TIRANE - Banka Botërore dhe qeveria shqiptare, përfundojnë me sukses negociatat për programin prej 150 milionë dollarësh që do të shërbejë për rimëkëmbjen e sektorit energjetik në vend.

Drejtorja e Bankës Botërore për Europën Juglindore Ellen Goldstein ka dhënë mbështetje dhe për marrëveshjen e arritur së fundmi mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kompanisë çeke CEZ kur ajo ka deklaruar se ndër reformat më të rëndësishme në këtë sektor ishte zgjidhja e shpejtë dhe e drejtë e mosmarrëveshjes tregtare në lidhje me kompaninë e shpërndarjes që bënë të mundur sipas saj që Shqipëria të shpjerë përpara këto reforma vendimtare si dhe kryerjen e investimeve shumë të nevojshme në sistem.

Programi i saponegociuar do të sjellë përmirësime të rëndësishme në shërbimet e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, shumë prej të cilëve i paguajnë faturat e tyre, ndërkohë që të tjerë nuk i paguajnë duke e konsumuar energjinë në mënyrë të paligjshme.

Ajo që synohet me projektin e financuar nga Banka Botërore është përmirësimi i cilësisë së shërbimit për konsumatorët dhe uljen e humbjeve në shpërndarjen e energjisë nga niveli aktual prej 42% në rreth 20% në vitin 2018 dhe zbatimin e reformave prioritare në këtë sektor në përputhje me legjislacionin e BE-së. Programi gjithashtu do të ofrojë mbështetje në planin afatshkurtër për financimin e importeve të energjisë gjatë periudhave të thatësirave.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)