Bashkitë e reja, Haxhimali: Heqja 
e kompetencave, qeveria po gabon

Bashkitë e reja, Haxhimali: Heqja <br />e kompetencave, qeveria po gabon
TIRANE- Konfigurimi i ri i pushtetit vendor në Shqipëri, përmes reduktimit të njësive vendore nga 373 bashki dhe komuna në 61 bashki të vetme, ka sjellë ndryshime edhe në aspektin e funksioneve dhe kompetencave të pushtetit lokal.

Vendimin e qeverisë për të zhveshur bashkitë e reja nga disa kompetenca të cilat i ushtronin me ndarjen e vjetër administrative, drejtuesit e shoqatave të pushtetit vendor e quajnë të gabuar. I një mendimi të tillë është Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Komunave, Agron Haxhimali, i cili gjatë një intervistë për “A1 Report”, shprehu rezerva duke theksuar se heqja e disa kompetencave 61 bashkive të reja, nuk është një lëvizje me vend e qeverisë. “Nuk mendoj se është gjetja e duhur që Bashkive të reja t’i hiqen funksionet.

E them këtë për arsye se nëse do ishim me 373 njësi të qeverisjes vendore të vogla me kapacitet të reduktuara, edhe mund të qëndronte si alibi që nuk e kanë potencën për të lidhur kontrata afatgjata për 99 vjet më donatorë, kompani dhe agjenci turistike sepse ndikonte në të mirën publike apo se mund të kishte konflikte të tjera interesi, por tashmë që kemi vetëm 61 bashki, e thënë ndryshe, kemi 61 këshilla bashkiakë më të profesionalizuar, më të përzgjedhur, unë nuk mendoj që është zgjedhja më e drejtë.

Nuk mendoj se është një ndërhyrje me vend që t’ua heqësh kompetencat. Njësitë janë më të konsoliduara dhe qeveria duhet tu japë më shumë kompetenca se kështu i solli reforma. Pra, është një non sens, është shumë kontradiktor kryeministri dhe qeveria në këtë drejtim. Pra, në parim qeveria duhet të lëshojë kompetencat, duhet të mbajë fjalën e dhënë”, u shpreh Haxhimali. 
 
Decentralizimi dhe ligji organik
Bashkitë e reja do të startojnë detyrën e tyre pa strategjinë e decentralizimit dhe ligjin organik. Sipas Drejtuesit Ekzekutiv të Shoqatës së Komunave, Agron Haxhimali, pa këto dy dokumente, drejtuesit e bashkive do të ndeshen me një mori problemesh.

“Ne e kemi shprehur se përpara se të mbërrijmë te kjo hartë territoriale me 61 njësi, sot kryetarët duhet të kishin përpara në tryezën e tyre, strategjinë e decentralizimit, ku të përcaktoheshin qartë direktivat, drejtimet se ku do të shkonte pushteti vendor në një periudhë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.

Kjo duhet të ishte shoqëruar edhe me ligjin organik të pushtetit vendor. Dhe ndaj, njësitë e reja vendore, 61 bashkitë që pritet të nisim punën këto ditë, do të punojnë pa këto dy dokumente. Kjo i vë në pozitë të vështirë pushtetarët vendorë. Nuk ka asnjë ligj edhe për decentralizimin fiskal. Pra, njësitë e qeverisjes vendore që kanë marrë frenat e qeverisjes administrative,janë duke u ndeshur me probleme jashtëzakonisht të mëdha”, tha ai.
 
Policia Bashkiake
Haxhimali e quajti të gabuar edhe vendimin e qeverisë për shkrirjen e Policisë Bashkiake me Policinë e Shtetit. “Nëse kemi vetëm një polici, kemi një ngjarje, policinë do ta kërkojë kryetari i bashkisë, por varësinë e ka nga pushteti qendror, kjo ndërhyrje do të prevalojë nga pushteti i bashkisë, apo nga pushteti qendror? Nga do t’i marrë urdhrat? Njësitë vendore nuk duhen zhveshur tani që i kemi të konsoliduara me të gjithë instrumentet që atyre u duhen për të ushtruar funksionet në shërbim të komunitetit”, theksoi më tej ai. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës