I konceptuar si seminar, në takimin i cili zgjati përreth 9 orë në ambientet e Hotel Tirana ishin të pranishëm ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ministrja e integrimit Majlinda Bregu, ministri i Inovacionit Genc Pollo dhe kreu i Institutit të Medias Remzi Lani si dhe mbi 180 profesionistë të medias shqiptare, institucione që kanë të bëjnë me lirinë e medias, ligjvënës dhe ekspertë ndërkombëtarë për të analizuar gjendjen aktuale të medias në Shqipëri dhe dhanë pikëpamjet e tyre për çështjet që përbëjnë shqetësim, sfidat si edhe rrugën për të ecur përpara.
Panelistët dhe pjesëmarrësit diskutuan një numër çështjesh, duke përshirë ato që nënvizohen në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si shpifja, transparenca dhe hapja e tregut, pavarësia e transmetuesit publik, kushtet e punësimit të gazetarëve dhe etika e medias.
Këshilltar Kryesor i ngarkuar për Shoqërinë Civile dhe Median i Drejtorit të Përgjithshëm për Komisionin Evropian, Andris Kesteris, i cili deklaroi konkluzionet e seminarit vuri theksin në lirinë e medias e cila sipas tij vjen përmes një vetërregullimi dhe autonomisë ekonomike të saj. “Duhet t’i kushtohet vëmendje dhe një kujdes i veçantë sa i përket drejtuesve të medias, transparencës dhe mënyrës që ata përdorin për të mbajtur në këmbë mediat e tyre...transparencë e medias edhe për fushatën”, -deklaroi përfaqësuesi i KE-së.
Duke vlerësuar performancën e medias shqiptare, Kesteris vuri në pah nevojën e një ligji të ri, për përmirësimin edhe më tej të kësaj performance.
“Media ka pasur një perfomancë të mirë.. nuk të lë shijen që udhëhiqet nga interesat”, tha Kesteris. Megjithatë ai shtoi se “një ligj i ri për mediat audiovizive është një nevojë për momentin, duke u mbështetur në ligjet e BE”. Në këtë kuadër, përfaqësuesi i Komisionit Evropian tha se ndihma e Bashkimit Evropian për media është pikërisht shembulli i legjislacionit të mirë që Shqipëria mund të ndjekë.
Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi e nisi fjalën e tij duke nënvizuar: "Nuk ka demokraci pa media të lirë. Të gjithë e dimë. Na duhet media e lirë jo vetëm fjala e lirë”.
Zoti Sequi vlerësoi se liria e medias ka një rol jetik në kriteret e Kopenhagen për anëtarësim në BE. "Liria e fjalës është po aq jetike, siç është demokracia solide dhe një gjykim i drejtë"- nënvizoi Sequi duke shtuar se "Duhet një veprim konkret që të tregojë që ju jeni seriozë sa i takon medias së lirë dhe integrimit në BE"
Për ambasadorin e BE-së Ettore Sequi emërimi i anëtarëve të KKRT tregon sesa një vend angazhohet për lirinë e medias “Emërimi i anëtarëve të KKRT është testi që ju keni ndaj angazhimit për një media të lirë demokratike”.
Ai kërkoi bashkëpunimin e të gjitha palëve për ta bërë të mundur lirinë e medias. " Duhet angazhimi i të gjitha palëve për lirinë e medias"- tha Sequi duke kërkuar miratimin sa më të shpejtë të pr/ligjit për mediat audiovizive.
Seminari u organizua në kontekstin e përqasjes së re të çëshjeve të lirisë së shprehjes dhe medias të theksuara në Strategjinë e Zgjerimit 2011-2012 të Bashkimit Evropian dhe në vijim të Raportit të Progresit 2012.
KONKLUZIONET
Këshilltar Kryesor i ngarkuar për Shoqërinë Civile dhe Median i Drejtorit të Përgjithshëm për Komisionin Evropian, Andris Kesteris, deklaroi konkluzionet e nxjerra në këtë seminar. Kesteris dha nga një konkluzion për secilën prej temave të diskutuara në panelet kushtuar lirisë së medias në Shqipëri.
SHPIFJA - Duke qenë se shpifja mbetet ende vepër penale në ligjin mediatik, Kesteris tha se nevojitet trajnimi i gjyqtarëve që të dinë si ta trajtojnë këtë çështje. Më herët Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin e tij sa i përket shpifjes, ku ka deklaruar se duhet të mos jetë më vepër penale.
KUSHTET E PUNES SE GAZETAREVE DHE ETIKA NE MEDIA - Përfaqësuesi i Komisionit Evropian vuri theksin në aplikimin e ligjeve që ofrojnë garanci për gazetarët. Dhe nga ana tjetër sipas tij, media duhet të aplikojë kodet e veta sa i përket pavarësisë dhe balancimit.
TREGU MEDIATIK - Në këtë pjesë të seminari të përgjithshëm për lirinë e medias në Shqipërisë, Këshilltar Kryesor i ngarkuar për Shoqërinë Civile dhe Median i Drejtorit të Përgjithshëm për Komisionin Evropian, Andris Kesteris nxori konkluzionin se nuk duhet të vonohet më ligji për mediat audiovizive që aktualisht po diskutohet në Komisionin e Medias. Për AMA, që do jetë emri i ri i KKRT Kesteris theksoi se duhet të jetë i pavarur. Ndërkohë që sipas tij nevojitet bashkëpunim mes AMA, si ent rregullator i qeverisë dhe operatorëve të tregut.
TRANSMETUESI PUBLIK - Për këtë aspekt të fushës së medias, Kesteris deklaroi se “pavarësia dhe balancimi i transmetuesit publik nis me autonominë financiare”, pra sipas tij, duhet gjetur një zgjidhje për të rikuperuar fondet e nevojshme.
KALIMI NGA TRANSMETIMI ANALOG NE DIXHITAL - Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Kesteris tha se nëse nuk respektohet skadenca për kalimin nga transmetimi analog në atë dixhital, atëherë do të lindin probleme mes vendeve që ia dolën të bëjnë kalimin në kohë dhe atyre që kanë mbetur mbrapa.
LESKAJ: KKRT ME MILITANTE TVSH INSTRUMENT NE DUART E QEVERISE
Kryetarja e Komisionit të medias, deputetja socialist Valentina Leskaj tha se KKRT përbëhet nga militantë. "Sot KKRT është mbushur me militantë, që ndonjëherë dalin në shtyp për të bërë propagandë për Partinë në qeveri. Pjesa dërrmuese e vendimeve të KKRT nuk janë ekzekutuar nga drejtoria e tatimeve. Procesi klientelist dhe gjoba selektive të KKRT nuk ka mundësuar konkurencën e ndershme.”- nënvizoi Leskaj duke shtuar se “KKRT pranoi dështimin për mbrojtjen e të drejtës së autorit”.
Zonja Leskaj u ndal dhe tek Radio Televizioni Shqiptar, duke deklaruar se nuk mund të quhet transmetues publik por një instrument në duart e qeverisë.
“RTSH është një institucion pa identitet të qartë as publik as privat, por një instrument në duart të qeverisë. RTSH nuk mund të jetë dhe nuk mund të quhet publik.”- tha Leskaj duke shtuar se minutazhi që i vihet opozitës në dispozicion është 11 herë më e vogël se koha e kryeministrit.
REMZI LANI: SKEMA JONE MEDIATIKE KAOTIKE, ENDE JO E PAVARUR
Kreu i Institutit të Medias, Remzi Lani dha këtë vlerësim për skemën mediatike shqiptare:
"Është kaotike, vibrante, por ende e pavarur. Një watchdog e politikës por jo radhë një klient i tyre. Është institucioni më i besuar në luftën kundër korrupsionit. ...Skema e medias ka kontradikta, disbalanca ose paradokse që kërkojnë zgjidhje imediate. Kemi numër më të madh të titujve të gazetave për frymë në Europë, por numrin më të vogël të gazetave për frymë në Europë. Një media nacionale mjaft të fuqishme, dhe media lokale mjaft e zbehtë...”
BASHA: MEDIAT JANE NE PIKET TE HALLIT
Drejtoresha e gazetës SHQIPTARJA.com Anila Basha shprehu shqetësimin për reklamat shtetërore, por edhe për një kontroll të paligjshëm që i është bërë gazetës nga Bashkia e Tiranës.
“Reklamat shtetërore janë një problem shumë i madh që hasim. Na është bërë edhe një kontroll nga Bashkia e Tiranës, që ishte i paligjshëm sepse jemi biznes i madh dhe jo i vogël. Nuk dua të merrem me tregun se ka pronarë që kanë edhe disa media njëherësh dhe ska asnjë mekanizëm që t’i kontrollojë ata. Mediat janë në pikë të hallit", u shpreh drejtoresha e gazetës SHQIPTARJA.com, Anila Basha.
MALLTEZI: NESE KENI, NA THONI FORMULEN SI TE MBIJETOJE MEDIA E LIRE
Drejtoresha e kompanisë “FREE & FAIR MEDIA GROUP”, Alba Malltezi theksoi se “në një vit ne Shqiptarja.com kemi pasur kënaqësi të mëdha profesionale por jo ekonomike. Nesë keni një formulë si mund të mbijetojë media e lirë do ta dëgjonim me kënaqësi”.
“Ka të drejtë Ylli Rakipi, kur thotë se sot mungojnë aktorët e vërtetë mediatik, ndoshta aktivitete të tilla kanë kohë që nuk organizohen. Ambasadori Sequi foli për fondet, ne nuk e dimë si janë ndarë ato. Në një vit ne Shqiptarja.com kemi pasur kënaqësi të mëdha profesionale por jo ekonomike. Nesë keni një formulë si mund të mbijetojë media e lirë do ta dëgjonim me kënaqësi”, u shpreh Malltezi.
WHITE: TE GJEJME FORMA TE REJA FINANCIMI
Kreu i Rrjetit të Gazetarisë Etike, Aidan White u shpreh se “duhet të gjejmë forma të reja financimi. Gazetaria ka gjithnjë e më shumë një rol publik. Duhet të krijojmë struktura të reja për rolin publik të informacionit në Shqipëri”.
POLLO: NDARJA E REKLAMAVE SHTETERORE TE JETE NE BAZE TE NEUTRALITETIT
Sa i takon kritikave për reklamat shtetërore, Ministri i Novacionit Genc Pollo tha se “Mbetem i parimit se përcjellja e reklamave shtetërore, duhet të jetë në bazë të neutralitetit“. Për ministrin Pollo: “Miratimi i pr/ligjit për median audiovizuale do i japë fund sagës së gjobave të vendosura nga KKRT që mbeten ende të pambledhura”.
BREGU: ASNJE GAZETAR NUK PENALIZOHET
Në fjalën e saj, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, çmoi kurajon e gazetarëve duke nënvizuar si të rëndësishme faktin që gazetarët nuk penalizohen më për gjërat që shkruajnë. "Sot, sidomos diskutimi për lirinë e medias për vendet aspirante në BE, nuk limitohet me lidhjet qeveri-media, apo ndërhyrja e politikanëve, qeveria ndërton politika, ndërsa vijën e hollë që ndan qëndrimin profesional, lirinë e brendshme nuk e vendos qeveria, por drejtuesit e mediave. Pushteti i medias duhet të forcohet në lirinë brenda tij. Në emër të medias së lirë qeveria ka ndërmarrë reforma të mëdha. Që nga vitit 2005 asnjë procedim ndaj gazetarëve. Janë bërë ndryshime në kodin penal për shpifjen. Të tilla vendime e inkurajojnë lirinë e medias” tha Bregu.
Redaksia Online
(Gre.M/sg/eç/shqiptarja.com)