Bizneset amerikane ankohen për procedura të gabuara nga administrata tatimore për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Shqetësimi u ngrit në forumin e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
“Pavarësisht se ka 10 vjet që ligji për TVSH-në, praktika e administratës tatimore është e gabuar në shumë çështje të ligjit për TVSH. Administrata tatimore gjen artifica për të mos e rimbursuar këtë TVSH kreditore duke i shtuar biznesit një kosto financimi për 20% të vlerës së TVSH-së”, tha Alketa Uruçi, kryetare e tatimeve dhe taksave në AMCHAM.
“Ne trajtojmë në vit rreth 1700 kërkesa për rimbursim. Pjesa më e madhe e tyre, pra 80% kalojnë pa kontroll menjëherë, ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël, pra kjo që ngelet kalon me kontroll dhe përgjithësisht lidhet me investimet”, tha Binaj.
Në fokus të Forumit, ishte edhe ‘Paqja Fiskale’, zbatimi i së cilës nis vitin tjetër, por që ende nuk është detajuar se si do të zbatohet.
“Është një qasje për të ndihmuar biznesin i cili gjithmonë ka kërkuar që të mos kontrollohet nga administrata tatimore për faktin e kohës që merr, kostove që ka kjo gjë. Kjo është një ofertë pra që i bëhet nga qeveria-biznesit, për ata që nuk duan të kontrollohen dhe janë gati të bëjnë pagesat që kërkon buxheti shtetit për të plotësuar mbledhjen e të ardhurave. Pasi ligji të bëhet do japë të gjitha sqarimet e nevojshme se si do implementohet paqja fiskale”, tha Binaj.
“Ne kërkojmë sistem tatimor të balancuar, të qëndrueshëm, luftë ndaj informalitetit, ndaj korrupsionit dhe kjo do të jetë motoja jonë kryesore”, tha Neritan Mullaj, drejtori ekzekutiv i AMCHAM.
Drejtori i tatimeve Ilir Binaj foli edhe për kontrollet që do të ushtrohen në sektorin e ndërtimit, që do të shtrihen edhe përgjatë vitit 2026. Këtij sektori do t’i lihen 30 ditë kohë për të reflektuar pas publikimit të listës së pagave, dhe për ata që nuk do të reagojnë do të nisin kontrollet të fokusuara jo vetëm tek rrogat por edhe tek çmimet e shitjes.
Komente












