Kandidati i PD-në për kryetar Bashkie në Tiranë, Roland Bejko ka mbledhur anëtarët e Këshillit Bashkiak.
Bejko u shpreh se me anë të profesionalizmit që ofrohet nga këta këshilltarë, qytetarët kanë mundësi të mund të kenë një zgjedhje ndryshe ë 14 maj.
“Të zgjedhurit vendorë, pra këshilltarët, të bëjnë nivelin legjislativ, pra jeni ju ata që do të merrni vendime, janë këshilltarët ata të cilët menaxhojnë fondet e bashkisë, përcaktojnë politikat e bashkisë, përfaqësojnë zërin e qytetarëve, përveç buxhetit merren edhe me politik-bërjen, menaxhojnë planet e zhvillimit. Vendosin për to, thërrasin në interpelancë kryetarin e bashkisë, i lënë detyra atij dhe kryetari i bashkisë duhet t’i zbatojë ato me përpikmëri.”
“Anëtarë e këshillit të bashkisë përfaqësojnë jo thjesht vullnetin e qytetarëve, por për çështje të caktuara të karakterit politik, përcaktojnë edhe politikat e forcës politike nga e cila ata janë zgjedhur. Ligji më i mirë, sistemi më i mirë, për të zgjedhur anëtarët e këshillit të bashkisë do të ishte sistemi me lista të hapura, ku përfaqësimi do të ishte më dinjitoz, dhe komunikimi i qytetarëve me të zgjedhur vendorë do të ishte i drejtpërdrejtë”.
“Më e mira do të ishte që të mos bëhej me lista të mbyllura nga partitë. Pra, të mos ishte partia ajo që do të zgjidhte. Ka sisteme të tilla në perëndim, në të cilat këshilltarët i zgjedh i pari i listës, pra partia nominon, cakton. Do të ishte ndryshe në Shqipëri, nëse listat do të ishin të hapura. Këshilltarët do të ishin në terren më fort sesa vetë kryetari, ose kandidati për kryetar. Ata do të kërkonin vota me qëllim, që të fitonin renditjen maksimale të pikëve në listën e këshilltarit.”
“Jemi në këtë realitet. Jemi në realitetin ku listat janë të mbyllura. Listat i bën partia përkatëse, është vendosur kandidati për kryetar i bashkisë, i cili, dihet me emër, ndërsa qytetarët jo të gjithë janë të informuar për listën e këshilltarëve. Në këto kushte ne do të operojmë, që ta bëjmë sa më të mundur aksesin e qytetarëve, në raport me prezencën tuaj, me punën tuaj, me personalitetin tuaj, CV-në tuaj, pra me gjithçka që ju mbartni, ku qytetarët do të shohin partnerin, ose le të themi avokatin e tyre, tek i cili ata do të drejtohen për problematikat e lagjes, të qendrës administrative, të fshatit përkatës e kështu me radhë.”
“Do të thoja sesa e rëndësishme është për ne kjo fushatë, e cila natyrisht mbart vështirësitë e veta”.
“Ne do shfaqemi para qytetarëve me një ekip mendoj unë të shkëlqyer, me qytetarë të denjë, me qytetarë të cilët nuk mbartnin me vete afera korrupsioni, pra, nuk kanë një perceptim negativ te qytetarët. Ne e kemi parë me kujdes listën e këshilltarëve. Ju jeni personalitete me kontribut të madh në Partinë Demokratike, duke obsesuar te vlerat e së djathtës dhe duke u bërë mesazherët e fjalës sonë, e fushatës sonë, e premtimeve tona, gjithashtu edhe të vizionit tonë që kemi për Tiranën”.
“E kam për nder që në krahun tim të kem një pedagoge si Enriketa Papa, e cila ka studiuar jashtë në krye të listës sa u përket zonjave, ndërsa sa u përket zotërinjve të kem pikërisht kapitenin e Tiranës, i cili do të jetë edhe kapiteni i fushatës sonë në pjesën më të madhe të lagjeve të Tiranës. Jam i bindur që do të frymëzojmë me fushatën tonë, me aktivitetin tonë, edhe qytetarë të tjerë të cilët janë skeptikë. Mos harrojmë që jemi në situatë të vështirë si parti demokratike, sepse mbi ne është hedhur goxha baltë gjatë kësaj periudhe, prej gati një viti e gjysmë dhe sot vazhdon që të ushtrohet ky lloj presioni ndaj atyre që përfaqësojnë Partinë Demokratike, si në nivel qendror ashtu dhe në çdo lagje”.
“Demokratët e kanë ndarë mendjen e tyre. Me pjesëmarrjen e lartë në çeljen e fushatës dëshmuan se Partia Demokratike edhe mund të gjunjëzohet por nuk mund ta shembin. Gjakun edhe mund t’ia pinë por trupin e saj nuk mund ta vdesin, sepse janë demokratët ata që e duan Partinë Demokratike, e duan Shqipërinë, që e furnizojnë këtë parti me energjinë e tyre, me gjakun e tyre vazhdimisht”.
“Jam besimplotë se kredibiliteti dhe personaliteti juaj në çdo zonë, në çdo lagje, në çdo fshat, si në Tiranën urbane ashtu edhe në atë rurale, do të na japi mundësi që ta maksimalizojmë votën e Partisë Demokratike, dhe të synojmë pse jo, fitoren. Pse e synojmë fitoren? Sepse, sipas të gjitha sondazheve, siç e keni vënë re, janë mbi 70 për qind e qytetarëve shqiptarë që refuzojnë klasën e korruptuar politike, e cila përfaqësohet nga trekëndëshi Rama, Berisha, Meta. Në këto kushte përballë tyre, ne jemi të ndryshmit e tyre.”
“Ne nuk jemi pengje as të oligarkisë, nuk mbartim mbi supe as krime dhe as korrupsion. Nuk kemi rekorde të bashkëpunimit me krimin e organizuar, me ekonominë kriminale. Pjesa jonë më e madhe, pjesa dërrmuese jemi në kushtet e punës, e fitojmë përditshmërinë tonë, e fitojmë jetën tonë, nëpërmjet profesionit të gjithsecilit.”
“Edhe ata që janë në biznes nga pjesa e këshilltarëve janë biznesmenë të rregullt, që i respektojnë rregullat e konkurrencës, që e duan tregun e lirë, që nuk u shmangen taksave dhe janë në rregull me detyrimet shtetërore”.
“Ne kemi një program, të cilin e kemi ambicjoz, e kemi program të thjeshtë, kemi një program që do të na ndihmojë, të kuptohemi me qytetarët, të bashkëbisedojmë me qytetarët, të pëlqehemi nga qytetarët, t’i ftojmë ata që të votojnë Partinë Demokratike.”
“Është fare e thjeshtë. Ata të cilët janë mërzitur me Erion Veliajn, por edhe ata të cilët nuk duan marrjen e bashkisë nga ana e Sali Berishës dhe Ilir Metës, e kanë rrugën e zgjidhjes mbi tavolinë, e kanë në kutinë e votimit. Mjafton vota e tyre dhe të tre këta eliminohen. Eliminohet Erion Veliaj, eliminohen Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe fiton kandidati i Partisë Demokratike, nëse duan realisht që t’i përzënë dhe të mos i pranojnë.”
“Projekti ynë për Tiranën nuk është projekt momental, për të zgjidhur një kanal, një mbikalim apo nënkalim, apo për të zgjidhur thjesht biletat e autobusit, nëse do të jenë falas ose me para. Nuk është thjesht një program për të zgjidhur çështjet komunale apo administrative, apo thjesht afrimin e shërbimeve, por është një vizion shumë herë më i madh, shumë herë më ambicjoz.”
“Programi ynë ka një synim shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Tiranës, të demokracisë dhe të vendit, siç e kemi theksuar edhe në prezantimet e tjera. E para është ta çlirojmë Tiranën dhe t’i japin asaj frymëmarrjen e duhur, që të jetë një qytet normal me aksese të pranueshme dhe jeta e qytetarëve të jetë më e lehtë sesa sot. Kjo bëhet dhe ka vetëm një zgjidhje: duke larguar duart, kthetrat që i kanë hedhur Tiranës mbi shpinë, oligarkia politike. Pra, kjo klasë politike që e ka kthyer në monopol politikën prej 32 vitesh, oligarkia financiare, dhe krimi i organizuar ku vetëm për një vit e gjysmë janë pastruar 1.6 miliardë euro në Tiranë.”
Lajmi kryesor: