Me kritika të ashpra dhe akuza e priti Gazment Bardhi dekretimin e ligjit për pagat e magjistratëve nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.
“Asnjë surprizë nga roja e godinës së Parlamentit, Bajram Begaj!”, shkruajti kreu i grupit parlamentar demokrat, i cili shton se presidenti e ka vënë në pikëpyetje serioze mënyrën si po ushtrohet roli i tij kushtetues.
"Asnjë surprizë nga roja e godinës së Parlamentit, Bajram Begaj! Brenda 24 orëve, pa ushtruar në mënyrë të dukshme rolin e tij kushtetues si garant i Kushtetutës dhe si faktor ekuilibrues institucional, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar shpalljen e ligjit për statusin e magjistratëve. Çështja nuk është thjesht te pagat e magjistratëve. Bëhet fjalë për një ligj që prek drejtpërdrejt arkitekturën kushtetuese të shtetit, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe raportin ndërmjet pushteteve, veçanërisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve.
Kushtetuta e ka konceptuar Presidentin e Republikës si një figurë mbi palët, me një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit institucional dhe në përballimin e krizave kushtetuese. Pikërisht për këtë arsye, në momente të përplasjeve ndërmjet institucioneve, qytetarët presin nga Presidenti qëndrime të qarta dhe ushtrimin e plotë të kompetencave që i jep Kushtetuta. Injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, nëse konstatohet, nuk mund të reduktohet në një debat teknik mbi pagat e gjyqtarëve. Po aq serioze është edhe situata e krijuar nga vonesat në trajtimin e tyre financiar. Këto çështje kërkojnë zgjidhje në përputhje me Kushtetutën, jo një përshkallëzim të konfliktit ndërinstitucional.
Në këtë situatë, dekretimi i ligjit pa një qëndrim publik të Presidentit mbi përplasjen institucionale dhe mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po ushtrohet roli i tij kushtetues. Kushtetuta i ka dhënë një rol shumë më të rëndësishëm: të jetë mbi palët dhe të garantojë funksionimin kushtetues të shtetit. Për fat të keq, Presidenti i Republikës nuk perceptohet më si arbitër dhe garant i ekuilibrit kushtetues, por si një institucion që thjesht formalizon vendimmarrjen e mazhorancës. Institucioni i Presidentit nuk është Drejtor Thesari dhe as roje e godinës së Kuvendit. Bajram Begaj po", shkruan Bardhi.
Ndërkohë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kritikoi miratimin e ligjit me 84 vota nga Kuvend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka diktuar vendimmarrjen pa u konsultuar me magjistratët dhe duke shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Miratimi dje me kokëfortësi nga Kuvendi, nën diktimin e Edi Ramës, i ligjit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa konsultimin me grupin e interesit madje duke injoruar edhe Shoqatën Europiane të Gjyqtarëve, është tregues i papërgjegjshmërisë totale të një deliranti, i cili nuk njeh as Gjykatën Kushtetuese dhe asnjë parim të shtetit të së drejtës. Të gjitha mosveprimet e Kuvendit në kohën e përcaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, tregojnë qartë që kanë qenë me dashje dhe të diktuara nga Edi Rama, po ashtu si injorimi që iu bë përmbajtjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese dje.
Detyrimet e marra nga Kuvendi i Republikës në vitin 2016 për statusin dhe pagat e sistemit gjyqësor, si garanci për dinjitetin dhe pavarësinë e tyre duhen përmbushur pa asnjë devijim, bullizim dhe diskriminim nga Qeveria, që dikton edhe Kuvendin e nënshtruar tërësisht dhe jofunksional. Po kështu, dua të shpreh shqetësimin serioz për një krizë tjetër absurde të krijuar midis GJKKO të Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë, e cila dëmton rëndë parimet e mirëadministrimit të drejtësisë dhe proceset e rregullta ligjore penale.
Është i domosdoshëm dialogimi midis këtyre institucioneve për t'i dhënë fund sa më parë kësaj krize të panevojshme midis këtyre dy institucioneve. Është e paarsyeshme, arbitrare, joproporcionale që avokatët të vendosin midis dy presioneve, pra nga njëra anë nga Dhoma e Avokatisë dhe nga ana tjetër nga GJKKO e Shkallës së Parë. Ndaj mbizotërimi i parimit të procesit të rregullt ligjor duhet të përcaktojë tejkalimin e këtij ngërçi të papritur, të dëmshëm për të gjithë aktorët dhe të panevojshëm”, shkruan Meta.
Ndërsa deputeti i PL, Tedi Blushi reagoi ndaj ftesës së Ramës për të ulur në tryezë me magjistratët për një ligj të ri që paralajmëroi për piramidën e pagave shtetërore. Ai e pyet Ramën se përse kjo ftesë nuk u bë përpara 31 korrikut, kur përfundonte afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese, por vetëm pasi Kuvendi miratoi ligjin.
“Shumë mirë që më në fund po i fton magjistratët në tryezën e dialogut për çështjen e pagave. Dialogu, natyrisht, është gjithmonë i mirëpritur. Por, meqë na u kujtove kaq papritur, kam dy pyetje të thjeshta: Përse nuk e thirre këtë dialog para 31 korrikut, kur skadonte afati kushtetues? Përse pikërisht post-factum, një ditë pasi Kuvendi miratoi ligjin antikushtetues?
Dhe tani, një “lutje” modeste: Mos vidh kaq shumë. Sepse, me të paktën 4 miliard euro, që nuk arkëtohen në buxhet brenda një viti, ndoshta do të kishte para jo vetëm për t’ua rritur pagat gjyqtarëve, mjekëve e arsimtarëve, për të rritur pensionet dhe për të mbështetur bujqësinë, por edhe për një luks të vogël: Që t’ia rrisësh prapë pagën vetes”, shkruan Blushi.
Formula e re e pagave për magjistratët u miratua në seancën e 17 shtator me 84 vota pro dhe 24 kundër nga opozita. Socialistët ngritën kartonin jeshil, ndonëse ligji i propozuar prej tyre ka hasur kundërshtinë e opozitës dhe të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve. Presidenti Bajram Begaj firmosi me urgjencë dekretin dhe ligji hyri në fuqi menjëherë duke bërë që në gjykatat dhe prokuroritë e vendit nga sot të shpërndahen pagat me llogaritjen e re.
Formula e re përcakton se paga referuese e magjistratëve të jetë sa 38% e pagës së Presidentit të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh. Ndërkohë që magjistratët kërkonin një rritje rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.








