Belgjikë–Rusi është ndeshja kryesore në grupin H te Kupës së Botës që do luhet në mitikun ‘Maracana’ dhe që do vendosë skuadrën që do kualifikohet më tej. Belgët e Vilmots vijnë pas fitores me përmbysje ndaj Algjerisë ndërsa Rusia e Capellos dëshiron të bëjë autokritikë dhe të marrë tre pikët për tu kualifikuar në fazën e 1/8. Kur u hodh shorti i këtij grupi Belgjika dhe Rusia ishin favoritët dhe Vilmots e pranon një fakt të tillë por sqaron se edhe Koreja e Jugut mund të surprizojë. Në kampin rus duket se nuk janë nën presion dhe një fakt të tillë e sqaron trajneri Capello.
 
“Belgët janë një skuadër e fortë dhe me karakter. Unë kam respekt për kundërshtarët por shumë besim tek skuadra ime dhe jam i bindur në fitoren e takimit.” përfundon trajneri.
 
Në orën 21:00 luhet ndeshja tjetër e këtij grupi ajo ndërmjet Algjerisë dhe Koresë së Jugut. Ndërsa në mesnate Shtetet e Bashkuara të Amerikës do përballen me Portugalinë e Ronaldos. Trajneri Paolo Bento thotë se nëse skuadra e tij nuk arrin të mposhtë amerikanët atëherë ky do të jetë një dështim dhe do detyrojë luzitanët të kthehen në shtëpi. Për kapitenin Ronaldo timonieri nënvizon se është stërvitur si gjithë futbollistët e tjerë dhe është gati të luajë. Amerikanët e drejtuar nga Klinsman siguruan tre pikë në ndehsjen e parë ndaj Ganës dhe trajenri e sheh ndeshjen ndaj Portugalisë si një provë te rëndësishme për djemtë e tij që mund tu japë edhe kualifikimin.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)