Policia ka bastisur selinë e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) në Frankfurt, në kuadër të një hetimi për shpërndarjen e ftesave në hotele dhe mijëra biletave të ndeshjeve gjatë Euro 2024.

Sipas Bild, kontrollet janë zhvilluar në të gjithë Gjermaninë me urdhër të autoriteteve të landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë. Nën kontroll janë vënë edhe bashkitë e disa qyteteve që pritën ndeshjet e turneut.

Hetimi lidhet me dy persona, një gjerman 66-vjeçar dhe një francez 46-vjeçar, të cilët dyshohen për trajtim të strukturuar preferencial dhe ryshfet. Sipas raportimeve, në hetim mund të përfshihen edhe punonjës të administratës vendore që kanë qenë në detyrë gjatë zhvillimit të kampionatit.

Kontrolle po zhvillohen në administratat e Gelsenkirchenit, Dortmundit, Dyseldorfit, Këlnit, Hamburgut, Berlinit, Frankfurtit, Shtutgartit, Mynihut, si edhe në Lajpcig. Gjithashtu janë bastisur dy kompani në Renaninë Veriore-Vestfali dhe një në Bavari.

Sipas dyshimeve të hetuesve, shtetasi francez kishte ftuar drejtuesit e zyrave të Euro 2024 në qytetet pritëse për të ndjekur ndeshje të rëndësishme në stadiume. Ndërsa 66-vjeçari gjerman po hetohet për çështje që lidhen me gjysmëfinalen mes Spanjës dhe Francës në Mynih.

Autoritetet dyshojnë se janë përfituar 2.400 euro, si edhe janë mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit në hotel. Sipas raportimit, 66-vjeçari, i cili në atë kohë punonte në bashkinë e Gelsenkirchenit, por jo më, ishte hetuar më parë edhe për dyshime për mashtrim, si dhe për mbajtje dhe përvetësim të pagave.

Ministri i Brendshëm i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Herbert Reul, deklaroi për Bild: “Një biletë futbolli nuk është pjesë e pagës. Kushdo në shërbimin publik që pret ryshfet do të marrë një vizitë nga ne. Evente të mëdha si Kampionati Europian varen nga besimi i njerëzve, si te sporti, ashtu edhe te autoritetet që e bëjnë të mundur. Nuk do të lejojmë që ky besim të dëmtohet nga disa ftesa dhe bileta.”