Behar Shtylla: Shkrimtarët e
artistët që folën kundër Lubonjës

Behar Shtylla: Shkrimtarët e<br />artistët që folën kundër Lubonjës
Në prag të stuhisë, pak ditë para Plenumit famëkeq të qershorit 1973, ku Enver Hoxha dënoi me forcë liberalizImin në art e kulturë, me 31 maj 1973 nga Korça dërgohej një relacion përvëlues për Komitetin Qendror. Autori i këtij relacioni është Behar Shtylla, njëriu më i besuar i Hoxhës për politikën e jashtme, i cili në këtë kohë dukej se kishte një mision të veçantë, të zbulonte në qytetin e tij të lindjes e të mblidhte të dhëna për disa njerëz, të cilët më vonë do të burgoseshin me akuzën sabotim në fushën e artit dhe kulturës.  

Shqiptarja.com (print) publikoi në dy numra dokumentin e  Behar Shtyllës që mban datën Tiranë 31 maj 1973. R
elacioni i hartuar, zbulon që në fillim se ky skaner i jetës letrare e artistike në Korçë bëhej me porosi të Hysni Kapos.

Shkrimi i sotëm është vazhdim i pjeses se pare publikuar dje Behar Shtylla: Paçrami, Lubonja e Luarasi shthurën artin në Korçë

Në Korçë ka mjaft kuadro muzikore të reja e të aftë, por këta kanë mbetur të mbyllur në punë zyrtare, nuk aktivizohen në punë me masat. Kompozitorin e ri Rikardo Jorganxhi Todi e mbante afër si të preferuar, u dëmtua puna u dëmtua dhe ai.
Në mbledhje pati kritika se në shkollat tona nuk bëhet edukim muzikor i shëndoshë, se në qytet nuk ka jetë koncertale të mirë që të edukojë masat me shije të shëndosha muzikore. Kristo Kono foli për kujdesin e madh të partisë për muzikën, për vijën e saj të drejtë që muzika jonë të jetë nacionale nga forma e me përmbajtje socialiste dhe premtoi se kompozitorët korçarë nuk do t’i lejojnë vetes devijime si ato të festivalit të 11 të Radio Tiranës.

Në takim më vete, Konua më pyeti nëse mund të bëjnë opereta dhe opera (pas kritikës që iu bë operës Skënderbeu të Durrësit e që ai e quajti të drejtë) dhe nëse mund të ngrenë përsëri orkestër e grupe artistike muzikore se ka shumë mundësi. I thashë se Partia jo vetëm nuk i pengon, por i inkurajon këto, natyrisht kur bëhen në vijë të drejtë dhe, për amatorët, jashtë kohës së punës. Si duket, i ka mbetur qefi që nuk u aprovua opera e tij Prometeu, të cilën, tha, e bëri me porosi të shokut Enver; nga kjo opera ka ndërmënd të japë për ekzekutim disa pjesë.

Këto vitet e fundit ai ka prodhuar shumë, por, me përjashtim të Shtëpisë së krijimtarisë popullore që ka përdorur disa në Buletinet e saj, ato as janë incizuar as janë ekzekutuar. Ai vazhdon të punojë. Ka gati dy volume me këngë popullore të përpunuara, ka mbaruar autobiografinë e tij muzikore deri sivjet. I propozova dhe pranoi që të bëjë dy studime: e para, historikun e artit muzikor qytetar në Korçë; e dyta, studim mbi muzikën popullore të rrethit të Korçës (motive, melodi, linja).
 
c.- Në artet figurative.
Edhe në këtë fushë, sidomos në pikturë, ka patur influenca të huaja. Për imitime të artit të huaj dekadent u kritikua ndër të tjerë, Andrea Themeli për grafiket e tij. Ky ka qënë ndër ata të rinj që mbante më afër Todi Lubonja. Ai pranoi vetë se ka bërë “huazime” në formë e në teknikë, por jo në çështje ideore.
U kritikua kryesia e Degës se porositë që dha vjet shoku Enver gjatë vizitës në galerinë e arteve në Korçë nuk ishin bërë objekt diskutimi dhe të nxirreshin konkluzionet për veprim në fushën e arteve figurative.

Në Korçë ka mjaft piktorë të rinj diletantë, që nuk janë as antarë as kandidatë të Lidhjes. Disa nga ata kanë edhe talent, por nuk përkrahen, bile gjejnë pengesa dhe kërkuan ndihmën e Degës dhe të piktorëve më të vjetër. Në bazë të rregullave të caktuara, bile piktorët diletantë nuk mund të blenë në treg as bojra vaji, këto janë vetëm për antarët e kandidatët e Lidhjes. Atëhere si do ta zhvillojnë e ta afirmojnë ata talentin e tyre? Në mjaft nga këta piktorë të rinj ka edhe boshllëqe të ndjeshme ideoestetike, kulturale e profesionale. Në konkluzionet e mija, i rekomandova Kryesisë së Degës, e para të vlerësojë më mirë e të inkurajojë talentet e reja, e dyta të organizojë seminare për ngritjen e tyre teorike e profesionale dhe të organizojë patronazhin e talenteve të reja nga kuadrot me eksperiencë, e treta të ndërhyjë për t’u siguruar bazën materiale.
 
ç. – Problemi i brezave.
Në mbledhje dolli se në Korçë ishte krijuar një gjendje e pakënaqshme midis brezit të ri dhe brezit të vjetër në fushat e krijimtarisë letraro-artistike dhe në theatër. K. Kono tha se kjo ka qënë një punë e shëmtuar. Vangjush Tushi tha se pati mohim të traditës, të gjithçka është bërë edhe pas çlirimit, sikur vetëm pas viteve 60 ka hop krijues në pikturë, etj.  Andon Mara tha se kundërvënia e brezave ka patur vazhdë edhe në Korçë këto vjetët e fundit, sikur vetëm pas vitit 1969 (kur vajti Todi Lubonja) filloi atje jeta aktive letraro-artistike. Në shenjë ishin vënë si arkaikë, të shteruar e të vjetruar K. Kono, V. Ziko, V. Tushi, A. Mara, të cilët, në forma të ndryshme kanë qënë në kundërshtim me mendimet e Todit.

Ndonse akoma në diskutimet kishte ndonjë refleks e notë inati për këtë gjendje, dukesh se fjala e shokut Enver sikur i kishte çliruar të vjetër e të rinj nga një çqetësim i math. Edhe unë u fola se si i shikon partia këto probleme, si të bashkëpunojnë ngushtë pa dallim moshe e të luftojnë për të realizuar vepra të mira në vijën e partisë, se Todi Lubonja, duke krijuar konfliktin e paqënë të vjetër e të rinj donte të mënjanonte e t’i bënte të pakënaqur nga Partia kuadrot e vjetër dhe të nxiste elementë të rinj në rrugë të gabuar për të degjeneruar artin e letërsinë tonë revolucionare, për të degjeneruar socializmin, për të mbjellë ideologjinë revizioniste dhe goditur vijën e partisë, por partia u shkurtoi duart atij dhe Fadil Paçramit.
 
3. – Puna minuese e Todi Lubonjës.
Edhe në analizën e punës së Degës së Lidhjes edhe në atë të Teatrit dhe Estradës pati kritika të shumta për Todi Lubonjën, për pikëpamjet dhe qëndrimet e tij liberale por dhe përbuzëse, për punën e tij minuese e përçarëse antiparti në fushën e krijimtarisë letraro-artistike, që kishte krijuar një gjëndje çqetësuese. Disa kuadro edhe janë ndeshur me të, por ai ka shfrytëzuar edhe pozitën e tij si sekretar i Komitetit të Partisë dhe si anëtar i Komitetit Qendror. Ja disa kritika kryesore:

a- Në Raportin konkluziv të kryesis së Degës vihesh në dukje se në mos-funksionimin e mirë të Degës ka influencuar edhe Todi Lubonja i cili thoshte: “Arti nuk bëhet me mbledhje”. Ai nuk e vlerësonte mirë krijimtarinë e anëtarëve të Rrethit, duke e konsideruar arkaike e fshatarake. Bënte diferencime midis shokëve të vjetër e të rinj, gjë që çoi në ndarjen në të vjetër e në të rinj. Rrethet e krijuar pranë Degës së Lidhjes, - tha K. Kono, - filluan të bien që kur ardhi Todi Lubonja, i cili ato i shikonte të vjetruara, ashtu si na shikonte edhe ne si të vjetër.

Nuk vlerësonte K. Konon e V. Tushin, bile i kishte kërkuar Kryesisë që V. Tushit t’i merresh edhe studioja e punës. Thoshte se në Korçë nuk ka forca për organizimin e seminareve të edukimit ideo-artistik, ndërsa M. Luarasin e mbante si estet të kualifikuar, bile Todi Lubonja nuk lexonte dorëshkrimet e autorëve korçarë dhe përgjigjej mbi to vetëm pasi i lexonte M. Luarasi. Edhe M. Luarasi i përçmonte shkrimtarët e Korçës.

Në Raportin konkluziv të organizatës bazë të Teatrit dhe Estradës thuhet se Todi Lubonja me punën e tij ka influencuar në futjen e frymës liberale e të ndikimeve borgjezo-revizioniste në Teatër, negative ke qenë edhe puna e Mihal Luarasit që ishte nën tutelën e plotë të Todi Lubonjës.

b- Todi Lubonja ka predikuar, lidhur me artin e letërsisë, pikëpamje krejt të huaja për partinë tonë dhe në kundërshtim me vijën e saj. Shkrimtari Hamza Koçiu tha se në një leksion Todi hodhi tezën: Të luftojmë për një art të vërtetë. Në një rast tjetër, kur Hamza Koçiu i tha Todit vërejtjet e tij për dramën Njollat e murme, Todi i tha: Artisti i math i shërben edhe borgjezisë edhe revolucionit, dhe solli si shembull Tolstoin e Balzakun, domethënë që artisti qëndron mbi klasat. Simbas piktorit Vangjush Tushi, në një rast Todi hodhi tezën se arti është vizion. Vangjush Tushi u habit shumë dhe u çqetësua se e dinte që kjo tezë ishte e filozofit borgjez italian Benedeto Kroçe.

c- Todi kërcënonte e hakmerresh kundër kundër atyre që e kundërshtonin: Hamza Koçiut që kritikoi me këmbëngulje dy dramat e M. Jeros: Njollat e murme dhe Të Pamposhturit e për këtë i vajti në zyrë Todit, ky i tha: Unë po të paralajmëroj që të heqësh dorë nga këto. Ti kështu e ke nisur, por bëjnë gabim ata kuadro që të dëgjojnë. Shkrimtares Mira Zaimasi, redaktore në gazetën PËRPARA, që refuzoi të botonte artikull pozitiv për dramën të Pamposhturit pse kishte kritika për këtë, Todi Lubonja i hoqi vërejtje, kurse piktorit Vangjush Tushi jo vetëm kërkoi t’i merrnin studion, por në një rast i është kërcënuar, simbas V. Tushit, se do ta ndiqte me zjarr.

4. – Kritika për institucione dhe organe qëndrore.
Në radhë të parë, pati mjaft kritika për marrëdhëniet me Kryesinë e Lidhjes së shkrimtarëve e artistëve dhe për organet e saj DRITA e NËNDORI. Po kështu pati kritika për Radio Tiranën dhe për Ndërmarrjen e Botimeve “Naim Frashëri”. U bënë vërejtje të ndryshme kritike edhe për romanin e fundit të Ismail Kadaresë Dimri i vetmisë së madhe.

a- Kryesia e Lidhjes në Tiranë u kritikua se nuk ka ndihmuar sistematikisht Degën e Korçës, nuk u ka dhënë përgjigje kërkesave të saj për pranime të reja ose leje krijuese, nuk ka ndihmuar piktorët e skulptorët me materialet e nevojshme, se ka patur kritere subjektive në pranimin ose jo të veprave për Ekspozitën Kombëtare të Arteve figurative. U kritikua në Raport shoku Vilson Kilica se ka influencuar keq në kundërvënien e brezave, se në një mbledhje të Byrosë së Rrethit ku ai ka marrë pjesë, ka thënë se s’duhet pritur gjë nga V. Tushi e R. Dembo se ata kanë mbaruar.

U kërkua që Kryesia e Lidhjes t’u kushtojë më shumë vëmëndje problemeve të bazës dhe marrëdhënieve me Degët, të tërheqë më shumë mendimin e antarëve të bazës, të mbajë më tepër lidhje me bazën.
Kristo Konua tha se në Kryesinë e Lidhjes ka indiferentizmë: Konua ka dalë në profesion të lirë, por nga Kryesia asnjëherë nuk i është kërkuar llogari, por vetëm janë lëshuar epitete për të si arkaik, tradicional, etj. Bile ai ka njoftuar me letër Kryesinë për punimet e tij, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ai shtoi edhe këtë: kur doli në profesion të lirë, iu caktua rroga 800 lekë, kurse më pas ajo iu bë 1200 lekë. Pse ky ndryshim? Ai kishte mendimin se rroga e parë u caktua me propozimin e Kryesis së Lidhjes, kurse ndryshimi u bë nga KQ i Partisë ose nga Ministria e Arësim Kulturës.

