Ditën e djeshme, Gazment Bardhi dhe grupi i deputetëve demokratë që kishin shprehur mbështetjen ndaj tij u bashkuan zyrtarisht me Rithemelimin duke u rikthyer në selinë e vjetër të PD-së.

Për këtë zhvillim brenda opozitës, anëtari i kryesisë së PD-së, Azgan Haklaj i ftuar në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV u shpreh se ky ka qenë një skenar i Bardhit që në fillim. Sipas tij, Bardhi është përdorur nga Berisha dhe me lëvizjen e fundit po tenton të sabotojë Partinë Demokratike.

“Nuk kam patur asnjë dyshim se ky ka qenë skenar i Bardhit. Është përdorur nga Berisha. Që kur ka shkuar aty ka shkuar për të sabotuar PD-në. Para zgjedhjeve të 14 majit, pas një ujdie që kishte bërë me Palokën për të sabotuar PD-në, këmbënguli që të mos dilnim me kandidatë por vetëm me lista të këshilltarëve.  Pasi sabotoi kandidaturat, Bardhi nuk mori pjesë në fushatën e zgjedhjeve. Në asnjë rrethanë, Bardhi nuk qe në mbështetje të siglës së PD apo të kandidatëve”- tha Haklaj.

Mes të tjerash, Haklaj akuzoi edhe Agron Gjekmarkajn për bashkëpunim me Berishën për të rrëzuar Lulzim Bashën nga kreu i Partisë Demokratike.

“Merrini deklaratat me rradhë. Gjekmarkaj dha dorëheqje nga posti si nënkryetar i PD por jo si nënkryetar i parlamentit. Nuk kam dyshuar kurrë se ata janë bashkë. E gjithë beteja e tyre ka qenë pengimi i Lulzim Bashës në misionin e tij. Vetëm Lulzim Basha ka pasur doktrinë politike në këto 30 vite”- tha Haklaj.

Ndërsa sa i takon vizitës që Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken pritet të mbajë në Tiranë më 15 shkurt, Haklaj u shpreh se sa herë që ka vizita të tilla, ndodhin 'përmbysje' të 'status-quo'-së në Shqipëri duke kujtuar vizitën e Hillary Clinton në 2012-ën, një vit pas së cilës, Berisha humbi zgjedhjet thellë përballë Ramës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:23
Vizita e Blinken në Tiranë, Haklaj: Ka në qendër SPAK-un! Sa herë që vjen një sekretar amerikan i shtetit ka përmbysje të ‘status-quo’-së në vend

Teksa foli për vizitën që Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken pritet të mbajë në Tiranë në 15 shkurt, anëtari i kryesisë së PD-së, Azgan Haklaj u shpreh se sa herë që një sekretar shteti viziton Shqipërinë, ka ndryshime të ‘status-quo’-së, si në rastin e Hillary Klinton, ku një vit pas vizitës së saj Berisha humbi pushtetin.

“Sa herë kanë ardhur sekretarë shteti në Shqipëri, ka patur një përmbysje të madhe të status-quo-së. Erdhi Klinton, pas një viti Berisha shkoi në shtëpi”- tha Haklaj në emisionin "Studio Live" në Report TV. 

Sipas tij, vizita e Blinken ka në qendër SPAK-un, pasi do të ketë një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin.

“Blinken ka synim takimin me SPAK-un. Është rast unikal që një zyrtar i një shteti shkon në një shtet tjetër dhe takon institucionin e drejtësisë. Mbështetja e SPAK-ut është mbështetje për projektin e çlirimit ë demokracisë shqiptare nga kthetrat e trekëndëshit të Bermudës.  Ndonëse kanë votuar 140 vetë për Reformën në Drejtësi, tashmë shohim drejtues të partive politike që nuk e mbështesin SPAK-un. PD është e vetmja që e mbështet”- shtoi anëtari i kryesisë së PD-së.

Ora 18:14
E cilësoi si ‘të zakonshme’ vizitën e Blinken në Tiranë, Haklaj bën dekaratën e fortë: Ilir Meta, në prag të shpalljes ‘non-grata’ nga SHBA

 

Anëtari i kryesisë së PD-së, Azgan Haklaj i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv bëri deklaratën e fortë për Ilir Metën duke thënë se kreu i Partisë së Lirisë është në prag të shpalljes non-grata nga SHBA.

Duke iu referuar deklaratës së Metës që e cilësoi si “të zakonshme” vizitën e paralajmëruar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken në Tiranë, Haklaj tha se i është hequr viza amerikane edhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

“Meta është në prag të shpalljes non-grata. Se i ka disa dosje në SPAK. Edhe vizitën e Blinken e cilësoi si të zakonshme. I është hequr viza amerikane edhe atij edhe Monika Kryemadhit.  I bie që është gjysmë-non grata. Le të dalë dhe të thotë se nuk është”- u shpreh Haklaj ndër të tjera.