Elita e futbollit shqiptar zbriti të premten në fushë me tre ndeshjet e para të raundit të 17-të. Vëmendjen e mori sfida mes Flamurtarit dhe Teutës në Vlorë, aty ku tifozët vendas u futën në fushë dhe tentuan të dhunonin futbollistët miq, me sfidën që u ndërpre për afro 25 minuta. Tri pikë siguruan Dinamo dhe Egnatia, ndërsa Partizani akuzoi për gjykim jo të rregullt. Sot në orën 13:30 luhen dy sfidat e mbetura për të kompletuar këtë raund, teksa spikat 'Klasikja' mes Tiranës dhe Vllaznisë e cila luhet në "Selman Stërmasi".
Në Vlorë, Flamurtari dhe Teuta barazuan 2-2 në një sfidë dramatike që zgjati më shumë se dy orë, kjo për shkak të trazirave nga tifozët. Në minutën e 69-të (rezultari 0-1) disa tifozë të Flamurtarit kapërcyen gardhet rrethuese dhe u futën në fushë për të dhunuar lojtarët miq, me kaosin që përfshiu të gjithë ambientin. U desh ndërhyrja e policisë që gjakrat të qetësoheshin, ndërsa arbitri Eldorian Hamiti dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes.
Pas bisedimeve me klubet, delegati i ndeshjes kërkoi që tribuna përballë të zbrazej nga tifozët që ndeshja të vijonte. Diçka e tillë ndodhi pas afro 25 minutash ndërprerje dhe Flamurtari përmbysi fillimisht disavantazhin e vendosur nga goli i Boçit me Chantakias dhe Oshafi, por Jazxhi barazoi në limite për 2-2, teksa skuadrat ndanë nga një pikë në 'luftën e Vlorës'.
Në "Air Albania" Dinamo fitoi 2-1 me përmbysje kundër Vorës. Një ish si Patrik Bardhi kaloi Vorën në epërsi pas 23 minutash nga pika e bardhë e 11 metërshit, teksa Teixeira dhe Bregu përmbysën sfidën në pjesën e dytë.
Në Rrogozhinë, kampionët në fuqi të Egnatias fituan 2-1 kundër Partizanit për t'i dhënë fund serisë prej shtatë takimeve pa humbje të të kuqve. Buric dhe Ndreca shënuan për vendasit, ndërsa Partizani u kujtua vonë dhe shkurtoi me Kazemm Ogunleye në minutën e dytë shtesë. Pas sfidës, trajneri Oltijon Kërnaja i Partizanit akuzoi gjykimin e dobët të sfidës.
Java e 17-të e Superligës mbyllet këtë të shtunë. Duke nisur nga ora 13:30 AF Elbasani kërkon të rikthehet në krye të renditjes, por përballë është Bylisi në "Adush Muça". Ndërkohë që në "Selman Stërmasi" luhet ajo që njihet si 'Klasikja' e futbollit shqiptar mes Tiranës dhe Vllaznisë.
Me dy ndeshje ende për t'u zhvilluar, për momentin është Egnatia që prin renditjen me 34 pikë, dy më shumë se AF Elbasani. Fundi sërish për Bylisin, Flamurtarin dhe Tiranën.
Superliga, raundi i 17-të:
E premte, 19 dhjetor 2025
16:30 Dinamo 2-1 Vora
16:30 Egnatia 2-1 Partizani
19:30 Flamurtari 2-2 Teuta
E shtunë, 20 dhjetor 2025
13:30 Bylis - AF Elbasani
Renditja:
Komente











