Bashkitë administruan 930 mln euro më 2022, varësi e lartë nga ndërtimet

Bashkitë administruan 930 mln euro më 2022, varësi e lartë nga ndërtimet

Foto ilustruese

Burimet financiare të pushtetit vendor arritën vitin e kaluar në 930 milionë euro, me zgjerim vjetor 4%. Raporti i Financave Vendore, që u hartua nga Co-Plan, tregoi se u rrit më tej varësia e të ardhurave ndaj taksës së ndikimit në infrastrukturë, që vilet ndaj ndërtimeve të reja. Kjo po rrit varësinë e bashkive ndaj lejeve të ndërtimit edhe në të ardhmen.

Nga ana tjetër, shpenzimet po rriten me shpejtësi për personelin, teksa investimet shënuan rënie të mprehtë vitin e kaluar. Bashkitë përfaqësojnë nivelin e qeverisjes më pranë qytetarëve, me ndikim potencial në identifikimin dhe zgjedhjen e nevojave të komuniteteve që përfaqësojnë.

Por me gjithë Reformën e re Territoriale, e cila transferoi një seri shërbimesh dhe financash tek vendorët, shërbimet ndaj komuniteteve janë përkeqësuar në disa raste, teksa administrimi financiar dhe buxhetimi janë bazuar te një model jo i qëndrueshëm zhvillimi. Në vitin 2022, bashkitë në të gjithë vendin rritën më tej ekspozimin e të ardhurave buxhetore ndaj taksës së ndikimit në infrastrukturë që vilet ndaj ndërtimeve të reja. Në anën tjetër, shpenzimet ndaj personelit u rritën më tej dhe investimet kapitale u përkeqësuan.

Raporti i Financave Vendore që u hartua nga Co-Plan tregoi se gjatë vitit 2022, Bashkitë kanë pasur më shumë mjete financiare në dispozicion për të ushtruar funksionet dhe kompetencat. Zgjerimi i burimeve financiare në dispozicion u shtri në të ardhurat nga burimet e veta vendore, të hyrat nga transfertat ndërqeveritare të pakushtëzuara dhe taksat e ndara.

Megjithatë, kontributi pozitiv i të ardhurave nga burimet e veta vendore është përcaktuar gjerësisht nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja mbledhur në Bashkinë e Tiranës. Në terma strukturorë, varësia e buxheteve vendore nga transfertat ndërqeveritare vijon të jetë e lartë, nga një numër i kufizuar taksash dhe tarifash vendore të gjeneruara në një numër të kufizuar bashkish.

Treguesit e decentralizimit në kahun e shpenzimeve në vitin 2022 u ngadalësuan, ndonëse shpenzimet totale rezultojnë në rritje. Mbulimi i shpenzimeve korrente (për shpenzime personeli, operative dhe të tjera) vijon të përthithë burime në mënyrë të qenësishme (me fonde të veta dhe të kushtëzuara). Komponenti i investimeve paraqet luhatshmëri të lartë pavavarësisht kontributit nga fondet për investime të kushtëzuara. Në të kundërt, investimet e kryera me fonde të veta të bashkive, ndonëse në rritje vjetore, shënuan vlera të ulëta në dy vitet e fundit.

Portofoli i burimeve financiare në dispozicion të bashkive u zgjerua në vitin 2022. Të hyrat në buxhetin vendor rezultojnë të jenë rritur për të ardhurat nga burimet e veta vendore (7%), të hyrat nga transferta të pakushtëzuara (6%) dhe të hyra nga taksat e ndara (12%). Në të kundërt, të hyrat nga transfertat e kushtëzuara shënuan rënie vjetore me rreth 7%.

Roli i qeverisjes vendore, përkundrejt asaj të përgjithshme, u moderua. Në fund të vitit 2022, të ardhurat nga burimet e veta vendore ndaj PBB-së u vlerësuan në nivelin 1.5% dhe ndaj totalit të të ardhurave të qeverisë së përgjithshme përfaqësuan rreth 5.5% të tyre (tregues të decentralizimit në kahun e të ardhurave). Të dy këta tregues kanë shënuar rënie krahasuar me nivelin e tyre në vitin 2021.

Të ardhurat vendore, varësi nga sektori i ndërtimit

Të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 31% të burimeve totale në dispozicion të bashkive gjatë vitit 2022, në rritje me rreth 7% në terma vjetorë. Të ardhurat nga tarifat vendore ishin kontribuues kryesor në zgjerimin e të ardhurave nga burimet e veta vendore, duke përfaqësuar rreth 38% të të ardhurave në këtë kategori dhe duke rezultuar në një rritje vjetore me rreth 12%.

Në terma nominalë, 61 bashkitë në vend mblodhën rreth 32 miliardë lekë në vitin 2022, në rritje me rreth 7% krahasuar me nivelin e të ardhurave të mbledhura në vitin 2021. Përjashtuar Bashkinë e Tiranës (e cila mblodhi rreth 45% të të ardhurave nga burimet e veta vendore për vitin 2022), kjo kategori të ardhurash shënoi rritje me rreth 14% në terma vjetorë.

Të ardhurat nga taksat vendore, ndonëse përfaqësojnë rreth 59% të të ardhurave nga burimet e veta vendore, dhanë kontribut pozitiv më të ulët në ecurinë e përgjithshme të të ardhurave nga burimet vendore. Prirja e rritjes së të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë vijoi gjatë vitit 2022, duke u vlerësuar në rreth 0.5% të PBB-së nominale.

Nga rreth 10.1 miliardë lekë të ardhura nga TNI, rreth 73% e tyre është mbledhur në Bashkinë e Tiranës. Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga Bashkia e Tiranës, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 2.7 miliardë lekë nga TNI, në rritje me rreth 26% në terma vjetorë.

Nga një anë, TNI ka kontribuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave në buxhetin vendor, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar, ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme, duke rritur presionin për shërbime infrastrukturore për bashkitë. Performanca në të ardhurat nga TNI sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore matur nga të dhënat për numrin e lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqen ndërtimore, ndonëse ky presion është përqendruar në Bashkinë e Tiranës.

Nga ana tjetër, taksa mbi pasuritë e paluajtshme ende nuk po jep efektet e pritura në buxhetet vendore. Problematikat në zbatim, veçanërisht për taksën e ndërtesës, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit që paraqet kjo taksë për bashkitë. Në vitin 2022, nga taksat mbi tokën bujqësore, truallin dhe ndërtesën u mblodhën rreth 5.3 miliardë lekë, nivel ky më i ulët se një vit më parë. Nëse do të shtonim të ardhurat nga taksa mbi transferimin e të drejtave të pronësisë, të ardhurat totale nga taksimi i pasurisë së paluajtshme regjistrojnë një vlerë prej 6.1 miliardë lekësh, pothuajse e njëjtë me një vit më parë (vlerësuar në rreth 0.3% të PBB-së).

Shpenzimet e bashkive arrijnë në 930 mln euro, zgjerohen 4% më 2022

Në vitin 2022, bashkitë shpenzuan rreth 98 miliardë lekë (930 milionë euro), në rritje me rreth 4% në terma vjetorë. Ndonëse me një prirje rritje që prej vitit 2015, norma e rritjes së shpenzimeve totale është ngadalësuar në pesë vitet e fundit (me dhe pa fondet e trashëguara nga një vit më parë).

Analiza tregon se sipas burimit të financimit, 59% e shpenzimeve totale u krye me fonde nga burime të veta, ndërsa 41% e tyre me fonde të kushtëzuara. Shpenzimet me fondet e veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 58 miliardë lekësh në fund të vitit 2022, në rritje me rreth 12% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Shpenzimet e kryera me fonde të kushtëzuara shënuan një vlerë prej rreth 40 miliardë lekësh, në rënie me rreth 7% në terma vjetorë. Bazuar në klasifikimin sipas natyrës ekonomike të shpenzimeve të kryera me fonde të veta, në vitin 2022 bashkitë përdorën rreth 80% të fondeve të tyre për mbulimin e shpenzimeve korrente (rreth 47 miliardë lekë) dhe rreth 20% në mbulimin e shpenzimeve kapitale (rreth 12 miliardë lekë). Kahu i zhvillimeve në shpenzimet me fonde të veta në vitin 2022 u përcaktua nga ecuria e shpenzimeve korrente, të cilat shënuan rritje vjetore të ndjeshme.

Shpenzimet operative, në rritje të shpejtë

Shpenzimet operative dhe të tjera regjistruan një nivel prej rreth 22 miliardë lekësh në fund të vitit 2022, në rritje me rreth 25% krahasuar me një vit më parë dhe përfaqësuan rreth 37% të shpenzimeve të kryera me fonde të veta. Ndër shpenzimet operative dhe të tjera, shpenzimet operative të kryera me fonde të veta për këtë periudhë shënuan një vlerë prej rreth 19 miliardë lekësh, në rritje me rreth 19% në terma vjetorë.

Në zgjerimin e shpenzimeve operative kontribuuan rritja e shpenzimeve për shërbime nga të tretë (31%); shpenzimeve të transportit (25%); shpenzimeve të tjera operative (10%); shpenzimeve të udhëtimit (42%) dhe mirëmbajtjes së zakonshme (11%). Në të kundërt, shpenzimet për materiale zyre shënuan rënie me rreth 3% në terma vjetorë. Duke filluar prej vitit 2015, ecuria e shpenzimeve operative qartësisht po ndjek një trajektore rritje vit pas viti, ku fundi i vitit 2022 shënoi nivelin maksimal të tyre. Ndonëse, rritja e shpenzimeve në këtë kategori rezulton të jetë e shpërndarë në thuajse të gjithë nënzërat përbërës.