Ai kishte shumë vërejtje kritike sidomos për Hamide Stringën, për sjelljet dhe qëndrimet e saj mospërfillëse e arrogante. Ai insistoi që të zbatohet vendimi për krijimin e filarmonisë kombëtare që do të gjallërojë së tepërmi gjithë krijimtarinë dhe jetën muzikore të vendit. “Këto që po bëhen, - tha, - janë shumë të forta, shumë të mira. E kuptoj shqetësimin e shokut Enver që e ka marrë vetë në dorë këtë punë, por të shikohen foletë, se krerët dihen por ata kanë edhe degë”.
 
b- DRITA dhe NËNDORI u kritikuan se me shkrimet e tyre kanë kontribuar në përhapjen e rrymave dhe pikëpamjeve ideo-artistike borgjeze e revizioniste, se kanë botuar artikuj çoroditës e të dëmshëm të shkrimtarëve e poetëve të huaj, sidomos kosovarë, pa asnjë vërejtje kritike, se ato dhe ZËRI I RINISË kanë ushqyer përhapjen e ndikimeve de rrymave letrare të huaja te poetët tanë të rinj. Ato u kanë bërë barrikadë disa mendimeve të drejta polemizuese dërguar nga Dhori Qiriazi e Vangjush Ziko, nuk kanë shkruar pothuaj fare për krijimtarinë letrare në Korçë, edhe kur u janë dërguar artikujt nga Korça, bile as botojnë as përgjigjen.

U tha se kritika letraro-artistike ka qënë e njëanshme dhe e përqëndruar në disa njerëz në Tiranë. Pati mjaft vërejtje për teorizimet e gabuara mbi artin e letërsinë që kanë botuar në revistën NËNDORI Kudret Velça, Andon Kuqali, Gjergj Zheji. U tha se edhe Ismail Kadareja ka dhënë disa orientime të gabuara në këtë fushë. Gjergj Zheji, ndër të tjera, u kritikua se ka hedhur idenë që letërsia e viteve 50 ka qënë skematike, prandaj letrarët e rinj duhet të kërkojnë gjetkë.
U propozua të shikohet mundësia që të botohet një revistë arti.

c- Ndërmarrja e Botimeve u kritikua për zvarritje e qëndrime kontradiktore ndaj veprave të dërguara. U kërkua që Ndërmarrja të ketë më shumë respekt për autorët që dërgojnë veprat për botim.
ç- Drejtoria e Radio Tiranës u kritikua nga Kristo Konua, se ay i ka dërguar Radios mjaft vepra të tij, të cilat janë pranuar e pëlqyer dhe janë shpërblyer plotësisht, por as janë incizuar, as janë ekzekutuar e transmetuar.
 
5.- Konkluzion.
Në fund të mbledhjes së Degës së Lidhjes unë vlerësova pozitivisht punimet e mbledhjes dhe krijimtarinë e letrarëve dhe artistikëve të Korçës dhe trajtova disa probleme të politikës së partisë tonë në fushën e artit e të letërsisë, nën dritën e fjalimeve të fundit të shokut Enver. Po kështu zhvillova edhe disa mendime analoge në mbledhjen e kolektivit të Teatrit dhe Estradës.

Për problemet dhe detyrat që duallën nga këto mbledhje unë pata takime të veçanta me shokët e Komitetit të Partisë e të Komitetit ekzekutiv të rrethit si dhe me shokët e Kryesisë së re të Degës së Lidhjes, të cilëve u dhashë disa mendime e sugjerime mbi punën e mëtejshme. Veçanërisht për këto probleme bisedova me sekretarin për propagandën të Komitetit të partisë të rrethit, shokun Vangjel Çerava i cili asistoi bashkë me mua në të gjitha mbledhjet.

Sikundër u theksua edhe nga shokët e Byros së Komitetit të partisë në mbledhjen e 16-17 majit 1973 ku u shqyrtuan konkluzionet e diskutimit në parti e masa të fjalimit të fundit të shokut Enver, në fushën e letërsisë e të artit edhe në rrethin e Korçës ka probleme. Byroja ritheksoi përgjegjësinë e madhe të Todi Lubonjës në këtë çështje si dhe përgjegjësinë e shokut Vangjel Çerava pastaj si sekretar për propagandën, por bëri edhe autokritikë se në këto probleme nuk është ndalur si duhet vetë Byroja.

Tani del detyrë që Komiteti i partisë t’u kushtojë kujdes më të math këtyre çështjeve, të organizojë më mirë punën në Aparat për ndjekjen e tyre, të sigurojë më mirë dhe sistematikisht drejtimin e partisë në këtë fushë, të merret më mirë edhe me vetë ngritjen ideologjike e politike të njerëzve të krijimtarisë dhe me problemet e tyre, të kërkojë më shumë llogari për këto çështje nga organet e pushtetit dhe institucionet kulturale të rrethit, t’i analizojë herë pas here këto probleme në Byro apo në Sekretariat për të çuar punën gjithmonë përpara në bazë të orientimeve të Partisë.
 
Behar Shtylla
 Tiranë, 31 maj 1973


Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore