BE mirëpret shpalljen e aktakuzës për rastin e Banjskës - thirrje Serbisë për bashkëpunim

BE mirëpret shpalljen e aktakuzës për rastin e Banjskës - thirrje Serbisë për bashkëpunim

Flamuj të BE-së

Bashkimi Evropian mirëpriti të enjten shpalljen e aktakuzës nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës ndaj personave të përfshirë në sulmin e një viti më parë në fshatin Banjskë në veri të vendit, ndërsa theksoi se pret bashkëpunimin e Serbisë për këtë çështje.

“Bashkimi Evropian ka shprehur vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur pritshmërinë e tij që të gjithë ata që janë përgjegjës dhe të përfshirë në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës në një proces të rregullt”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, duke nënvizuar se qëndrimi i bllokut ka qenë i qartë që nga ngjarja e një viti më parë dhe se pret nga Serbia që të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e këtij sulmi.

Më 24 shtator të vitit 2023 një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, duke vrarë oficerin e policisë Afrim Bunjaku. Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën.

Të mërkurën, Prokuroria e Posaçme e Kosovës shpalli ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për përfshirje në sulm. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të enjten se aktakuzat për rastin në Banjskë kanë mundur të ngritën shumë më herët.

“Natyrisht siç thotë populli më ‘mirë vonë se kurrë’, por megjithatë atë duhet ta shohim përmbajtën e saj në mënyrë qe të mund të flasim për të. Ajo që ne insistojmë vazhdimisht ku do që ndodhemi, e para është dorëzimi i Milan Radojiçiçit autoriteteve të Kosovës, sepse krimin e ka kryer në Kosovë. Banjska është në Zveçan të Kosovës”, tha ai.

Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.

Kosova akuzoi Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit ndërsa ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen në Kosovë për t’u gjykuar nga autoritetet vendase.

Beogradi ka mohuar të jetë përfshirë në sulm duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.

Sulmi i 24 shtatorit cilësohet si ngjarja më e rendë që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, ndërsa diplomacia perëndimore u vu në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi në bazë të një marrëveshjeje që u arrit në muajin shkurt në Bruksel dhe për rrugët e zbatimit të së cilës palët u pajtuan në Ohër në muajin mars të vitit të kaluar.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se Serbia duhet ta ndryshojë qasjen e saj ndaj marrëveshjes.

“Duhet ta tërheqin atë letrën e ish-kryeministres (Ana) Bërnabiç më të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë prej marrëveshjes bazike dhe aneksit së zbatimit, duke thënë se nuk e pranon pavarësinë, nuk e respekton integritetin territorial dhe nuk do ta pranojë ulësen e Kosovës në OKB dhe së treti duhet qe të nënshkruhet marrëveshja bazike në mënyrë që të tregohet mirëbesimi si një garanci edhe juridike për zbatimin e marrëveshjes”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë javës së fundit i dërguari evropian për bisedime Miroslav Lajçak qëndroi në Prishtinë dhe në Beograd, duke paralajmëruar një takim mes kryenegociatorëve të të dyja palëve, por pa dhënë një datë të takimit të mundshëm.

Zoti Lajçak tha se Serbia ka tërhequr një letër dërguar Bashkimit Evropian në dhjetor të vitit 2023, por autoritetet në Kosovë thonë se nuk e kanë një informatë të tillë.

Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione, ndërsa kanë kritikuar qeverinë e Kosovës për veprime të nëjanshme e të pabashkërenduara.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç shkroi sot në rrjetet sociale pas një takimi me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Gioffre se ka kërkuar nga vendet anëtare të bllokut që urgjentisht dhe përmes angazhimit konkret të kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës, i cili sipas tij “kërcënon sigurinë e popullit serb dhe qëndrueshmërinë e gjithë rajonit”.

Qeveria e Kosovës është kritikuar edhe nga opozita në Kosovë për mungesë bashkërendimi me aleatët për shumë çështje përfshirë edhe synimet për hapjen e urës kryesore mbi lumi Ibër në Mitrovicë.

“Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n. Për ta thënë shkurt, shqip e qartë sepse ka një vijë që se kalojmë dot, NATO-ja dhe Kosova janë bashkë, asnjëherë përballë. Ky është orientimi popullor i Kosovës dhe qytetarëve tanë dhe ju garantoj se në asnjë dëshirë sado e errët e ekstremiste që është nuk mund dhe as ta testoj e më pak ta ndryshojë këtë orientim properëndimor të Kosovës”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Qeveria mohon të ketë përplasje me aleatët, duke theksuar se dallimet që shfaqen kanë të bëjnë me metodat por jo edhe qëllimet e përbashkëta.VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    SPAK merr të pandehur Berishën për korrupsion pasiv, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ethet e Nilit/ 79 të infektuar, 11 humbje jete! ISHP: Mosha mbi 60 vjeç më e prekur

Ethet e Nilit/ 79 të infektuar, 11 humbje jete! ISHP: Mosha mbi 60 vjeç më e prekur