Investimet kapitale, rënie me 7% në vitin 2022

Në terma nominalë, shpenzimet kapitale shënuan një nivel prej rreth 11.6 miliardë lekësh, në rënie me rreth 7% në terma vjetorë. Shpenzimet kapitale përfaqësuan vetëm 20% të shpenzimeve të kryera me fonde të veta në vitin 2022, pesha më e ulët historike në totalin e shpenzimeve me fonde të veta në periudhën në analizë. Historikisht, ecuria e shpenzimeve kapitale të kryera me fonde të veta është përcaktuar gjerësisht nga shpenzimet për investime të kryera nga Bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Kamzës. Në vitin 2022, shpenzimet kapitale të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës përfaqësuan rreth 29% të shpenzimeve totale për investime të kryera me fonde të veta nga 61 bashkitë në vend. Ky nivel investimesh rezulton të jetë në rënie me rreth 5% krahasuar me një vit më parë dhe të paraqesë nivelin më të ulët të investimeve të kryera nga Bashkia e Tiranës që prej vitit 2015.

E dyta për nga pesha në investimet me fonde të veta renditet Bashkia e Kamzës (me rreth 9% ndaj totalit) dhe në rritje vjetore me rreth 11% në vitin 2022. Investimet me fonde të veta të kryera nga Bashkia e Durrësit u vlerësuan në rreth 6% ndaj totalit dhe shënuan rritje me rreth 18% në terma vjetorë. Rritja e investimeve vlerësohet të ketë ndodhur në 39/61 bashki, përfshirë Bashkitë e Skraparit, Devollit, Mallakastrës, Konispolit, Dibrës, Pustecit, Poliçanit, Libohovës, Kukësit, Matit etj. Në të kundërt, shpenzimet kapitale vlerësohet të jenë rritur në 22/61 bashki, përfshirë Bashkitë e Kurbinit, Delvinës, Pukës, Gramshit, Lushnjës, Tropojës, Vaut të Dejës, Mirditës, Këlcyrës, Vlorës etj.

Financimi i investimeve është një problematikë e rëndësishme për bashkitë, veçanërisht ato të financuara me fondet e veta. Bazuar në parashikimet e ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ardhurat nga TNI duhet të përdoren “kryesisht” për financimin e investimeve. Ndonëse në prani të një parashikimi të tillë, nuk është e mundur gjurmueshmëria nga burimi i së ardhurës deri në përdorimin e saj. Çfarë do të thotë “kryesisht” në terma sasiorë nuk është e përcaktuar. Mesatarisht për 61 bashkitë në vend, në vitin 2022, të ardhurat nga TNI mbulojnë potencialisht rreth 87% të shpenzimeve kapitale të kryera me fonde të veta, raport ky i njëjtë krahasuar me një vit më parë.

Nëse do të përjashtonim Bashkinë e Tiranës, mesatarisht në 60 bashkitë e tjera të ardhurat nga TNI arrijnë të mbulojnë vetëm 32% të shpenzimeve kapitale të kryera me fonde të veta në vitin 2022 (raport ky në rritje me rreth 3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë). Të ardhurat nga TNI të mbledhura nga Bashkitë e Kavajës, Himarës, Tiranës, Sarandës dhe Vlorës rezultojnë të jenë më të larta se vlera e investimeve të kryera me fonde të veta gjatë vitit 2022. Të ardhurat nga TNI të mbledhura nga Bashkia e Tiranës në vitin 2022 ishin më shumë se dyfishi i shpenzimeve kapitale të kryera prej tyre. Në mënyrë të tërthortë, ky tregues, edhe një herë, nënvizon përqendrimin e presioneve zhvillimore në Bashkinë e Tiranës dhe pamundësinë e bashkive të tjera për të financuar projekte investimesh (veçanërisht ato me vlerë të lartë).

Stoku i detyrimeve të prapambetura, rënie vjetore me 10%

Stoku i detyrimeve të prapambetura shënoi një nivel prej rreth 5.9 miliardë lekësh në fund të vitit 2022, në rënie vjetore me rreth 10%, ndikuar nga ndërhyrja e qeverisë qendrore nëpërmjet vendosjes në dispozicion të një transferte specifike prej rreth 1 miliard lekësh. Bashkia e Tiranës regjistron nivelin më të lartë të detyrimeve të prapambetura, ndjekur nga Bashkia e Kavajës dhe Vorës.

Bashkia e Pustecit ndodhet në gjendjen e paaftësisë paguese, pasi raporti i borxheve afatgjata dhe detyrimeve të prapambetura ndaj shpenzimeve vjetore (shpenzimet faktike të bashkisë në vitin 2022) shënoi nivelin 1.7, duke qëndruar ndjeshëm mbi nivelin referencë. Zhvillime në kahun përmirësues regjistrohen për Bashkitë e Vorës dhe Kavajës, të cilat vlerësohet të kenë regjistruar një nivel të treguesit nën kufirin e 80%, duke dalë nga zona e vështirësive financiare të llogaritura në vitin 2021./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e opozitës për mbylljen e TikTok! Rama fiton garën me fansat, Berishën e mund edhe Arlind Qori

Akuzat e opozitës për mbylljen e TikTok! Rama fiton garën me fansat, Berishën e mund edhe Arlind Qori