Bashkimi Evropian është bashkimi i 500 milionë qytetarëve, ekonomia më e madhe në botë, me një PBB vjetore prej 14 trilion eurosh.
Është blloku më i madh tregtar në botë, partneri kryesor tregtar i 80 vendeve, donatori më i madh në botë i asistencës për zhvillim dhe ndihmës humanitare.
Qytetarët e Bashkimit Evropian gëzojnë sistemin më të mirë të sigurimeve shoqërore në botë dhe kanë mbrojtjen më të mirë për të drejtat e tyre, mjedisin, ushqimin, shëndetin dhe arsimin e tyre.
Bashkimi Evropian është një fuqi globale, nuk ka dyshim për këtë.
Megjithatë, ajo çka e bën vërtet të fortë në thelbin e tij nuk është pasuria materiale, por mënyra me të cilën kupton, respekton dhe ruan dinjitetin njerëzor.
Bashkimi ynë u krijua pas luftës më shkatërrimtare në historinë e njerëzimit, nga njerëz të mençur, të cilët kuptuan se dallimet tona nuk duhet të prodhojnë një shumatore humbjesh, por një shumatore përfitimesh, se ne duhet të jemi në gendje t’u shtrijmë dorën ish-armiqve tanë, për të mirën tonë, se vetëm paqja mund të na ndihmojë të lulëzojmë. Dhe paqja nuk mund të merret kurrë e mirëqenë.
Unë vetë e di këtë mjaft mirë. I njoh mirë zhurmat e granatave, uturimën e avionëve ushtarakë, njoh zhurmën e erën e luftës dhe e di si ndihesh kur të duhet të vraposh që t’i shpëtosh vdekjes. E di këtë prej një vendi jo larg prej këtej, nga kohëra jo aq tē largëta nga kjo natē. Dukej e pamundur e, megjithatë, ndodhi. Morëm një mësim. Edhe njëherë.
Për mua, si evropiane, mësimi është i qartë – asgjë nuk është më e rëndësishme sesa ruajtja e Bashkmit si streha jonë e përbashkët që u sjell paqe e mirëqenie njerëzve të vet, por edhe të gjithë atyre që duan e kërkojnë një botë më të mirë. Një Bashkim që mundet të jetë bujar, sepse është i fortë. Një Bashkim që është përplot përunjësi, pikërisht sepse është i fuqishëm, një Bashkim që dëshiron të japë, sepse është i pasur në çdo mënyrë.
Kjo kërkon një angazhim konstant e gjithnjë e më shumë punë për t’u bërë për të forcuar vetë Unionin dhe për të finalizuar projektin evropian duke përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në të.
Dhe kjo nënkupton, përtej çdo dyshimi, Shqipërinë, një vend i vjetër evropian që ndjeu çdo dhimbje të historisë sonë të përbashkët. Një vend që u ndalua të bashkohej me thelbin evropian për shumë shekuj, por që kurrë nuk reshti së luftuari për identitetin e vlerat e veta evropiane, pavarësisht rreziqeve që iu kanosën.
Gjashtë shekuj më parë, Gjergj Kastrioti tha shprehjen e tij të famshme: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta midis jush”.
Bashkimi Evropian nuk po ju sjell Evropën, ai e gjen Evropën tek ju.
Bashkimi Evropian vetëm po ju ndihmon të fitoni kohën dhe mundësitë e humbura, të modernizoheni, të reformoheni dhe të vendosni standarde që tashmë i ndajnë 500 milionë qytetarë të BE-së.
Tranzicioni drejt Bashkimit Evropian nuk është një udhëtim jashtë vendit, nuk një është rrugëtim së jashtimi. Ai është një rrugëtim i brendshëm, rrugëtimi i përballjes me mangësitë tuaja dhe me ndryshimin e tyre kryekëput në favorin tuaj.
Shqipëria ka punuar fort gjatë tri dekadave të fundit dhe ka ndryshuar si asnjë vend tjetër në Evropë. Kjo trajektore është njohur edhe nga Komisioni Evropian, i cili, pak javë më parë, dha një rekomandim pa kushte për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.
Ky është një hap i rëndësishëm, megjithatë është vetëm njëri prej shumë hapave në rrugën tuaj përpara.
Ajo çfarë duhet të vijë më pas do të jetë një detyrë mjaft kërkuese dhe do të duhet një ndryshim edhe më i thellë e më i gjithanshëm. Kjo nuk është një rrugë për cinikët apo dembelët apo të paditurit; ky transformim kërkon shumë punë, ambicje, imagjinatë, përqëndrim e përkushtim.
Kurrë nuk ka pasur asnjë dyshim që qytetarët e Shqipërisë e duan këtë ndyrshim. Qysh prej ditëve të hershme pas rënies së komunizmit, motoja e duam Shqipërinë si gjithë Evropa bëri vetë sheshin të tundet. Në këtë tranzicion nuk do mbetet gur pa lëvizur. Për mua, e gjitha përmblidhet në tri fjalë shqiptare, tingullin e të cilave e dua aq shumë.
E para është “së bashku”. Gjergj Kastrioti la një mesazh të fuqishëm kur mblodhi trimat e tij e më të fortit prej tyre i kërkoi të thyente një tufë thuprash të lidhura bashkë. Ai nuk mundi. Atëherë, Kastrioti i zgjidhi thuprat e i tha një djali të vogël t’i thyente një nga një. Ai e bëri me shumë lehtësi.
Kjo urti e thjeshtë dhe e përjetshme ka vlerë sot po ashtu si shekuj më parë. Së bashku ia dalim, të ndarë, humbasim. Të gjithë shqiptarët kanë një objektiv të përbashkët për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian. Por kjo nuk mund të bëhet me fjalë. Kjo duhet provuar me vepra dhe si vend ju do të jeni në gjendje ta arrini këtë objektiv, vetëm nëse lini pas krahëve mosmarrëveshjet e grindjet e vjetra dhe bashkoni forcat, për hir të këtij vendi dhe me përgjegjësi të plotë për të ardhmen e tij.
E dyta është “zemër”… Ndryshimi për mirë nuk mund të bëhet pa një zemër plot, plot dashuri e kurajë. Ndryshimi është kërkues, ju duhet të luftoni për të. Asgjë nuk vjen lehtë dhe asgjë nuk ndryshon nëse nuk mundoheni.
Dhe e treta është “ju lutem”… Ju lutem, mos humbni asnjë moment të kësaj mundësie historike për vendin tuaj, për të arritur më në fund në vendin për të cilin keni luftuar prej shekujsh, për të qenë bashkë me pjesën tjetër të demokracive evropiane në një Bashkim që do t’ju bëjë më të fortë.
Duke ardhur drejt fundit të fjalimit tim, të më falni që do e bëj pak më personal. Unë dua e respektoj mjaft gjëra shqiptare, por, mbi të gjitha, respektoj gratë fantastike të Shqipërisë.
Ju jeni një thesar i vërtetë i këtij vendi, fuqia e pashtershme e tij, një fuqi që mbetet e hirshme e kurajoze në çdo rrethanë dhe u ka dhënë të gjithëve një mësim sesi të dashurosh dhe të përkujdesesh, si të shkëlqesh dhe të mbijetosh e të fitosh e të bëhesh më i mirë, edhe kur ke gjithçka kundër.
Ky program sonte është veç një dhuratë e vogël nga Bashkimi Evropian për secilën prej jush, me respekt të thellë.
Në fund, dua ta mbyll me fjalët e një shqiptari mjaft të mençur e një prej shkrimtarëve më të mirë evropianë të kohëve tona, një kolos artistik, Ismail Kadare:
Çfarë është Evropa për Shqipërinë?
Do të përgjigjesha: vetvetja ose gjithçka.
Më pas do t’i shtoja këto fjalë: Evropa është gjendja natyrale e Shqipërisë dhe e vetmja.
Ju uroj gëzuar Ditën e Evropës!
Zonja Vlahutin a eshte evropa ajo qe i ka ndare Shqiptaret? Po pra kjo evrope qe i ndihmuan shqipet kur ka patur nevoj. E keni futur Rumanine ne BE! Ju jeni nje klan byrokratesh dhe lobista asgje me shumë
Përgjigju