Agjencia Kombëtare e Krimit në Londër ka vënë në pranga dy shqiptarë, pas një hetimi mbi një grup kriminal, të dyshuar për kontrabandimin e njerëzve në Britani, përmes kamionëve.
Dyshja Admir Canaj, 38 vjeç dhe Astrit Ramoshi, 37 vjeç u mbajtën në paraburgim në pritje të ekstradimit në Belgjikë.
Dy shqiptarët akuzohen për ngritjen e një rrjeti trafikant në Mbretërinë e Bashkuar. Në një hoteli, në Ghent, ata grumbullonin emigrantët dhe më pas i transportonin ata për në Britaninë e Madhe.
Emigrantët, që shumica ishin shqiptarë, paguanin deri në 15,000 euro për të kaluar në Britani.
Gjatë një operacioni policor, u bë e mundur kapja e 37 shtetasve shqiptarë në hotelin që shërbente si bazë grumbullimi.
“Të arrestuarit në Mbretërinë e Bashkuar tani do përballen me ekstradim në Belgjikë. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë kolegët tanë belgë në hetimet e tyre. Kontrabandistët e njerëzve i trajtojnë njerëzit si një mall për t’u shfrytëzuar. Ne jemi të vendosur ti hetojmë dhe ndalojmë këto rrjete që synojnë Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se në cilin territor funksionojnë”, - u shpreh Steve Reynolds, kreu i operacioneve të imigracionit për NCA.