Gara për titullin kampion në Superligën Shqiptare të Basketbollit për Meshkuj po shkon drejt fundit, me Besëlidhjen dhe Tiranën që kanë hedhur hapa të rëndësishëm drejt finales, pas fitoreve në transfertë në ndeshjet gjysmëfinale të së mërkurës.
Besëlidhja triumfoi bindshëm në Fier përballë Apolonisë me rezultatin 74-97, duke dominuar sfidën nga fillimi në fund. Skuadra lezhjane nuk e vuri në diskutim për asnjë moment fitoren dhe tashmë kryeson 2-0 serinë e play-off-it, duke qenë vetëm një hap larg finales së madhe.
Në gjysmëfinalen tjetër, Tirana ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Vllaznisë me rezultatin e ngushtë 86-90. Takimi i zhvilluar në Pallatin e Sportit 'Qazim Dervishi' në Shkodër, ishte i luftuar deri në fund, por bardheblutë arritën të menaxhojnë momentet vendimtare dhe të dalin fitues.
Me këto rezultate, të dyja skuadrat kryesojnë 2-0 seritë respektive play-off dhe janë vetëm një fitore larg sigurimit të një bilete për në finale.
Superliga - Meshkuj, gjysmëfinalet play-off
Ndeshja 1, Besëlidhja - Apolonia, 93-71
Ndeshja 1, Tirana - Vllaznia, 87-84
Ndeshja 2, Apolonia - Besëlidhja, 74-97 (0-2)
Ndeshja 2, Vllaznia - Tirana, 86-90 (0-2)
2 maj, Besëlidhja - Apolonia, 18:00
2 maj, Tirana - Vllaznia, 18:00
Komente










