BRUKSEL, 4 dhjetor /ATSH-AFP/ - Komisioni Evropian njoftoi sot se do të japë 180 milionë euro për të ndihmuar rreth 1,7 milionë refugjatë sirianë, në veçanti në fushën e arsimit dhe të zhvillimit profesional.
Kjo ndihmë i drejtohet popullsive të shpërngulura brenda Sirisë, si dhe atyre të pritur në Liban dhe në Jordani, që mbajnë peshën kryesore humanitare të krizës siriane, theksoi Komisioni.
OKB-ja i kishte kërkuar në fund të tetorit më shumë para komunitetit ndërkombëtar, dhe i kishte kërkuar vendeve të tjera kufitare me Sirinë të hapin më shumë dyert e tyre për refugjatët.
Në totalin e shumës, 41 milionë do të financojnë programet e asistencës brenda Sirisë, veçanërisht në çështjet e edukimit dhe të shëndetësisë, në bashkëpunim me OJQ-të, UNICEF dhe PAM.
Refugjatët në Jordani do të përfitojnë nga një shumë prej 66 milionë euro, ku 45 milionë do t'i shkojnë ministrisë jordaneze të Arsimit për ta ndihmuar që të shkollojë fëmijët sirianë.
Pjesa tjetër 73 milionë euro, do t'i shkojë refugjatëve në Liban, pjesa më e madhe e fondit (56,5 milionë euro) do t'i dedikohet arsimit dhe shëndetësisë.
Këto fonde i shtohen një shume prej 150 milionë euro që i janë dhënë si ndihmë humanitare për Sirinë në vitin 2014, theksoi Komisioni./
/G.S/