ELBASAN - Shqipëria ka fituar minimalisht 1:0 miqësoren kundër Uellsit të Rayan Giggs në "Elbasan Arena". Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, por me nisjen e të dytës kuqezinjtë kalojnë në avantazh, në minutën e 58 të takimit. 

Autor i golit ishte sulmuesi Bekim Balaj i cili nuk gaboi nga 11 metërshi i fituar nga Taulant Xhaka, pas një ndërhyrje të parregullt nga mbrojtësi ishullor. Arbitri maqedonas nuk heziton dhe tregon pikën e bardhë të penalltisë. Balaj, titullar për 90 minuta në këtë takim, merr përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe mposht portierin mik. Rezultati nuk ndryshon deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit.

Giggs përgjigjet me menjëherë duke futur ne fushën e lojës dy prej lojtarëve më të mirë, Gareth Bale i Real Madrid dhe Aaron Ramsey. Bale i afrohet golit në fundin e takimit, por mbrojtja kuqezi tregohet në lartësinë e duhur, duke i mohuar barazimin uellsianëve.

Kjo ishte ndeshja e fundit e Shqipërisë për këtë vit kalendarik dhe vjen 3 ditë pas humbjes turpëruese kundër Skocisë 0:4 në "Loro Boriçi" e vlefshme për Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë u renditën të fundit me vetëm tre pikë në 4 ndeshje të luajtura.

Pas kësaj fitoreje Christian Panucci merr frymë lirisht, pasi pozitat e tij ishin lëkundur ndjeshëm. Nuk dihet ende fati i italianit, por paraqitja e sotme në "Elbasan Arena" është një sinjal pozitiv për kthesën e kombëtares dhe ndoshta edhe vazhdimësinë e trajnerit. Pas ndeshjes në "Elbasan Arena", Pannuci u shpreh se kishte biseduar me presidentin e FSHF, Armand Duka, por pa dhënë detaje. Fitoren kundër Uellsit, Panucci e cilësoi si kthesë për ekipin, pas humbjes dramatike kundër Skocisë tre ditë më parë.