Komisioni europian shpreh “shqetësime serioze” lidhur me projektligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, e propozuar nga qeveria, si pjesë e paketës fiskale e cila pritet të votohet gjatë seancës së sotme parlamentare.

Paqja fiskale’ është pjesë e dy projektligjeve të veçanta që parashikojnë përveç fshirjes së borxheve më të vjetra se 10 vjet, lehtësimin e detyrimeve më të reja, si dhe negocimin e fitimit mes tatimeve dhe biznesit. Këtij të fundit, i ofrohet mundësia të rideklarojë fitimet e fshehura përgjatë vitevve të fundit, deri në 30 përqind më shumë se deklarimi fillestar, me një normë tatimi 5 përqind për t’u paguar.

“Komisioni theksoi shqetësime serioze që lidhen me dekurajimin e pajtueshmërisë tatimore dhe përsëriti nevojën për vendosjen e masave mbrojtëse të forta kundër pastrimit të parave në propozim, ndërkohë që vazhdon të angazhohet në reduktimin e numrit të madh të përjashtimeve tatimore”. Qëndrimin e Brukselit e konfirmoi për Report Tv dhe Shqiptarja.com, Delegacioni i BE-së duke kujtuar se komentet e tij, Komisioni evropian ia ka paraqitur palës shqiptare edhe në takimin e Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet më 25-26 nëntor. Komisioni madje theksonte se “ne presim që këto shqetësime të adresohen”.

Ministri i Financave Petrit Malaj në një dalje mediatike të pak ditëve më parë deklaroi se “jemi konsultuar dhe me Bashkimin Evropian”. Projektligji u shoqërua me debate dhe gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, por shumica socialiste nuk pranoi asnjë ndërhyrje apo ndryshim.

Në reagimin e vet, Brukseli kujton edhe se gjatë negociatave për anëtarësimin, Qëndrimi i përbashkët i BE-së, për grupkapitujt e parë “Themeloret”, të hapura që vitin e kaluar, nënvizon rëndësinë që Shqipëria të sigurojë që "amnistitë e mundshme dhe programet vullnetare të pajtueshmërisë tatimore të jenë në përputhje me planet e vendit dhe të çojnë përpara luftën kundër krimit të organizuar dhe të jenë në përputhje me acquis përkatëse të BE-së dhe standardet ndërkombëtare, të tilla si ato të përcaktuara nga Moneyval dhe FATF".