krijojnë politika për rruajtjen e  identitetit, ndërsa me emigrantët tanë ndodh fenomeni si me shqiptarët në Greqi, që bëhet fillimisht tjetërsimi formal, duke e ndryshuar identitetin nga grekë në shqiptarë përmes pasaportave, dhe pastaj me kalimin e viteve humbet identiteti shqiptar.

Pse e trajtuat pikërisht në këtë seminar temën e identitetit?
-Unë trajtova temën e identitetit se është një nga problemet e rëndësishme që shpreh një parim parësor të politikës europiane. Problemi i identitetit te shqiptarët është një problem historik, që sjell një problem tjetër, si do të bëhet ruajta e kombeve në fazën e BE-së. Këtu lind problemi, a do të ketë bashkëjetesë të identiteteve, sepse këtu është problemi i rrezikut a do të tjetërsohen popujt e vegjël. Dhe në këtë kontekst problemi më i madh janë shqiptarët, të cilët janë të shpërndarë në 6 shtete. Gjithashtu, nga ana tjetër emigracioni është një problem më vete, do ta ruajnë apo do humbasin identitetin shqiptarët që janë në Itali, në Greqi, në Gjermani, në Danimarkë, etj. Në Greqi problemi i identitetit të shqiptarëve është më i mprehtë, sepse shumë shqiptarë pajisen me pasaporta greke për arsye të përshtatjes me psikologjinë vendase, të cilët për t’u ndjerë të pranuar, për të mbijetuar ndërrojnë identitetin dhe shteti nuk bënë asgjë për të ndihmuar ruajtjen e këtij identiteti të qytetarëve civilë të tij.

Është fakt që fare lehtë shumë shqiptarë shkojnë në zyrat civile të shtetit, ndërrojnë pasaportat dhe thonë që jam grek dhe ata ngelen grekë. Cili është në të vërtetë identiteti i tyre. Kjo që po bëjnë është një fazë paraprake e ndërrimit të identitetit, për të cilën shteti shqiptar nuk tregon asnjë interes dhe nuk merr masa kur këto pasaporta shkelin parimet ligjore të përcaktimit të identitetit dhe lëshohen nga zyrtarët e tij, në mënyrë të paligjshme. Shteti shqiptar sot përballë rrezikimit të identitetit të qytetarëve të tij, nuk ka asnjë lloj strategjie. Pra, qeveritarët tanë nuk ndjekin asnjë politikë, asnjë strategji, as të thjeshtë, as të ndërlikuar. Deri më sot shqiptarët e Republikës së Shqipërisë nuk kanë qenë asnjëherë të mbrojtur nga shteti shqiptar, të paktën me deklarata zyrtare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'