TIRANE- Pas gjithë romaneve të shkrimtarëve të botës rëndom fshihet një realitet, që në mënyrë metaforike apo simbolike prodhon veprën letrare. Por ka edhe shkrimtarë që e mohojnë lidhjen ekzistenciale të veprës me realitetin, pavarësisht se ç’mendon lexuesi i tij.  

Shkrimtari shqiptar, Bashkim Shehu, djali i ish kryeministrit Mehmet Shehu, ka promovuar dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë romanin “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, botuar nga shtëpia botuese Toena. Libri është konceptuar në formë e fjalorit duke risjellë lajtmotive të regjimit diktatorial, posaçërisht përmes përzgjedhjes së personazheve. Personazhet e romanit janë një ish punonjës i çmendur i arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi e Enver Hoxhës, pasardhësi i Enver Hoxhës dhe një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur.