Në një operacion të përbashkët të Policisë së Shtetit me DEA-n amerikanë të koduar "Sintetiku" është bërë i mundur arrestimi i dy shtetasve amerikanë që kishin ngritur në Tiranë një bazë ku do të përpunonin drogë sintetike. Në një deklaratë për shtyp, drejtori i Policisë Kriminale Eduard Merkaj tha se dy amerikanët, Vincent (Dominic) De Caro, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA; dhe Arber Isaku, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA, u
arrestuan në pikën kufitare të Morinës në tentativë për tu larguar nga Shqipëria.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:42
Çfarë u gjet në apartamentin ku do prodhonin drogë sintetike dy amerikanët e arrestuar (VIDEO)

Pas arrestimit të dy shtetasve amerikanë në Tiranë, falë një operacioni të përbashkët me DEA-n amerikane u zbulua edhe baza që ata kishin krijuar në Tiranë, aty ku pritej të prodhohej droga sintetike.

Në videon e shpërndarë nga Policia e Shtetit duket se bazë për prodhimin e drogës ishte kthyer një apartament në kryeqytet. Brenda tij policia ka sekuestruar mjetet dhe prekursorët që do të shërbenin për përgatitjen e drogërave sintetike si edhe një numër i madh pajisjesh elektronike.