BE mblidhet për imigrantët, në lojë vetë e ardhmja e Unionit

BE mblidhet për imigrantët, në lojë vetë e ardhmja e Unionit

Kancelarja Angela Merkel

Emigracioni është tema kryesore e Samitit të krerëve të BE-së, që po zhvillohet në Bruksel, rëndësia e të cilit u theksua edhe nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila tha se e ardhmja e Unionit varet nga përgjigjet që do të gjenden për këtë çështje thelbësore.

Por ndarjet për emigracionin e jashtëligjshëm vazhdojnë të thellohen, e ardhja në pushtet e qeverisë populiste në Itali e ka përshkallëzuar krizën. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë reformat për të zgjidhur krizën e imigracionit ndërsa filluan një takim dy-ditor të nivelit të lartë të enjten në Bruksel.

Takimi vjen mes paralajmërimeve se lëvizjet autoritare dhe "antievropiane" do të përfitojnë në se 28 udhëheqësit nuk do të arrijnë të qetësojnë tensionet mbi politikat e imigracionit

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën për të shqyrtuar mënyra të reja për të ndaluar valët e emigrantëve që hyjnë në Evropë, të dëshpëruar për të siguruar që dallimet e tyre mbi menaxhimin e flukseve nuk do ta përçajnë bllokun prej 28 vendesh.

Analistët mendojnë se, në këtë kuadër, Jugu i Europës, që përballet drejtpërdrejt me fluksin e emigrantëve dhe që ndihet i braktisur nga BE-ja, është vendosur kundër Veriut të kontinetit. Jo më kot, shefi i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi se brishtësia e BE-së po rritet, ashtu si të çarat brenda në union. Janë pikërisht udhëheqësit e mbledhur në Bruksel, ata që duhet të adresojnë situatën dhe deklaratat e para nuk duken premtuese.

Qendrimet

Austria tha se shpëtimi i njerëzve në Mesdhe nuk duhet kthyer në një biletë drejt Europës Qendrore, ndërsa Italia u shpreh se nuk i hyjnë më në punë fjalët, por ka nevojë të shohë vepra nga Europa.

Për Merkelin, çështja e emigracionit është një temë që rrezikon qeverinë e saj, pasi partneri në koalicion CSU i ka vendosur ultimatum deri në fundjavë për të arritur një marrëveshje për ndalimin e ardhjeve të reja.

Me Italinë që mbyll portet, me disa vende që refuzojnë shpërndarjen e emigrantëve dhe fluksin që nuk ndalet, BE-ja gjendet përballë një sfide të madhe, për të cilën kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se rreziku është i lartë, ndërsa koha e shkurtër.

Presidenti francez Emanuel Macron tha se ekziston një alternativë e thjeshtë për zgjidhjen e krizës që është bashkëpunimi. "Sot ekziston një alternativë e thjeshtë që na parashtrohet të gjithëve: A duam zgjidhje kombëtare apo besojmë në zgjidhjen evropiane të bashkëpunimit? Unë do të mbroj zgjidhjen evropiane të bashkëpunimit brenda Bashkimit Evropian, brenda Shengenit, të bashkëpunimit brenda kuadrit të marrëveshjeve aktuale dhe modernizimit të tyre ".

Numri i imigrantëve që shkojnë në Evropë ka rënë ndjeshëm, por partitë nacionaliste kanë konsoliduar pozicionet e tyre duke fituar vota dhe duke shfrytëzuar frikën ndaj të huajve.

Kriza politike e shkaktuar nga paaftësia e BE-së për të ndarë përgjegjësitë për ata që hyjnë, po minon udhëheqjen e Kancelares gjermane Angela Merkel. Pasojë e saj ishte ardhja në pushtet e qeverisë anti-evropiane në Itali. Kryeministri italian Giuseppe Conte tha se "takimi do të jetë një pikë kthese". “Sot është një ditë shumë e rëndësishme, presim që fjalët të kthehen në fakte. Në fakt, Italia nuk ka më nevojë për sugjerime dhe deklarata verbale, por fakte konkrete. Sot është një rast i mirë për këtë. Nga ky këndvështrim, ky takim do të jetë një pikë kthese dhe unë jam gati të merrem me pasojat".

Kryeministri hungarez Viktor Orban e cilësoi imigracionin në Evropë si një "pushtim" që "duhet të ndalet". Zoti Orban këmbëngul se, përtej mbylljes së kufijve, shtetet anëtare të BE-së duhet të mbështesin edhe ata që kanë mbërritur tashmë. "Është koha për të filluar një periudhë të re ku të përpiqemi të rindërtojmë demokracinë evropiane dhe më në fund të bëjmë atë që duan vërtetë njerëzit. Ata duan dy gjëra: e para jo më imigrantë, pra t’i ndalim ata. Dhe e dyta ata që janë këtu, të kthehen. Shpresoj që kjo të ndodhë sot”. Kreu nacionalist i krahut të djathtë ka kritikuar demokracitë liberale, duke thënë se qeveria e tij do të përpiqet të ndërtojë atë që ai e quajti një "demokraci të krishterë".

Tendencat

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, numri i migrantëve që vijnë në Evropë nga Deti Mesdhe ka rënë dukshëm nga mbi një milion në vitin 2015 në rreth 172,000 vitin e kaluar. Numri i të ardhurve nga deti këtë vit ka qenë 44,000 deri tani. Popullsia e BE-së është rreth 510 milionë banorë.

Përpara samitit, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk shkruajti në një letër se numri i kalimeve të paligjshme të kufirit ka rënë me 96% që nga kulmi i krizës. Politikat e zbatuara deri më tani kanë ndihmuar për ta ulur këtë numër, ndër to një marrëveshje e arritur me Turqinë për të ndërprerë shtigjet e emigracionit, si dhe për të ripranuar ata që ja dalin të kalojnë drejt Greqisë.

Bashkimi Evropian filloi gjithashtu punën për të trajtuar në origjinë problemet që i shtyjnë njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre.

Tusk propozon reforma të mëtejshme, ndër to edhe krijimin e “platformave rajonale të zbarkimit”, ku me ndihmën e agjensisë së OKB-së për refugjatët dhe Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, BE-ja mund të shqyrtojë jashtë territorit të saj rastet e azilkërkuesve, duke mos lejuar kështu aktivitetin e trafikantëve dhe kalimin e rrezikshëm përmes deteve. Ai po u kërkon gjithashtu vendeve anëtare të BE-së që të bashkëpunojnë me vendet e origjinës, në veçanti me Libinë.

“Gjithnjë e më shumë njerëz po fillojnë të besojnë se vetëm autoriteti i dorës së fortë, me frymë anti-evropiane dhe anti-liberale, me një tendencë drejt autoritarizmit, do të jetë në gjendje të ndalojë një valë emigracioni”, shkruajti zoti Tusk. “Nëse njerëzit e besojnë se vetëm kështu mund të ofrohet një zgjidhje efektive ndaj krizës së emigracionit, ata gjithashtu do të besojnë edhe gjithçka tjetër që mund t’ju thuhet. Momenti është tepër i rëndësishëm dhe koha është e pakët”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila në kulmin e krizës u radhit mes mbështetësve të politikës për të mirëpritur emigrantët, ndodhet tashmë nën presion nga kritikët në vendin e saj, të cilët thonë se Gjermania ka qenë më tepër mikpritëse se ç’duhet.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave