Sipas Bankës Botërore borxhi publik është në kufi të nivelit të lejuar prandaj duhet të bëhet kujdes. Borxhi publik i Shqipërisë llogaritet 59. 6 %, ndërsa decifici buxhetor në fund të muajit tetor 2011, është rreth 4 %.
"Shqipëria dhe Mali i Zi dallohen mes vendeve të tjera për nivelet e larta të borxhit publik (duke përfshirë borxhin e garantuar publik) që janë afër përqindjes së referencës për risk të lartë. Të gjitha vendet, me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë kanë nivele relativisht të larta të borxhit të jashtëm, ku Mali i Zi dhe Serbia janë brenda rrezes së riskut të lartë. Ndonëse një pjesë e këtij borxhi është ndaj huadhënësve zyrtarë, ai përbën një rrezik rifinancimi në rast të një ngushtimi të mëtejshëm të aksesit ndaj tregut."- thuhet në raport.
Banka Botërore vëren se pjesa më e madhe e vendeve të EJL6-ës kanë përfshirë në parashikimet e tyre fiskale për vitin 2012 një përshpejtim të veprimtarisë ekonomike. "Megjithatë, shenjat e kohëve të fundit të një rritjeje ekonomike më të dobët në Shqipëri dhe niveli I saj ri borxhit relativisht të lartë nënkupton se edhe Shqipëria kësaj here mund të preket negativisht. Ndërsa duket se ka vend për huamarrje të brendshme, kjo mund të shkaktojë tkurrje të financimeve për sektorin privat. Aksesi ndaj tregjeve të jashtme do të vijojë të mbetet i vështirë. Për vendet me kurse fikse shkëmbimi, nxitja e kërkesës do t‘i mbajë lart deficitet tregtare dhe mund të vërë në rrezik stabilitetin makro-ekonomik."
RAPORTI
Raporti mbulon zhvillimet e fundit ekonomike, përfshirë ndikimin e Euro krizës në vendet e Europës Juglindore si dhe politikat e përshtatshme për stabilitet dhe rritje afatgjatë në rajon.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet se që gjatë vitit 2011 rritja ekonomike në rajon është 2.5 përqind ndërsa për vitin 2012 kjo rritje do të ulet në 2.1 përqind.
Raporti vëren se bankave të rajonit u janë rritur kreditë e këqija, si dhe rënie të investimeve të huaja direkte.
Numri i parë i raportit u bë publik sot paradite nëpërmjet një videoconference në zyrat e Bankës Botërore, në Tiranë dhe është pjesë e një serie publikimesh mbi zhvillimet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore si në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.
(s.g/shqiptarja.com)