Begaj në 100-vjetorin e marrëdhënieve me SHBA-në: Ne qëndrojmë sot krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan

 

Në fjalën e tij në kuadër të veprimtarisë festive të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, presidenti i vendit Bajram Begaj u shpreh se këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë.

‘Edhe për mua, ashtu si edhe për parafolësit, është kënaqësi e veçantë që sot mblidhemi edhe një herë për të kremtuar 100-vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin tonë më të madh strategjik. Nuk do të doja të përsërisja aspak çka u tha më parë, por gjithsesi nuk mund të rri dot pa evidentuar (edhe njëherë) një moment të historisë, që lidhet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtyre marrëdhënieve.

Padyshim që rolin më të rëndësishme në krijimin e këtyre marrëdhenieve e ka luajtur Presidenti Uillson. Emër që ka fituar mirenjohjen e gjithë zemrave shqiptare – siç thoshte Noli, i cili bashkë me Konicën dhe Vatranët e tjerë, besonin fort në politikën amerikane të kohës dhe vunë gjithçka patën në shërbim të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Ishte Presidenti Uillson  që, me vizionin dhe përkushtimin e tij për një rend të ri botëror dhe një diplomaci të hapur, u bë mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë dhe moscopëtimit të trojeve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.

Ishte pikërisht kjo mbështetje e fuqishme që hodhi bazat më pas për formalizimin e marrëdhënieve diplomatike si sot 100 vjet më parë. Njëqind vite në historinë e trazuar të një vendi nuk janë pak. Këto janë vite të cilat e kanë shënjuar historinë e vendit tonë, ndërsa miqtë tanë amerikanë na kanë frymëzuar në rrugën drejt zhvillimit dhe forcimit të demokracisë.

Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë. Sot ne qendrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike. SHBA janë jo vetëm pjesë e aspiratave të kombit tonë, por edhe garantë të arritjeve tona.

Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik. Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë. Jam besimplotë se Shqipëria dhe Amerika do të vijojnë të jenë miq dhe partnerë të palëkundur të progresit. Partneriteti i ngushtë strategjik me SHBA-të do të gjejë hapësira të reja, ndërsa miqësia dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të zhvilluara në këto 100 vite, do të vijojnë të forcohen dhe përmirësohen edhe në qindra mijëra vitet e ardhshme.’- tha Begaj.


Lajmi kryesor:

100-vite marrëdhënie Shqipëri-SHBA, uron Biden: Krah jush në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë! Rama: Vendi ynë baza politike e Amerikës në Rajon


M.Q./Sh.Sh/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Ngrini' dialogun me Serbinë, Hasani: Propozimi i Ramës për Kosovën realist, logjikë e diskutuar me partnerët

'Ngrini' dialogun me Serbinë, Hasani: Propozimi i Ramës për Kosovën realist, logjikë e diskutuar me partnerët