BE i dhuron Shqipërisë materiale kontrolli të testimit për COVID-19

BE i dhuron Shqipërisë materiale kontrolli të testimit për COVID-19

Drejtuesja e ISHP, Albana Fico dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca dorëzoi sot mostra materialesh kontrolli të testimit për COVID-19 pranë Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, autoriteti i testimit për Covid-19 në vend. Dhurimi është pjesë e ndihmës më të gjerë të BE-së për Shqipërinë në luftën kundër COVID-19. Materiali kontrollues i krijuar së fundmi po përdoret nga laboratorët në BE për të kontrolluar funksionimin e saktë të testeve të koronavirusit. Kompletet e dhuruara për Shqipërinë do të mundësojnë një saktësi të shtuar për deri në 20.000 komplete testimi COVID-19. Kompletet janë thelbësore për të shmangur rezultatet e rreme negative të testimit dhe veçanërisht të rëndësishme në një moment kur autoritetet publike po shqyrtojnë zbutjen e disa kufizimeve të lirisë së lëvizjes. Këto komplete janë krijuar nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e BE-së dhe po u dhurohen vendeve partnere të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë me 50 milionë Euro për të luftuar COVID-19. Tashmë janë kontraktuar 4 milionë Euro për furnizimin me pajisje mjekësore për shpëtimin e menjëhershëm të jetës. BE-ja po bashkëpunon me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS) në mënyrë që kjo mbështetje të sigurojë artikujt e nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur. Artikujt përfshijnë ventilatorë, ambulanca, aparatura portative për ekzaminime me rreze X, shtretër për Njësitë e Kujdesit Intensiv, materiale mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Veç kësaj, programi i BE-së për zbatimin e ligjit, PAMECA, dhuroi 3.000 dezinfektues duarsh për policinë shqiptare.

BE-ja do të sigurojë gjithashtu 46.7 milionë Euro për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Në nivelin makro-ekonomik, Shqipërisë do t’i vihet në dispozicion një shumë shtesë prej 180 milionë Eurosh në formën e huave shumë të favorshme. Qëllimi i këtyre fondeve është të kontribuojnë për forcimin e stabilitetit makro-ekonomik për të mundësuar kanalizimin e burimeve drejt mbrojtjes së qytetarëve dhe zbutjes së pasojave të COVID-19.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi: “Komisioni Evropian iu kundërvu sfidave globale të paraqitura nga pandemia e koronavirusit me një paketë reagimi mjaft ambicioze prej më shumë se 15.6 miliardë Eurosh. Ndërsa Bashkimi Evropian po bën çmos për t’i mbështetur qytetarët e tij, është gjithashtu detyra jonë të ndihmojmë partnerët dhe miqtë tanë. Ndikimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor ka të ngjarë të jetë dramatik. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me autoritetet shqiptare për t’i trajtuar këto sfida të përbashkëta”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, tashmë janë përjashtuar nga autorizimi për eksport për pajisje mbrojtëse personale (PMP). Rajoni, përfshirë Shqipërinë, është përfshirë në nismat e BE-së siç janë Marrëveshja e Përbashkët e Prokurimit për pajisje mjekësore dhe sistemi evropian i alarmit të shpejtë për sëmundjet ngjitëse.

Konteksti

Një studim i kohëve të fundit në BE identifikoi mungesën e materialeve pozitive të kontrollit si një nga tri sfidat kryesore me të cilat përballen laboratorët për zbatimin e besueshëm të testeve të koronavirusit. Një material pozitiv kontrolli garanton që testet laboratorike funksionojnë saktë. Ai ndihmon për të shmangur që testi të japë një rezultat negativ nëse personi është pozitiv. Materiali i kontrollit i krijuar së fundmi është pjesë sintetike, jo-infektive e virusit. Mostrat janë shumë të përqendruara dhe kërkohet vetëm një sasi shumë e vogël materiali për të kontrolluar një test. Kjo do të thotë se një tub mostër është i mjaftueshëm që një laborator të kontrollojë deri në 20.000 teste.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave