Presidenti Bajram Begaj, priti sot të diplomuarit e rinj të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit i përgëzoi për përfundimin e programit, duke u shprehur se njohuritë e marra në këtë shkollë duhet t’i përdorin nesër si qytetarë aktivë të jetës publike.
Gjatë bashkëbisedimit, një vend i veçantë iu kushtua procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Begaj evidentoi faktin se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi: atë të mbylljes së negociatave, që i hap rrugë anëtarësimit të plotë në BE.
“Faza në të cilën ndodhemi kërkon shumë më shumë punë, shumë më shumë angazhim dhe shumë më shumë bashkëpunim për konsolidimin e shtetit ligjor, për të ndërtuar institucionet demokratike, për forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, për forcimin e medias dhe për dialog gjithëpërfshirës e konstruktiv”, - theksoi Presidenti Begaj,duke nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së ëndrrës dhe aspiratës së kahershme shqiptare për ta bërë Shqipërinë si Evropa me anëtarësimin e plotë të saj në BE.
Sipas Presidentit, anëtarësimi në BE është dhe përgjegjësi e madhe në përmbushjen e reformave që kanë të bëjnë me standardizimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë sonë në atë nivel që kërkon Bashkimi Evropian.
Begaj theksoi nevojën për vijimin e reformave transformuese që dëshmojnë pjekurinë e shtetit dhe të shoqërisë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes si një investim afatgjatë.
“Ju jeni ata që do të ndërtoni të ardhmen, - u shpreh Begaj gjatë bashkëbisedimit më të rinjtë,
Forcimi i demokracisë në vend dhe rritja e përgjegjësisë në vendimmarrje u cilësuan në këtë takim si elemente thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të vendit për plotësimin e standardeve e evropiane.
Presidenti vlerësoi dhe rolin e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike në ndërtimin e një kulture të re politike dhe qytetare me frymë evropiane e me ndikim në shoqërinë shqiptare. Një falënderim të veçantë Presidenti Begaj përcolli dhe ndaj Këshillit të Evropës për mbështetjen e dhënë, duke theksuar rëndësinë për forcimin e këtij partneriteti.
Komente







