Behar Gjoka: Ja mashtrimet
e biografit Mato me Kutelin

“Një përbaltje e tmerrshme” e Kutelit e quan studiuesi Behar Gjoka daljen në dritë të librit “Kuteli, kalvari i një jete plot brenga” me autor Tomi Maton. Behar Gjoka është njëkohësisht edhe autori i një libri unik studimor për Kutelin që titullohet “Proza e Kutelit”. Më 27 dhjetor Gjykata e Shkallës së Parë e Pogradecit ka bllokuar librin “Kuteli, kalvari i një jete plot brenga” me autor Tomi Maton. Vendimi është marrë në seancën e parë të procesit gjyqësor që ka nisur familja e Dhimitër Paskos ndaj Tomi Matos me një padi “për shpifje, denigrim të figurës dhe keqinformim të publikut”, ku thuhet ndër të tjera se “Deformimet fillojnë me emrin e shkrimtarit”. Familja ka bërë kallëzim edhe për detaje të tjera në libër për foto me diçitura të rreme.
 
Zoti Gjoka, ju njiheni edhe si studiues i mirëfilltë i veprës së Kutelit. Cili ka qenë reagimi juaj i parë kur morët vesh për librin e Tomi Matos?
-Në fakt u shqetësova jo pak, për arsye se merrej me jetën, në një formë absurde, sikur po flet vetë Kuteli, pra në ligjëratë të drejtë. Ndjehesh keq, sepse në atë formë, Kuteli dhe jeta e tij, është dhunuar, si dhe, kemi një spostim të vëmendjes nga vepra në biografinë e tij, aq më tepër të shtrembëruar, siç kanë vënë re familjarët e tij, por në fakt ky është një problem i kulturës sonë, i botimit, i raporteve të mbrapshta, ku kushdo që paguan botimin e librit, ia mësyn thurjes së historisë, sipas njohjeve dhe shijeve personale, ku e vërteta, duket se ka pak hapësirë.
 
Ky libër ka edhe një ISBN të marrë nga Biblioteka Kombëtare. Kush mban përgjegjësi, sepse studentët, studiuesit, do të mbrojnë një dite tezat e tyre duke e shfrytëzuar këtë libër?
-Duhet reaguar, madje me forcë, nga ana e Ministrisë së Kulturës në lidhje me momentin e shkeljes së të drejtës së autorit, të praktikës së botimit, prej faktit se është ky institucion që i pajis me licensë shtëpitë botuese. Po ashtu është pajisur me ISBN nga Biblioteka, çka me sa duket në këtë rast ka qenë një akt formal. Pra, libri, që rezulton me deformime, tw cilat i kanw zbuluar vet familjarët ka kapërcyer të gjitha rrjetat e botimit. Përgjegjësia është e shumëfishtë, e institucioneve kulturore, arsimore, e medias, e gjithë faktorëve që merren me librin, të cilat do të duhet të përfshihen në një proces të plotë reformues, sepse po bëhemi popull shkrimtar, poet, doktor dhe profesor, por kemi lënë mbas dore leximin, pra edhe veprën letrare të Kutelit.
 
Është rasti i parë që shtrembërohet e vërteta për Kutelin?
-Kulmin e vetë denigrues dhe kundërvënës ndaj figurës dhe veprës letrare të Kutelit, e shpreh fakti që vargjet e “Poemit kosovar”, në vitin 1998 janë dorëzuar në Gjykatën e Hagës nga ana e disa ekspertëve, në një përmbledhje të gjatë, në mes të tjerash, me këto të dhëna, ISBN: 960-86206-0-0 © 1998 by the International Helsinki Federation for Human Rights (IHF) All rights reserved, për të argumentuar gjenocidin shqiptar kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Por kwtw herw denigrimi i Kutelit, sidomos i jetës së tij, vjen nga një pogradecar me emrin Tomi Mato, nga vendlindja e shkrimtarit, përmes një libri që është botuar në vitin 2012, që është promovuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, si tekst “i një miku të Kutelit”. Pra, tashmë ky libër mundej që të kishte konkurruar edhe pranë Ministrisë së Kulturës për çmim letrar. Po ky autor ka botuar një libër për Lasgushin që më ra në dorë sot. Por ka shumë, madje ka edhe raste që librat e mashtruesve, hajnave të jetës dhe veprës së autorëve, që në filologjik citohen, përdoren si vepra për të formuar brezat, çka përbën edhe dëmin më të madh. Pasardhësit e Kutelit kanë reaguar, të tjerët e pësojnë dhe ose merret vesh po heshtet... Tashmë duhen gjetur mjetet dhe format, për të frenuar plagjiaturën, shtrembërimin dhe të shmangim nga udha shkarrashkruesit e shumtë dhe të shumëllojtë.

Ja disa një nga shtrembërimet që Mato i bën emrit të shkrimtarit, që përgjithësisht e quan Dhimitriut, por arrin deri aty sa në një dialog, shkruan: “Ti je, Dhimitër Paskua (Paskulesku) (2012: 316), Shtëpia Botuese, EDLORA. Pra, hapur dhe fshehurazi, në linjë individuale dhe zyrtare, sërish është vijuar që të hidhet baltë mbi figurën e Kutelit, me qëllimin e vetëm që të lihet në harresë vepra letrare, pjesa më e vyer që trashëgojmë prej tij.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi