Baze: E vetmja humbje për PD, është përpjekja për të shpallur fitoren

Baze: E vetmja humbje për PD, është përpjekja për të shpallur fitoren

Pas valës së parë të mbështetësve të angazhuar për të shpallur fitore të madhe tryezën PD- PS për reformën zgjedhore, duke e lidhur me zgjedhje të parakohëshme në qershor, ose shtator, tani ka një valë të dytë zërash brenda opozitës, që thonë se duket që zgjedhjet do të jenë më 2021. E gjithë kjo zhurmë është prodhuar nga sikleti se dikush duhet ta shpallte doemos fitore, tryezën e përbashkët dhe rikthimin e PD-së në sistem.

Në fakt tryeza është fitore.

Është fitore e PD, që u rikthye në rrugën e vetme politike që ekziston për të qenë parti konkurruese dhe po ashtu fitore për shumicën, e cila nuk do shkojë sërish vetëm në zgjedhje, por me konkurrentë.

Por që një marrëveshje të ketë efektin e duhur, ajo ka nevojë për t’u shpjeguar siç është, se ndryshe të kthehet në të kundërt.

Dhe kjo nuk ndodh vetëm me faktin do ketë apo jo zgjedhje. Kjo ndodh dhe me pikat që do të diskutojë tryeza, me kompetencat që ka Këshilli Politik dhe me atë se si do t’i bëjnë zgjedhjet më të sigurta.

Së pari, shumë nga pikat e debatit në tryezën zgjedhore duan shpjegim të ndershëm.

PD nuk duhet të kompleksohet fjala vjen nga debati mbi sistemin.

Sali Berisha dhe Edi Rama, që janë themeluesit e tij, vazhdojnë ta mbrojnë pa kompleks.

Të dy kanë argumentet e tyre dhe nuk janë të kompleksuar që e kanë bërë atë sistem.

Lulzim Basha as e mbron, as e lufton, as e hedh poshtë dot se i duhet, as thotë se do ta hedhë poshtë, se i duhen aleatët… dhe kështu ka hyrë në një spirale pa fund.

E njëjta histori me depolitizimin e komisioneve. Depolitizimi i komisioneve ul ndjeshëm shpenzimet financiare për fushatën dhe rrit sigurinë e partive të vogla, se nuk ua vjedhin votat partitë e mëdha.

Tani kur PD e kundërshton nën zë këtë, duhet të japë argumente. Duhet të thonë pse duhen politikë komisionet, dhe pse janë më të garantuar partitë e vogla nga dy komisionerët partiakë të PS e PD.

Po ashtu, PD ka si shqetësim kryesor financimin e fushatës dhe nga ana tjetër nuk heq dorë nga struktura politike mbi zgjedhjet.

Të gjitha këto debate kur i bën hapur dhe publikisht, dhe nëse nuk zgjidh ndonjë gjë të madhe, nuk i bën dëm PD-së.

Kështu duke porositur opinione, komente, duke porositur një herë ata që thonë fitore, dhe një herë ata që thonë mos u gëzoni, krijon më shumë pesimizëm, se optimizëm.

E njëjta gjë duhet thënë dhe për zgjedhjet. Kur thuhet që do ketë zgjedhje në qershor, natyrisht është gënjeshtër, e cila në qershor të kthehet në kosto.

Kur thua duhet të ketë zgjedhje në tetor, duhet të jetë serioze, se mund të thotë Rama jam dakod, dhe pastaj s’di ç’të bësh.

Zgjedhjet janë një çështje serioze, që nuk mund të lihet në dorë të propogandistëve. Ato ndodhin kur duhet të ngjallin shpresë, dhe jo të jenë arsye për të fshehur dështimet.

Po hapur duhet folur dhe për mënyrën se si e ka pritur Berisha, apo të tjerët, tryezën. Është e qartë që Berisha është pezmatuar, por nuk është gati t’i vërsulet Bashës për këtë.

Po vuan dështimin e revolucionit të tij, që e nxiti e tentoi ta mbajë gjallë artificialisht.

Po ashtu të zhgënjyer janë dhe aleatë të tjerë të PD, që flasin nën dhëmbë për atë që ka ndodhur.

Në fakt nuk ka ndodhur asgjë e rëndë për PD. Ka ndodhur gjëja më normale. Anormale ka qenë gjithçka që ka ndodhur deri më dje.

Por përpjekja për të justifikuar normalitetin me gënjeshtra, e bën atë sërisht anormale./ tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës