Sot do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit çerekfinale, Bayern Mynih-Manchester United dhe Atletiko Madrid – Barcelona. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, kampionët e Evropës kërkojnë që të vazhdojnë rrugën, por Guaridola i trembet rreshtimit në mbrojtje të United. “Faktori fushë është shumë i rëndësishëm në përballje të tilla.

Do të na duhet të fitojmë, por do të jenë përcaktuese disa detaje të vogla. Tashmë i kemi mësuar se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Mendoj se Manchester United do të luajë në ndeshje në pritje. Do të rreshtohen në prapavijë, për t’u nisur më pas me shpejtësi në kundërsulm. Është një gjë që dinë ta bëjnë shumë mirë.

Nuk është kurrë e lehtë të luash kundër skuadrave angleze, aq më tepër që United është një klub i madh. Para sfidës së parë çerekfinale të gjithë flisnin vetëm për Bayernin, por tani e kanë kuptuar që United mund të vijë dhe të fitojë në Gjermani”tha ai.

Kapiteni i Atletico Madridit Gabi ka shumë besim se skuadra e tij do të shkojë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke paralajmëruar Barcelonën. “Kjo është periudha më e bukur e jetëve tona. Nuk jemi të lodhur. Duam të garojmë në nivelin tonë më të lartë. Çelësi i kësaj ndeshjeje është që të mbesim të përqendruar gjatë 90 minutave. I kemi bërë njerëzit të besojnë dhe mendoj se tani e tutje do ta shihni më të mirën nga Atletico”.
 

d.b/shqiptarja.com