Bashkim Kuçuku: Kadare nuk 
përfshihet në Realizmin Socialist

Bashkim Kuçuku: Kadare nuk <br />përfshihet në Realizmin Socialist
TIRANE- Për disa dekada nën sundimin totalitar komunist me histori të letërsisë shqipe është kuptuar një hapësirë e ngushtë studimi, e cila vinte fort theksin te Letërsia e Realizmit Socialist dhe përciptazi hidhej vështrimin te nënndarje të tjera si letërsia e paraçlirimit, rilindjes, etj. Prej 20 vjetësh ende nuk është rikonceptuar Historia e Letërsisë Shqipe. Lidhur me këtë çështje, dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, një kumtesë e studiueses së letërsisë Floresha Dado ka provokuar diskutimin “a është e nevojshme një histori letërsie”. Kumtesa e Floresha Dados paraqiste problemin se shkencën e letërsisë e ka shoqëruar përherë kjo dilemë. Studiuesja Dado ka shprehur edhe disa nga këndvështrimet e saj rreth përcaktimit të raportit midis historiografisë letrare dhe meta-ligjërimeve të tjera, realitetin historik dhe të kuptuarin letrar të historisë, si dhe problemet e metodologjisë dhe metodave të studimit.

Gjatë debatit për këto çështje, studiuesi Bashkim Kuçuku ka qenë i mendimit se duhet të ketë histori të letërsisë. “Ana praktike ka provuar se ka histori letërsie”, tha Kuçuku ndër të tjera, duke shtuar se “Historia e letërsisë është histori e identitetit të letërsisë së një vendi”. Kuçuku ka qenë i mendimit se mungesa pas 20 vjetësh e historisë së letërsisë vjen nga mungesa e përpjekjeve konkrete. “Mungon mendësia e studimit”, tha Kuçuku duke shtuar se një histori letërsie nuk duhet të jetë as e politizuar as e ideologjizuar. Sipas Kuçukut procesi i ndërtimit të një historie të letërsisë nis nga një ngasje që duhet të jetë zbuluese dhe rindërtuese. Debatet kanë vijuar edhe nga studiuesit Shaban Sinani, Dhurata Shehri, Behar Gjoka e të tjerë, të cilët sollën argumentet se hartimi i një historie të Letërsisë duhet paraprirë nga zhvillimi i mendimit dhe studimeve letrare.

Po cilat janë disa nga pengesat dhe ngërçet që nuk mundësojnë hartimin historisë së letërsisë, kur as letërsia e re, as studimet dhe mendimet letrare bashkëkohore nuk mungojnë. Për këto e të tjera flet në intervistën për “Shqiptarja.com” studiuesi Bashkim Kuçuku, duke iu referuar shembullit të krijimtarisë së Ismail Kadaresë, si dhe vendit që duhet të zërë vepra e tij në historinë e letërsisë.
 
Profesor, tashmë dihet që një histori letërsie është e nevojshme, por cilat janë arsyet që ngjallet një debat i ekzistencës për Historinë e Letërsisë?
-Ka qenë dhe vazhdon të jetë një debat teorik i përgjithshëm. Lidhet me teorinë e përgjithshme të historiografisë, ku shprehet ndër të tjera edhe mendimi se nuk është e nevojshme të ketë histori të letërsisë. Kjo është pjesë e dijes. Çdo tezë ka kundërtezën e vet dhe është normale të diskutohet. Në fushën e praktikës së historiografisë së letërsive të gjuhëve të ndryshme të Europës nuk njoh ndonjë rast që jo vetëm në bashkëkohësi, por edhe në shekujt e mëparshëm, që të mos ketë histori letërsie. Dhe aty në ligjëratë unë thashë se unë nuk njoh asnjë letërsisë të gjuhëve të Europës që të mos ta ketë historinë e letërsisë së vet të shkruar.

