Një histori e pazakontë vjen nga kampi i Sheffield United, ku futbolli ndërthuret me jetën personale në mënyrë krejt të veçantë. Mesfushori Oliver Arblaster është në pritje të fëmijës së tij të parë me partneren Martha Elizabeth Wilder, e cila është vajza e trajnerit të ekipit, Chris Wilder.
Lajmi u bë publik përmes një postimi në rrjetet sociale nga çifti, të dy vetëm 22 vjeç, të cilët ndanë momente të veçanta dhe foto që konfirmonin pritjen e ëmbël. Historia e tyre e dashurisë ka qenë në vëmendjen e tifozëve prej rreth një viti, që nga momenti kur ata e bënë publike lidhjen.
Reagimet nuk munguan, mijëra urime vërshuan në rrjetet sociale, përfshirë edhe nga shokët e skuadrës së Arblaster. Një nga komentet më tërheqëse erdhi nga nëna e futbollistit, e cila zbuloi se çifti pret një djalë.
Megjithatë, vëmendja kryesore mbetet te dinamika interesante brenda klubit. Me trajnerin Chris Wilder që pritet të bëhet gjysh dhe njëkohësisht të vazhdojë të drejtojë në fushë dhëndrin e tij të ardhshëm, shumëkush pyet se si do të ruhet balanca profesionale në ekip.
Një gjë është e sigurt brenda Sheffield United, ky sezon nuk do të mbahet mend vetëm për futbollin, por edhe për një histori familjare që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve.
Trajneri i Sheffield, Chris Wilder së bashku me futbollistin-dhëndër, Oliver Arblaster
Komente




