Për më tepër kanë vendosur ta mbajnë nën një vëzhgim të rreptë situatën parazgjedhore, aq më tepër që kanë nisur që tani të sjellë grupe të mëdha monitorimi parazgjedhor. Duke qenë se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, i vetmi organizëm i madh dhe specifik ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota që nga pranvera e vitit 2009, për herë të parë do të ketë përfaqësues të lartë nga ky organizëm, që teksa kishte një përfaqësues të nivelit të ulët vite më parë, qytetarët shqiptarë drejtpërdrejt kanë marrë dhe kritikat e pakorrektuara të tij për procesin zgjedhor.
Kështu, përfaqësuesi i NATO-s, Brus Xhorxh ka qenë kritik në raportin që lexoi lidhur me zgjedhjet parlamentare në vend të vitit 2009, duke theksuar se “ishin larg standardeve” dhe se “ka ende shumë punë për të bërë”. Ndërkohë që këtë radhë pritet të vijë një delegacion i një niveli shumë të lartë nga NATO por dhe nga Bashkimi Evropian, organizëm tek i cili duam të integrohemi.
Mësohet se këto dy institucione përmes përfaqësuesve të tyre do të jenë ata që do të kenë dhe bazën e raportit përfundimtar për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, duke qënë se OSBE dhe ODIHR kane qenë në të gjitha zgjedhjet që nga viti 1992 e këtej, përjashtuar zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 shumë të butë me qeveritë respektive që ka organiziuar zgjedhjet në Shqipëri.
Njëherësh pritet që së shpejti do të dalë dhe raporti paraprak për situatën parazgjedhore në Shqipëri nga ODIHR-i, i cili disa ditë më parë përfundoi misionin e parë vëzhgues në vend. Mësohet se vëzhgues do të ketë dhe nga asambleja Parlamentare e OSBE, por është e sigurt që Grossruk, aq i akuzuar nga opozita nuk do jetë pjesë e këtij delegacioni vëzhgues në zgjedhjet e 23 qershorit.
Do të ketë mision vëzhgues të zgjeruar nga SHBA, pas deklaratave të Klinton që i cilësoi zgjedhjet një test të rëndësishëm për integrimin, por dhe nga Komisioni i Venecias, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, si dhe PSE dhe PPE përkatësisht të majtët dhe të djathtët evropianë në Parlamentin Evropian.
Një dyndje e tillë e vëzhguesve ndërkombëtarë për të monitoruar zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri vjen për shkak të rekordeve shumë negative që qeveritë shqiptare kanë pasur në vijimësi me zgjedhjet dhe për vetë faktin se situatat para zgjedhore, dita e zgjedhjeve dhe ato pas zgjedhore kanë qenë gjithnjë një burim i sigurt konflikti politik që ka sjellë për pasojë dhe kriza të gjata politike në vend, siç ishte dhe kriza e ardhur pas zgjedhjeve të vitit 2009 por dhe pas zgjedhjeve vendore të 8 majit në Tiranë, ku opozita akuzoi qeverinë që në mënyrë të hapur manipuloi rezultatin e zgjedhjeve.
Pikërisht bazuar në këto shqetësime dhe praktika negative që politika shqiptare ka prodhuar sa herë ka pasur zgjedhje, bazuar dhe në politizimin e KQZ që deri më tani më se njëherë ka vepruar sipas urdhrave politike, e denoncuar jo vetëm nga opozita por e deklaruar dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, situata aspak e favorshme me listat e zgjedhësve, qendrat e votimit, votimet e paralajmëruara familjare, përfshirja e nxenëseve të shkollave dhe administratës në fushatë, kanë bërë që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë nën një monitorim të rreptë ndërkombëtar duke kërkuar të mos lënë asnjë shteg kontestimi më pas nga humbësit.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)