TIRANË, 17 Dhjetor /ATSH-E.Xhajanka/- Bashkimi Evropian po mbështet prej disa vitesh konsolidimin e sistemit të sigurisë ushqimore në Shqipëri.
Burime nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bëjnë të ditur se, projekti i financuar nga Komuniteti Evropian CARDS 2005, po zbatohet në bashkëpunim me AKU. Deri më sot zbatimi i tij ka konsistuar në ngritjen e institucioneve ligjore dhe administrative të sigurisë ushqimore në vendin tonë, sipas modelit evropian.
AKU bën të ditur se, prioritet i këtij projekti është hartimi i një plani përafrimi të legjislacionit për sigurinë ushqimore dhe përgatitja e disa rregulloreve sipas Acquis Communautaire, zhvillimi i resurseve humane nëpërmjet trajnimeve të inspektorëve në qendër dhe rajone dhe ngritja e sistemit të informimit të shpejtë./m.m/