Përkundrazi që kur ka lindur letërsia, që në lashtësi, në format elementare edhe teoria edhe historia e letërsisë është shfaqur. Aristoteli ka shkruar për paraardhësit për veprat e tyre dhe ka dhënë disa konsiderata, qoftë edhe të karakterit kohor. Këtu kritika është bashkë me historinë e letërsisë. Nuk po themi në vendet e qytetëruara të Europës. Ajo dhe kritika pak nga pak mund të katalogizohet, të ketë tekste, manuale, biografi dhe historikisht ka nëntë shekuj që historia e letërsisë është shkruar në trajtat të ndryshme deri në kohët moderne. Çdo popull ka historinë e vet të letërsisë, siç ka edhe identitetin e vet, e letërsia është pjesë e atij identiteti. Mungesa e një historie letërsie të shpie në humbjen e identitetit të letërsisë, sepse historia e letërsisë e konservon krijimtarinë. Ne nuk mund të themi saktë sesi duhet të jetë, por si fakt ajo e regjistron në kohë, sepse çdo brez krijon marrëdhëniet e veta me të, krijon edhe histori letërsie.
 
Le ta supozojmë se kjo histori letërsie e re që pretendohet të bëhet është spastruar nga ideologjia e së kaluarës ku bëheshin ndarjet shkrimtarë reaksionare ose jo  reaksionare,etj. Po sot çfarë problemesh aktuale ka historia e letërsisë?
-Nuk mund të shfaqen sot këto prirje, të shkualifikohen dhe kualifikohen për arsye politike, sepse kjo nuk është natyrën e shkencës. Në atë kohë është bërë për shkak të censurës ideologjike. Ka qenë një deformim i shkencës dhe historisë së letërsisë. Shkenca kërkon vlerat letrare në radhë të parë. Ajo që ka ndodhur nuk mund të ndodh më. Jam i prirur të theksojë se historitë e letërsisë nuk mund të jenë perfekte, nuk mund të jenë të përsosura për shkak të problematikave, vështirësive, qoftë edhe të ngarkesave, sociale, psikologjike që janë trashëguar, por edhe mbartur në këto 20 vjet.

Por besoj se do largohen nga paragjykimet për t’ia lënë vendin letërsisë. Historia e letërsisë është rizbulim i vlerave, që është rindërtim i ndërtesës së vlerave, është një qilim i madh; jo të mohosh detyrat e historianit të letërsisë, por t’i rrëmosh, t’i argumentosh vlerat. Nuk kanë rëndësi as emrat, as veprat, por vlerat që t’i rindërtojmë, të krijojnë një histori që t’i japin mundësi studiuesit ose qytetarit si e si ta lexoj këtë pasuri emocionale që është një pasuri shpirtërore kulturore e shqiptarëve.
 
Prej vitesh janë ngjallur debate të ashpra mbi hierarkinë e vlerave të autorëve, ku Ismail Kadareja, duket se është më i sulmuari mediatikisht, edhe pse  konsiderohet një shkrimtar i madh në historinë e letërsisë. Pse ndodh kjo me një autor si Kadareja. Cili do të jetë vendi i tij në Historinë e Letërsisë?
-Do të thosha që ka një ndryshim të madh midis qëndrimit institucional dhe akademik, sikurse janë profesorët dhe departamentet e letërsisë dhe universitetet shqiptare brenda dhe jashtë kufijve shtetëror për Kadarenë. Ky është një mendim i konsoliduar, i shkruar, i qëndrueshëm, i dokumentuar që: Kadareja ka krijuar një nga vlerat më të mëdha të letërsisë shqipe. Ndryshe nga kjo mediat, por edhe forume të ndryshme kanë një qëndrim të kundërt, por më shpesh të keqpërdorur. Domethënë nuk ka argumente letrare. Ata që shkruajnë përgjithësisht janë njerëz jo të specializuar.

Natyrisht çdo qytetar ka të drejtë të jap mendimin  tij në media, por ky është një mendim i një qytetari dhe nuk është një mendim i specialistit. Natyrisht ka media që e bëjnë këtë si pjesë të publicitetit të tyre, duke dhënë mendime ndryshe, qoftë për ata që e kritikojnë, qoftë për ata që e lavdërojnë, por nuk është brenda standardeve të vlerësimit profesional. Por ka si të thuash edhe arsye, paragjykime të ndryshme, që aty përzien, por unë nuk i ndjek. Por do të thosha (se për këtë fare mirë mund të bëj një shkrim), patologjia “kundër-Kadare”, është një patologji e njerëzve inferiorë në fushën e kulturës ose gazetarisë që kanë vullnete të ndryshme, pakënaqësi të ndryshme dhe gjejnë një rast për të mohuar vlerat. Unë nuk e shikoj Kadarenë si individ asnjëherë, vetëm në pikëpamjen e fushës si profesionistë që jam. Më parë shikoj vlerat të shumëfishta.

Natyrisht Kadaresë i çmoj edhe vlerat qytetare që gjithmonë ia kam çmuar. Është një qytetar i përgjegjshëm, që në të gjitha kohërat ka mbajtur qëndrime, pavarësisht se në kohë të ndryshme mund të mos cilësohen edhe aq pozitive, por ka rëndësi që është aktiv dhe kjo është vlerë. Kur je kurajoz të hedhësh mendime në fushën qytetare, politike, nuk është e thënë që të vlerësohesh mirë, por rëndësi ka që të jemi qytetar dhe të flasim, të angazhohemi, të japim mendimin tonë për ato që gjëra që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.

Të jemi të sinqertë, unë nuk kam munguar në kumtesat e akademisë dhe kamë vënë re se breda grupit të studiuesve që japin mësim në universitete ka ende nga ata që ligjërojnë me format dhe klishetë e së kaluarës, metodës së studimit të para 50 viteve. Sa ndikojnë këto në botën akademike?
-Në përgjithësi bota akademike ka probleme me standardet, sepse ne vijmë nga një institucion me probleme politike dhe akademike. Pra, nuk i lihej fushë e lirë akademizmit në monizëm. Megjithatë në këto 20 vjet ka një ndryshim shumë të madh në brezat e rinj. Ka një masë të madhe që kanë formim bashkëkohor, trajtojnë probleme me kompetencë dhe krijojnë një homogjenizim. Ka natyrisht edhe diferenca, ka nga ata që nuk kanë ndjekur procesin e zhvillimit personal. Por problemi më i madh është tek shkollat parauniversitare të cilat jetojnë me metodat e epokës së mëparshme. Këtë e shoh nga formimi i studentëve që na vijnë nga këto shkolla.
 
Nëse ka mundësi të ristudiohet edhe njëherë metoda e realizmit socialist, me çfarë termi  do të shkruhet dhe çfarë vendi do të zërë në Historinë e Letërsisë Shqipe. A do të ndryshojnë kufijtë në përfshirjen e veprave brenda kësaj metode?
-Metoda dhe periudha e letërsisë së realizmit socialist janë dy gjëra të ndryshme. Metoda e realizmit është ajo metodë që e thotë emri; dhe e realizmit dhe  ideologjisë socialiste dhe ka një përbërje ideologjike dhe sociologjie me kritere letrare dhe një përzierje hibride, jo si një metodë e pastër letrare. Letërsia që doli nga ky model, nga kjo fabrikë e kësaj metode, ajo që i respektoi këto rregulla dhe u lëvrua në atë kohë, natyrisht emri nuk i ndryshon, sepse kështu është krijuar, është krijuar me atë botëkuptim, me ato kërkesa dhe emërtimi i saj nuk si të ndryshojë. Natyrisht këta autorë dhe këto vepra për aq sa i nevojiten lexuesit të sotshëm ose të nesërm si informacion, do të jepen se janë shkruar në një periudhë historike, sepse ka ngjarje, ka probleme, ka ato tipare dhe kufizime që ka, dhe me syrin e historianit të letërsisë, ajo do të pasqyrohet me objektivitet siç ka qenë.

