Prokuroria Evropiane (EPPO) ka kryer kontrolle në Kolegjin e Evropës në Bryzh (Belgjikë) dhe në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (SEAE) të BE-së në Bruksel, në kuadër të një hetimi për mashtrim të dyshuar lidhur me programet e trajnimit të financuara nga BE-ja për diplomatët e rinj. Tre të dyshuar janë ndaluar, ka bërë të ditur vetë Prokuroria Evropiane në një njoftim zyrtar. Sipas mediave belge, ndër ta është edhe rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Kjo e fundit është rektore edhe në degën e Kolegjit të Europës në Tiranë. 

Po ashtu ra në pranga edhe Stefano Sannino, zyrtar i Komisionit Europian, diplomat italian, ish-drejtor dhe ish-sekretar i përgjithshëm i SEAE-së dhe aktualisht drejtor i drejtorisë së përgjithshme në Komisionin Europian për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. I treti i ndaluar, po ashtu italian, mban një pozicion të rëndësishëm në administratën e Universitetit të Bruges.

Objekti i hetimit është projekti për Akademinë Diplomatike të Bashkimit Europian – një program nëntëmujor trajnimi për diplomatët e rinj nga vendet anëtare – i cili iu dha Kolegjit të Evropës në Belgjikë nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm për periudhën 2021-2022, pas një procedure të rregullt tenderimi.

Hetimi synon të verifikojë nëse Kolegji i Evropës dhe/ose përfaqësuesit e tij janë informuar paraprakisht mbi kriteret e përzgjedhjes në procedurën e tenderit dhe nëse kishin arsye të mjaftueshme për të besuar se do të fitonin zbatimin e projektit, para se SEAE të publikonte zyrtarisht njoftimin e garës. Dyshimet përqendrohen te shkelja e nenit 169 të Rregullores Financiare që lidhet me konkurrencën e ndershme dhe, si rrjedhojë, te mundësia që informacione të ndjeshme t’i jenë dhënë njërit prej kandidatëve pjesëmarrës.

Hetuesit janë fokusuar te rrethanat që lidhen me blerjen prej 3.2 milionë eurosh të një ndërtese në Bryzh, e cila shërben si vendbanim për diplomatët që ndjekin akademinë.  Kolegji i Evropës e bleu ndërtesën në vitin 2022, në një periudhë me vështirësi financiare, dhe pak para se SEAE të publikonte një tender i cili më pas i dha institucionit 654,000 euro financim. Hetuesit kanë shqyrtuar pretendimet se Kolegji i Evropës dhe përfaqësues të tij mund të kenë pasur akses në informacion konfidencial lidhur me tenderin, i cili duhej të mbetej i fshehtë për të garantuar konkurrencë të ndershme mes institucioneve që synonin të fitonin të drejtën për të pritur akademinë e re.

“Ekzistojnë dyshime të forta se, gjatë procedurës së tenderimit për programin, është shkelur neni 169 i Rregullores Financiare që lidhet me konkurrencën e ndershme dhe se informacione konfidenciale lidhur me tenderin në zhvillim janë ndarë me një nga kandidatët pjesëmarrës në garë”, shkruan EPPO.

Para kryerjes së kontrolleve, Prokuroria Evropiane ka kërkuar heqjen e imunitetit për disa nga personat nën hetim, kërkesë e cila është pranuar. Faktet që po hetohen janë raportuar fillimisht në OLAF. Ato mund të përbëjnë mashtrim në procedurat e prokurimit, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Hetimi është ende në zhvillim për të sqaruar rrethanat dhe për të vlerësuar nëse ka elementë të veprave penale.

Këtë mëngjes, policia federale, me kërkesë të EPPO-s, ka kryer një kontroll në zyrat e SEAE-së dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit për disa të dyshuar. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me OLAF-in, Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit.

Komisioni Evropian ka saktësuar sot se hetimi i përket legjislaturës së kaluar, gjatë së cilës posti i Përfaqësuesit të Lartë mbahej nga spanjolli Josep Borrell, ndërsa presidente e ekzekutivit europian ishte megjithatë Ursula von der Leyen.

Sipas ligjit belg, tre të ndaluarit mund të mbahen pa liri për 48 orë, kohë gjatë së cilës mund të merren në pyetje (ata mund të kërkojnë asistencën e një avokati). Në disa raste, gjyqtari hetues mund të zgjasë periudhën e ndalimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:52
Rusia dhe Hungaria ‘sulm’ BE pas arrestimit të Federica Mogherinit: Mbyll sytë para korrupsionit dhe u jep leksione të tjerëve

1764678016_federicamogherini.jpeg

Policia belge bastisi zyrat diplomatik të BE-së në Bruksel dhe Kolegjin e Evropës në Bryzh si pjesë e një hetimi për mashtrim të dyshuar në lidhje me financimin e zyrtarëve të ulët, ku si rezultat u arrestuan 3 zyrtarë të lartë, mes tyre edhe shefja e Diplomacisë në BE, Federica Mogherini.

Moska dhe Budapesti nuk u vonuan në reagimet e tyre, ku sulmuan BE pas skandalit të korrupsionit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e shfrytëzoi rastin për t’i akuzuar institucionet europiane për hipokrizi.

“BE-ja mbyll sytë ndaj korrupsionit të saj, por vazhdimisht jep leksione të tjerëve,” tha Zakharova për agjencinë Tass. Ajo pretendoi se “miliona euro” kalojnë prej vitesh nga “kanalet e korrupsionit” në Kiev drejt BE-së, dhe se “kjo është e qartë për të gjithë”.

Edhe nga Budapesti ka ardhur një ton i ngjashëm. Zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, e cilësoi situatën si një tjetër goditje për imazhin e Brukselit.

“Një ditë tjetër, një skandal tjetër tronditës në BE. Policia bastis EEAS-in dhe Kolegjin e Evropës në agim? Arrestime, dokumente të sekuestruara, akuza për korrupsion? As nuk do ta shpikje. Institucionet e BE-së “ngjajnë më shumë me një serial detektiv sesa me një bashkim funksional”, duke ironizuar se Brukseli vazhdon t’u mbajë leksione vendeve të tjera për sundimin e ligjit, ndërsa përballet vetë me skandale të njëpasnjëshme', tha ai.