Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian po zhvillojnë një takim urgjent në Bruksel për të diskutuar planet për armatosjen e kurdëve në luftë kundër ekstremistëve islamikë në Irak.
 
Takimi emergjent është thirrur nga ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius i cili ka kritikuar Bashkimin Europian për mosndërhyrje në Irak. “Ju ktheheni nga pushimet tuaja... ndërkohë që ka njerëz që po vdesin në Irak”.
 
Kështu i është drejtuar Fabius në një letër baroneshës Catherine Ashton. Ministrat e jashtëm të BE pritet të diskutojnë sot një plan të gjerë për të transportuar armë për ushtrinë irakene.
 
SHBA dhe Franaca kanë kohë që kanë filluar me armatosjen e luftëtarëve kurdë, ndërsa një numër shtetesh si Britania e Madhe, Gjermania dhe Çekia janë shprehur të gatshme për të ofruar ndihmë me armatime për luftëtarët kurdë në Irak. 

Ndërkaq, sot është raportuar edhe dorëheqja e kryeministrit Nouri Maliki, duke i lënë vendin nr 2 të parlamentit, Haider Al Abad. OKB-ja është shprehur se situata në vend është në nivelin më të lartë të emergjencës, pasi 1 milion irakenë mbeten të zhvendosur nga banesat e tyre, të izoluar në malin Sinjar.
 
Ndërkaq, një takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së pritet të miratojë një rezolutë që kërcënon me sanksione çdo vend që mbështet ekstremistët islamikë të ISIS.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)