Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi mbrëmjen e së premtes, një darkë fundviti me gazetarë dhe përfaqësues të mediave, ku vlerësoi rolin dhe kontributin e tyre në informimin e publikut gjatë gjithë vitit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit shprehu mirënjohje për punën e gazetarëve, duke theksuar se viti ka qenë i mbushur me ngjarje të shumta, nga zhvillimet e përditshme deri te proceset politike më dinamike, të cilat, sipas tij, janë pasqyruar më së miri nga media.
Madje Begaj e cilësoi gazetarinë si një nga profesionet më të rëndësishme dhe me përgjegjësi të lartë, madje edhe më të rëndësishme se mjekësia. Pasi sipas tij, gazetarët mbajnë përgjegjësi direkte ndaj interesit publik.
"E konsideroj si takim festiv, meqenëse jemi në prag të mbylljes së vitit, por më shumë se sa një takim festiv, është një mirënjohje, një mirënjohje për çfare ju bëni përgjatë gjithë vitit. Në fakt, si çdo vit tjetër, ka qenë i pasur me ngjarje, nga ngjarjet rutinë, deri te ngjarjet dinamike, politike, që më mirë se ju, askush tjetër nuk i raporton.
Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është profesioni më i bukur në botë. Në fakt, jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari i njohur kolumbian, Gabriel Garcia Márquez, “Gazetaria është profesioni më i bukur në botë”, sepse është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por që ka një përgjegjësi shumë më të madhe se mjekët: mjekët përgjegjësinë e kanë me individin, ndërsa ju përgjegjësinë e keni me interesin publik. Dhe ju keni qenë prezent kudo për të raportuar, për të informuar.
Keni qenë në rrugë, keni qenë në institucione, kohë pa kohë, duke u përkushtuar dhe duke u angazhuar gjithmonë. Sot është dita për t’ju falënderuar për përkushtimin, për kontributin, dhe besoj se përgjegjësia e informimit për të vërtetën është ajo çfarë juve ju bën krenarë. Shumë faleminderit për punën dhe misionin tuaj", tha Begaj.
Komente










