Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ishte sot në Mirditë, ku mori pjesë në formalizimin e binjakëzimit mes Bashkisë së Mirditës dhe Komunës arbëreshe të San Cosmo Albanese të Italisë, një iniciativë e tij për të forcuar marrëdhëniet midis shqiptarëve.
“Më vjen mirë që sot jam së bashku me Kryetarin e Fondacionit Arbëresh të Kalabrisë, me Kryetarin e Bashkisë së San Cosmo Albenese dhe Kryetarin e Bashkisë së Junikut në Kosovë. E ku më mirë se në Mirditë mund të bëhen bashkë Arbëria, Shqipëria dhe Kosova. Unë ndihem mjaft i lumtur që më së fundi është një vend ku ne jemi bashkë. Së bashku mendoj se mund të bëjmë gjëra të mira. Ku ka vullnet dhe dëshirë, gjithmonë gjenden mundësi dhe këto mundësi gjithmonë duhet të shfrytëzohen në të mirë të qytetarëve”.
Begaj shprehu mirënjohje për Kryetarin e Bashkisë Albert Melushi, për projektin e përbashkët me Komunën e Junikut, “Mirditë-Junik”, një iniciativë për të krijuar një infrastrukturë të qëndrueshme turistike në zonën ndërkufitare, e mbështetur nga Bashkimi Evropian.
“Në fakt, nuk ka si të gjesh më mirë se Mirdita. Në Mirditë je në vendin e historisë, në vendin e patriotizmit dhe në vendin e mikpritjes e të bujarisë. Projekti i quajtur Arbëria, Albania dhe Italia, në kuadër të të cilit u zhvillua binjakëzimi midis dy bashkive, është një projekt madhor. Sot në Mirditë dua t’i jap udhë një tjetër iniciative për bashkimin e vlerave të shqiptarëve kudo janë, për ruajtjen e vëllazërisë, të kulturës e të traditës sonë, që do ta pagëzoj me emrin “Rrënjët”.
Ashtu siç ushqejmë rrënjët që të rritet pema e të kemi frytet e saj, kështu ne së bashku do të punojmë për të forcuar lidhjet ndërshqiptare. Duhet të punojmë që këtë bashkëpunim ta forcojmë, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbështesim njëri-tjetrin”, u shpreh Begaj.
Në fund Begaj uroj për të gjithë një vit sa më të mbarë.