Por për periudhën, a do të quhet ajo periudhë e realizmit socialist, kjo është një çështje krejt tjetër, sepse është vështirë që ajo të quhet vetëm periudha e letërsisë së realizmit socialist. Në tërësinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, metoda dhe letërsia e realizmit socialist që u krijua sipas kësaj metode ishin vetëm një prirje, ku përfshihet vetëm një pjesë e krijimtarisë. Ishte ajo që u propagandua më shumë. Ishte ajo që u botua dhe natyrisht ajo që u masivizua më shumë mes propagandës. Por ndërkohë, në këtë periudhë, krahas realizmit socialist, po flas për Shqipërinë shtetërore kur vepronte kjo censurë, është shkruajtur dhe një krijimtari tjetër, që është quajtur disidente, që për arsye të ndryshme ishte në kundërshtim dhe jashtë kësaj metode me dashje dhe pa dashje. Dhe është një krijimtari e tërë e botuar dhe e pabotuar që nuk është e realizmit socialist. Natyrisht këtu ka vepra që kanë vlera të shumta. Dhe këtu nuk hyn vetëm veprat e Kasëm Trebeshinës që nuk ishte e botuar, ta zëmë ato që kanë vlera si “Kënga shqiptare”, nuk hyjnë veprat e disidencës, që nuk arritën të botoheshin në atë periudhë, por këtu ka edhe shumë vepra të tjera që u botuan.
 
Cilat janë disa prej tyre?
-A mund të përfshihet “Gjenerali i ushtrisë  vdekur” te Realizmi Socialist, që është botuar në vitin 1963. A mundet të inkuadrohet “Kronikë në gur” i vitit ‘70 si vepër e realizmit socialist. A mund të hyjë në letërsinë e realizmit socialist dhe në metodën e realizmit socialist një vepër si “Pallati i ëndrrave”, “Pashallëqet e mëdha”, ose “Kamarja e turpit”, vepra të këtij lloji. Këto janë një prirje e një letërsie krejt tjetër. Flasin për letërsinë që është shkruar brenda kufijve shtetëror. Ndërkohë është krijuar një letërsisë ose një krijimtari tjetër e pasur jashtë trojeve. Unë e kam si argument, sepse nuk mund të quhet periudha e Realizmit Socialist, nëse kalojmë në Maqedoni, Mal të Zi, pavarësisht se kushtet në vitet ’70 ishin të njëjta atje shkrimi i letërsisë ishte shumë më liberal se në Shqipërinë shtetërore.

Ata nuk mund të përfshihen në metodën e realizmit socialist për një sërë trajtash të modernizmit në poezi, prozë dhe dramaturgji. Kjo gjithashtu është pjesë e historisë së letërsisë shqipe. Nëse do të kalojmë në diasporë; marrim Martin Camaj, nuk ka rëndësi nëse iku, etj. etj, por krijimtaria e tij është një nga vlerat më të rëndësishme të kësaj periudhe. Nuk ka asnjë lidhje me këtë metodë. Ku do të hyjë kjo letërsie në këtë periudhë. Pra, të gjithë këta shkrimtarë, tërë kjo letërsi që është shumë e pasur, homogjene dhe heterogjene nuk mund të përfshihet me një etiketë.

Atëherë kjo periudhë është shumë e ndërlikuar dhe është shumë më heterogjene. Aty ke realizëm socialist dhe ke shumë trajta të realizmit bashkëkohor. Dhe nuk është një periudhë e metodës së realizmit se ishte një klasifikim ideologjik dhe nuk mund të përfshihen në këtë metodë, sepse çdo letërsi sado e ngurtësuar të jetë nën diktaturë ose nën censurë nuk mund të ndryshohet brenda një kufiri. Periudha është shumë më e gjerë shumë më e pasur se vetë periudha e Realizmit Socialist.    

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit