BRUKSEL, 15 gusht /ATSH-AFP/ -Shumë ministra evropianë të Punëve të Jashtme, të mbledhur sot në Bruksel, paralajmëruan Rusinë kundër çdolloj ndërhyrjeje ushtarake në Ukrainë, si reagim ndaj informacioneve që flasin për hyrjen e autoblindeve ruse në territor ukrainas.
"Jam shumë i alarmaur nga informacioni i hyrjes së blindeve ruse në territorin ukrainas, nëse ka mjete apo personel ushtarak rus në Ukrainë ata duhet të tërhiqen menjëherë ose pasojat do të jenë shumë serioze", deklaroi ministri britanik i Punëve të Jashtme, Philip Hammond.
Ai u shpreh pak çaste pasi Ukraina konfirmoi hyrjen e një autokolone ushtarake ruse në territorin e saj nëpërmjet një pike kufitare që kontrollohet nga separatistët prorusë në Lindje, që u sinjalizua gjithashtu edhe nga disa gazetarë britanik në terren.
"Është një situatë shumë e rrezikshme", shtoi Hammond.
"Bëhet fjalë për një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare", deklaroi nga ana e tij homologu suedez, Carl Bildt.
Ministri danez, Martin Lidegaard, është shprehur se "është thellësisht shqetësuar nga sjellja rruse muajt e fundit por gjithashtu edhe orët e fundit".
"Autoritetet ruse duhet të jenë të ndërgjegjshëm se sikurse SHBA-ja edhe BE-ja, është gati t'i përgjigjet çdolloj agresioni nga Rusia", shtoi ai.
Ministrat e BE-së u mblodhën sot në Bruksel për një mbledhje urgjente për manifestimin e mbështetjes evropiane ndaj irakianëve që po luftojnë kundër Shtetit Islamik si dhe për analizimin krizën në Ukrainë./
/G.S/